Rrëfehet e bija e Dëshmorit Bunjaku: Orët e fundit me babanë, ëndrra ime pas largimit të tij…

0
77
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Emisioni “Në Shënjestër” ka udhëtuar në fshatin Samadrexhë të Vushtrisë, në familjen e Afrim Bunjakut, ku tashmë janë hapur dyer e mortit. Zia këtu nuk është e zakonshme, por e përzier edhe me një farë krenarie.

Edhe pse për familjen e dëshmorit më të ri të Kosovës, rreshterit të policisë Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën mëngjesin pa u zgjuar 24 shtatori në përplasjen me armë me një grup të dyshuar terroristësh serbë, jeta pa të nuk do të jetë më e njëjtë në vazhdim.

Ashtu si edhe për Arbenitën, vajzën e tij të vetme dhe dy djemtë, të cilët ndërsa prisnin që babai i tyre të kthehej nga shërbimi në postën e Zveçanit, u zgjuan të tronditur nga lajmi i hidhur i humbjes së jetës të njeriut të tyre të dashur.

Arbenita, në sytë e së cilës nuk janë tharë ende lotët e dhimbjes së humbjes së babait, thotë për emisionin ‘Në Shënjestër’ se lajmin për humbjen e njeriut të cilin e cilësonte si krenarinë e saj, e mësoi nga tezja e saj. Dhe ende edhe sot, nuk mundet të pajtohet dot me faktin, që ai nuk ndodhet më pranë tyre.

“Unë faktikisht kam qenë duke punuar siç do ditë. Babai im i ndjerë ka shkuar në orën 5.00 pasdite në punë dhe deri në orën 5 të mëngjesit.

Në momentin e parë tezja veç më tha babai është sëmurë, e kanë plagosur. I thashë nuk është e vërtetë. I thashë babai im është mirë. Dhe tezja ime po qante.

Dhe unë e kuptova që diçka nuk shkonte dhe për momentin kam bërtit. Kam menduar se jam në ëndërr. Fatkeqësisht babai yt ka ndërruar jetë”, rrëfen ajo.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kishte një karrierë të gjatë prej më shumë se dy dekadash në shërbim të rendit dhe sigurisë…

Në shtetin e cilësuar me moshën më të re në Evropë, por që nga pavarësia në vitin 2008 është përballur shpesh me kërcënime që vijnë kohë pas kohe nga Serbia.

Kërcënime që vazhdon të praktikojë politika hegjemoniste ndaj Kosovës dhe krijuar trazira nëpërmjet edhe grupeve ekstremiste që mbajnë të trazuar veriun e vendit.

Afrim Bunjaku ishte transferuar në postën policore të Zveçanit, një komunë me shumicë serbe në veri të vendit. Pikërisht pas tërheqjes masive që policët me kombësi serbe, kishin kryer nga aty disa muaj më parë, të urdhëruar nga Beogradi zyrtar.

Ashtu si edhe atë pasdreke të datës 23 shtator, kur ai u nis në krye të detyrës, pa e ditur se ky do të ishte udhëtimi i tij i fundit, në rrobën e zyrtarit të policisë së Republikës së Kosovës.

“Babai im ka punuar 22 vite në polici në Republikën e Kosovës. Ka qenë i përkushtuar. Nuk ka thënë kurrë po përtoj sot të shkoj në detyrë. Më duket ende si një ëndërr dhe shpeshherë zgjohem nga ëndrra dhe them o Zot se smundem me e pranue këtë gjë, që duhet të bëhem e fortë e babai e dha jetën për liri”, rrëfen e bija.

Në familjen Bunjaku kjo është humbja e dytë më e madhe në këto 10 vite. Më herët kjo familje kishte humbur në një aksident një nga fëmijët e saj. por kurrë nuk do ta besonin se pas përfundimit të luftës, dëshmori i radhës i një agresioni të frymëzuar nga shovinizmi serb, do të ishte kryefamiljari dhe babai i tyre.

“Të flasësh për babain tim është shumë pak. Nuk mundesh ta përshkruash me pak fjalë. Unë kam qenë krenare me babain tim. Gjithmonë unë i kam thënë, ishalla unë vdes para teje. Gjithmonë më thoshte, nuk ka më vështirë se me përjetu vdekjen e evlatit. Sepse babai im ka humbur një djalë para 10 vitesh në aksident. Aq shumë e kam dashur babain tim sa vështirë më e besuar një ditë se ai ka me vdekur”, thotë e bija.

