Kryeministri Edi Rama mori pjesë ditën e sotme në hapjen e zyrës doganore të Kosovës në portin e Durrësit.
Në fjalën e rastit Rama tha se porti i Durrësit do të kthehet jo vetëm në një doganë të Shqipërisë por edhe të Kosovës.
Sipas tij “Dogana e Kosovës në Durrës është hapi i parë i bashkimit doganor të Shqipërisë dhe Kosovës”.
Rama deklaroi se kjo do të thotë se zyra e policisë në kufi është e përbashkët dhe se gjithçka do të zgjasë pak minuta.
Lidhur me zërat për Shqipërinë e Madhe, Kryeministri deklaroi se “Kush na thotë se e kemi për Shqipërinë e Madhe u themi se është sajesë. Nuk ka Shqipëri të Madhe. Nëse duan ta bëjnë këtë diskutim, e bëjmë ne nuk kemi asgjë të fshehtë por jo tek kjo. Ka një komb shqiptar që ka të gjithë të drejtën e vet ta shohë të ardhmen si pjesë e të njëjtit sistemi organizimi e bashkëjetesë”.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe ministri i Transporteve në Kosovë, Fatmir Limaj.