Por si erdhi përplasja me armë midis Policisë së Kosovës dhe grupit të lokalizuar terrorist serb, të dielën e 24 shtatorit 2023, pa u zbardhur dita, në fshatin Banjskë të Zveçanit?

Kush po kujdeset që kjo zonë në veri të vendit të jetë gjithmonë e tensionuar dhe cilat janë qëllimet e vërteta të Beogradit?

Dhe pse Banjska u kthye në një banjë gjaku, që trazoi edhe rangjet më të larta të diplomacisë në Evropë dhe SHBA?

Këto të fundit ndërkohë po kujdesen në një dialog të gjatë dhe të vështirë negocimi që Kosova dhe Serbia të gjejnë në mos paqen e përjetshme, të paktën gjuhën e përbashkët për të jetuar në fqinjësi të mirë.

Gjithçka duket se nis në orën 02.34 minuta të mëngjesit të datës 24 shtator. Momenti kur policia u njoftua se mbi këtë urë në hyrje të fshatit Banjskë, ishte ngritur një bllokadë.

Pikërisht nga këta dy kamionë pa targa, të anuar edhe sot në anë të rrugës, të mbetur këtu që nga ai mëngjes i errët, që u përdorën për të bllokuar urën nga ku askush nuk mund të lëvizte më përtej. Menjëherë pasi morën informacionin, një patrullë e postës së policisë së Zveçanit, mes tyre dhe Afrim Bunjaku, u nisën të verifikonin situatën.

Por me të mbërritur në hyrje të fshatit, siç shikohet edhe nga këto pamje të publikuara më pas nga Policia e Kosovës; pamje të cilat u siguruan nga dronët e kapur të agresorëve, patrulla e policisë u sulmua me eksploziv, për t’u gjendur më pas nën breshërinë e armëve.

Gjurmët të sulmit me armë që sot janë të dukshme, edhe në xhamat ndërtesës në cep të urës. Plumba që do t’i merrnin jetën rreshterit të policisë Afrim Bunjaku, ndërsa një punonjës tjetër policie mbeti i plagosur në gjoks.

Policia e Kosovës: 24 shtator 2023

Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjete të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar. Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Pas sulmit të parë me eksploziv dhe armë zjarri ndaj patrullës së policisë, dhe mbërritjes aty të përforcimeve policore, grupi agresor, u pa të tërhiqej brenda Manastirit të Banjskës.

Me të zbardhur dita shpejt u dokumentua se grupi terrorist, i armatosur rëndë, udhëhiqej nga Milan Radoiçiq, nënkryetari i Listës Srpska.

Ai u rrethua bashkë me grupin e tij nga forcat speciale të Policisë së Kosovës brenda Manastirit. Ishte kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që akuzoi Serbinë si përgjegjëse për sulmin, çka në orët në vijim kjo do të provohej.

Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda. Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë.

Në orët në vazhdim, Kurti iu kërkoi qytetarëve të ruanin qetësinë, ndërsa foli për një grup paramilitar që po vijonte sulmin e organizuar sipas tij nga Serbia.

Beteja që po zhvillohej mes policisë së Kosovës dhe paramiltarëve serbë ishte e ashpër.

Më vonë, faktet do të dëshmonin se pjesëtarët e grupit ishin të mirëtrajnuar ushtarakisht dhe të armatosur gjer në dhëmbë.

Mes tyre pjesëtarë të ‘Mbrojtjes civile’ dhe ‘Brigadës së Veriut’ të shpallura si terroriste nga qeveria e Kosovës.

Por, kur ende nuk kishin dalë fakte publike për Radoiçiq, patericën e Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë bëri këtë deklaratë.

Një gjë është e sigurt, Kosova asnjëherë nuk do të fitoj pavarësinë nga Serbia, të huajt le të vazhdojnë punën e tyre dhe ne do të marrim vendimet tona këto ditë. Gjithë ditën kishim diskutime të rënda dhe analiza dhe sonte nuk kemi dal me konkluzion për vendimet si do të mbrojmë qytetarët e Serbisë.

Akuzat e Kurtit sa vinin e intensifikoheshin, dhe po ashtu faktori ndërkombëtar nisi reagimet e para. Fillimisht të vakëta.

Në fshatin Banjskë, nga ana tjetër policia vazhdonte luftën e saj me terroristët, disa prej të cilëve u vranë dhe të tjerë u plagosën.

Fshati u izolua tërësisht. Përgjatë orëve u njoftua vrasja e të paktën 3 prej pjesëtarëve të grupit paramilitar. Zbulimet e policisë do të ishin surprizuese.

Të nesërmen ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla zbuloi arsenalin e armëve të sofistikuara dhe akuzoi direkt Milan Radoiçiq, njeriun e Vuçiç si kreun e grupit terrorist.

Por disa ditë pas përplasjes me armë të grupit terrorist dhe policisë së Kosovës, edhe pse Banjska duket e qetë, frika këtu është kudo. Pavarësisht se në rrugët e fshatit janë kthyer të patrullojnë forcat e policisë së Kosovës.

Edhe pse kanë marrë në kontroll të gjithë zonën pas përplasjes së ashpër me armë që forca e tyre e sigurisë pati disa ditë më parë me grupin paramilitar serb të veshur me rroba ushtarake dhe të pajisur me armatimin më të rëndë, banorët serbë të fshatit nuk pranojnë të flasin para kamerave.

Dhe sidomos atyre të mikrofonëve shqiptarë. Ata duken shumë rrallë të qarkullojnë në rrugët e fshatit, që numëron vetëm 400 banorë, dhe qëndrojnë të mbledhur në kafene ku nën zë komentojnë atë që ndodhi.

Lart mbi manastir i vetmi që duket të nxitojë hapat me shpejtësi është një prift ortodoks. Ai përpiqet me sa të mundet t’i shpëtojë fokusit të bezdisshëm të kamerës së një televizioni shqiptar, që ka mbërritur për të si një mysafir i padëshiruar në dyert e manastirit që u kthye për shumë orë në arenë dyluftimi midis policisë së Kosovës dhe paramilitarëve serbë me në krye Milan Radoiçiq.

Ndërkohë që në derën e manastirit, që qëndron i mbyllur, trupa të KFOR-it tashmë janë të pozicinuara në hyrje të objektit të kultit.

Por si u shfaq ky grup terrorist serb në Banjskë?

Dhe a u përzgjodh ky fshat rastësisht për ta kthyer në një kasaphanë, për të justifikuar më pas qëllimet e vërteta serbe?

Për Gjeneral Leitnant, Kadri Kastrati, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, në vitet 2011-2015, nuk ka asnjë dyshim se gjithçka ishte e organizuar, dhe e orkestruar në Beograd.

Grupi terrorist që sulmoi në orën 02.35, supozohet se ka hyrë nga territori serb, nga rrethimi i Novi Pazarit, dhe është pozicionuar në Manastirin e Banjskës, komuna e Zveçanit. Dhe në krye të këtij grupi ka qenë nënkryetari i Listës Sprska, Milan Radoiçiq.

Ka pas një grup që ka qenë i përzier me njerëz të stërvitur mirë në kazermat e Serbisë, në Rashkë që janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe të njësisë Speciale të Ushtrisë së Serbisë.

Pavarësisht se duket sikur oshtima e pambarimtë e batareve të të shtënave të ketë mbetur pas si një kujtim i keq, shenjat e plumbave të mbetura në xhamat e dritareve të banesave ngjitur me manastirin, duket se nuk i mbajnë dot larg hijet e një lufte që këtu ka qenë gjithmonë në prag.

Ndërsa në fshat mund të gjesh ende gëzhoja të mbetura nga përplasja me armë midis policisë së Kosovës dhe grupit paramilitar terrorist serb, grup i përbërë nga të paktën 30 veta, Nuredin Ibishi, ish-shef i shtabit të rajonit të Prishtinës në UÇK, (i cili ka mbajtur edhe një mandat si ligjvënës në Kuvendin e Kosovës), thotë se shërbimet e inteligjencës kanë informacione të sigurta se grupi që sulmoi është stërvitur pranë kufirit me Kosovën, në bazat ushtarake të Serbisë. Po ashtu në mbikqyrjen e xhandarmërisë dhe inteligjencës vendase.

Ne kemi informacione të sakta, që këta ekstremistë serbë janë stërvitur pranë kufirit, nga instruktorë edhe ushtarakë, edhe policorë, ku janë stërvitur në poligonët afër Rashkës.

Edhe Radoiçici e pranoi se ka sulmuar për të shpëtruar popullin serb kundër terrorit të Kurtit. Dhe prapa tij qëndron Vuçiç.

Por kush është Milan Radoiçiq, njeriu i veshur me rroba ushtarake, i cili siç u pa më 24 shtator të udhëhiqte grupin terrorist serb që sulmoi policinë e Kosovës, ndërsa qëndronin të rrethuar brenda Manastirit të Banjskës?

Cila është e shkuara e tij kriminale dhe pse Beogradi është kaq shumë i interesuar ta përdorë, deri edhe ta flijojë?

Radoiçiq, figura edhe politike që deri dje ishte nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, por që sot është në listën e zezë të SHBA…

Ai, i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb në veri të Kosovës, Oliver Ivanoviç, pranoi se sulmin e fundit në Banjskë e kreu për të mbrojtur popullin serb nga terrori i Albin Kurtit… Një përpjekje e tij kjo për të shfajësuar Aleksandër Vuçiç.

Si është kthye Radoiçiq në një shqetësim edhe për banorët serbë të veriut të Kosovës, të cilët ndihen të frikësuar nga terrori që ai ushtron te ta, në këtë pjesë të Kosovës?

Ai ka fituar deri edhe epitetin ‘Bosi i veriut’ që dirigjon kryekomunarët serbë dhe drejton kontrabandën në veri të Kosovës.

Radoiçiq, thuhet se ka qenë zëvendës i Zvonko Veselinoviqit, i njohur si ‘Babai i lumit Ibër’ dhe udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, kur Veselinoviq ishte tërhequr për pak kohë.

Vetë Radoiçiq, në një letër të lexuar nga avokati i tij pranoi sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time politike.

Por për t’i hequr barrën e fajësisë Serbisë, ai tha se sulmin e kishte kryer pa dijeninë e shtetit të tij. Gjë që nuk duket fort e besueshme për vetë rrethanat.

Milan Radoiçiç ishte i komunës së Gjakovës. Gjatë luftës, kur ishte 23 vjeç thuhet që ka vrarë shqiptarë atje. Dhe këtu ka filluar bota e tij e krimit dhe e terrorit. Ai ka qenë bosi i krimit në veriun e Kosovës. Aty edhe për lejet e ndërtimit pyetet Radoiçiç.

Por edhe ne Brezovicë. Ai ka punuar edhe me shumë njerëz të krimit edhe me shqiptarë duke futur mallra kontrabandë…

Po për ekspertët e sigurisë nuk është edhe fort e rastësishme përse grupi i armatosur serb me në krye Radoiçiq, zgjodhën Banjskën si grykën e zjarrit të pritës së tyre ndaj Policisë së Kosovës, mëngjesin me të hyrë data 24 shtator.

Po të shikohet nga ky pozicion ku ndodhet Manastiri, rruga poshtë duket si një pusi perfekte, në fshatin e rrethuar nga malet.

Nga ku më pas mund të tërhiqeshin pa shumë vështirësi, për të dalë më tej sa më shpejt në Serbi, përmes rrugëve ilegale.

Ndërkohë që eksperti Ibishi mendon që një nga arsyet që grupi terrorist dështoi në qëllimin e tij, është se nuk pati mbështetjen e komunitetit serb në këtë pjesë të Kosovës.

Ata kanë llogaritur mbështetjen e komunitetit serb, mirëpo kjo gjë u mungoi. Do mungojë edhe në vazhdim sepse Vuçiç po i fyen, po i mashtron…

Vuçic, Milan Radoiçinin e ka pasur krahun e tij të djathtë, për ta përdorur në një situatë hipotetike të një kryengritje të përgjithshme. Mirëpo nuk pati mbështetjen e komunitetit serb atje shumicë, dhe kjo dështoi.

Milan Radoiçiq dhe mbetjet e grupit të tij, u larguan mesditën e 24 shtatorit nëpërmjet malit që ndan Kosovën me Serbinë.

Një pjesë e tyre, pikërisht nëpërmjet këtij masivi pyjor me pisha, që del fill pas Manastirit të Banjskës, sikurse dëshmohet edhe nga pamjet filmike. Por për Nuredin Ibishin, policia nuk ka qenë e interesuar të vrasë asnjë person, por t’i arrestojë ata.

Sipas autoriteteteve kosovare, në këtë përplasje Radoiçiq, i cili mendohet se edhe vetë është plagosur, ka lënë të vrarë disa anëtarë të grupit të tij militar, ku trupat e 3 prej tyre, pasi iu nënshtruan autopsisë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës iu dorëzuan familjeve. Tërheqja e tyre, u pa edhe nga droni. Dy nga të plagosurit janë vendosur në spitalin e qytetit të Novi Pazarit.

Kurse ky trimi Radojiçiç, nuk ka qëndruar aty, pasi ka shumë boshnjakë, por ka shkuar në Beograd të trajtohet. Dhe tani krenohet se ka dashur të mbrojë popullin e tij.

Për ekspertin e sigurisë Kadri Kastrati, arsyeja përse Radoiçiç dhe grupi i tij tërhoqën viktimat dhe të plagosurit e tjerë, është e qartë se ata ishin me shtetësi serbe.

Çka mund ta implikonte shumë rëndë shtetin e Serbisë në këtë ngjarje, në raport me SHBA dhe BE-në.

Ata kanë ikur nga drejtimi nga kanë ardhur, nga Novi Pazar. Aty i ka pritur një autoambulancë. Njëri ka vdekur. Dhe Radoiçiç është drejtuar drejt Beogradit. I gjithë ky operacion terrorist ka ndodhur me ndihmën e shtetit serb. Me dijeninë e presidentit Vuçiç. Sipas raportit të Eulexit dhe Kforit, janë 7 të vrarë dhe 6 të plagosur.

Me ikjen e tyre, ata janë munduar që ti tërheqin të gjithë trupat e vrarë dhe të plagosur, që nuk janë me shtetësi serbe, për të mos lënë gjurmë që Serbia është e involvuar.

Por konsiderata që Presidenti Vuciç ka për Radoiçiq, ka shkuar deri aty sa ti sigurojë një pozitë edhe në Këshillin e Sigurisë në Serbi.

Radoiçiq është parë të ulet në këtë këshill, njësoj i barasvlefshëm si krerët e tjerë të lartë të shtetit serb.

Konsideratë të cilën Presidenti i Serbisë Vuçiç vazhdon ta ruajë për Radojiçiq, për sa kohë që jo vetëm po e strehon në gjirin e tij pas sulmit që ky iu fundit organizoi ndaj policisë së Kosovës, por edhe po e mbron teksa u shpreh për Radio Televizionin e Serbisë, se sulmi ndaj Policisë së Kosovës nuk ishte i planifikuar.

Por, duket se faktet flasin tashmë kundër Vuçiç, pasi Serbia shpalli 3 ditë zie për vrasjen e pjesëtarëve të grupit paramilitar nga policia e Kosovës, teksa ata sulmonin me armë forcat speciale që ishin vënë në ndjekje të tyre.

Për ekspertin e sigurisë Kadri Kastrati, qëllimi i këtij grupimi kriminal ka qenë i qartë: nëpërmjet sulmit të destabilizonin veriun e Kosovës dhe nëse do ia arrinin qëllimin të krijonin një Republikë Srpska në lumin Ibër.

Synimi i tyre ka qenë pjesa veriore e Kosovës, sepse atë e dëshirojnë shkëputjen e saj.

Me humbjen e luftës duan të marrin diçka. Pra të dalin në lumin Ibër….

Unë mendoj sipas analizave të mia se po të kishte sukses ky akt terrorist, në Bosnjë, serbët do vendosnin policinë dhe ushtrinë e tyre në kufi. Për të krijuar botën serbe. Apo Serbinë e Madhe.

Qëllimi kryesor i këtij grupi me në krye Milan Radoiçiç, i cili ka luajtur rolin e Prigozhin në Kosovë, që medemek po e shpëton, ishte për ta ndarë veriun dhe për ta bashkuar me Serbinë. Ne mendojmë që aty ka 2-3 herë më shumë municione se sa ka mud të konfiskojë policia e Kosovës.

Dhe aty armë për të luftuar policinë e Kosovës por edhe Kforin dhe ka armë të mjaftueshmë për të luftuar 2 mijë persona që numëron brigada e Veriut siç thonë ata.

Për Kastratin ajo që ka ndodhur në Banjskë, asesi nuk mund të ketë qenë jashtë vëmendjes së Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciç. Dhe për të, në këtë inskenim të rrezikshëm që ka për qëllim të nxisë një tjetër luftë të përgjakshme në Ballkanin Perëndimor, gisht ka edhe Aleksandër Vulin, shefi i Inteligjencës serbe.

Ky është një trekëndësh Vuçiç-Vulin-Radoiçiç. Vulin si Shef i Inteligjencës serbe, ka qenë më i lidhur në veprimet kriminale me Milan Radoiçiç. Pasi asnjë veprim nuk bëhet pa dijeninë e Presidentit të Serbisë.

Por si është e mundur që një sasi e tillë armatimesh të futet pa u vënë re në territorin e Kosovës?

Pse autoritetet ligjzbatuese në Kosovë kanë bindjen se armët e përdorura gjatë përplasjes me policinë, por edhe arsenali i gjetur më pas brenda Manastirit të Banjskës, është i siguruar nga ushtria e rregullt e Serbisë?

Cilat janë mënyrat që grupet ekstremiste serbe në Kosovë po përdorin për të futur këto armë, qoftë edhe duke u kamufluar?

Ndërkohë që vetëm pak ditë pas u gjend arsenali i parë i armatimeve midis tyre edhe minave antitank, që vlerësohej deri në 5 milion euro armatim, policia e Kosovës gjeti edhe një tjetër arsenal të përmasave të ngjashme.

Ngjarje që i kishin paraprirë përplasjet për Targat dhe protestat e dhunshme për mosnjohjen e zgjedhjeve.

Është gjithmonë një flotë automjetesh të kamufluara me mbishkrimin e KFORIT. Edhe deputetja e Mbretërisë së Bashkuar, doli në një deklaratë se në disa objekte fetare ortodokse serbe ekziston mundësia të përdoren si depo armësh. Por për transport kanë përdorur edhe automjete emergjence, ndihma e shpejtë, zjarrëfikëse, policore ku fshihen armë. Gjithë ky arsenal armësh, shumica kanë hyrë ditën kritike. Largësia me kufirin është 12 km.

Por nga dita në ditë, prova të reja tregojnë se Republika e Serbisë është e përfshirë direkt me të gjitha strukturat e saj, në përgatitjen dhe trajnimin ushtarak, jo vetëm të grupit që sulmoi me armë patrullën e policisë së Kosovës më 24 shtator, por edhe të grupeve të tjera militare.

Vetë ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në dronët që u janë kapur grupit terrorist, janë gjetur edhe pamje filmike se si këta paramilitarë stërviten në bazat ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën.

Ndërsa është mundur të sigurohet edhe pamja filmike e sulmit fillimisht me eksploziv që ata kryen ndaj patrullës së policisë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në pjesën veriore në këto katër komuna serbët kanë pasur një njësit apo brigadë paramilitare që ka qenë e mirëtrajnuar me strukturë komanduese të qartë.

Dhe kjo brigadë apo këto grupe kanë qenë në gjendje gatishmërie.

Që nëse ky grup i parë me Radoçiç, arrinte të kishte sukses dhe të pozicionohej, qëllimi tjetër ka qenë që të ngrihet komplet kjo njësi dhe gjithashtu edhe popullata. Dhe me këtë rast të bëhen 2-3 masakra. Dhe faji ti lihet policisë së Kosovës.

Sipas ish-komandantit të UÇK-së, Nuredin Ibishi, nuk ka asnjë dyshim se Serbia ndjek të njëjtat metoda destabilizuese në rajon, ashtu si edhe Rusia.

Madje për të nuk është e rastësishme që mënjëherë pas sulmit në Banjskë, Presidenti i Serbisë Vuçiç takimin e parë e zhvilloi me ambasadorin rus në Beograd.

Në pamundësi me forca të armatosura, ai po përdor luftën hibride duke infiltruar ekstremistë serbë, që mjund të jenë edhe nga brenda sikur Rusia ka vepruar me Moldavinë… Nuk ka akt më të rëndë se akti terrorist. Janë 2 organizata të shpallura terroriste nga qeveria e Kosovës.

Është Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile. Realisht ka indicie se ka një angazhim të Rusisë. Menjëherë pas këtij akti terrorist, takimi parë i Presidentit Vuçiç ishte me ambasadorin rus në Beograd. o me vendet e Quintit apo me SHBA. Vuçiç po luan rolin e Putinit në Ballkan.

Por edhe pse SHBA dhe BE, kanë bërë thirrje për uljen në dialog dhe tërheqjen e ushtrisë serbe nga kufiri me Kosovën, ku janë të stacionuara 4 mijë trupa ushtarake të rregullta, duket se Serbia nuk ka ndërmend të bëjë progres këtë proces.

Këta kamionë të kthyer përmbys në pjesën hyrëse të Banjskës, të cilët shërbyen si mjete të rënda për bllokimin e rrugës, në sulmin ndaj policisë më 24 shtator, janë edhe njëherë dëshmia se si luftën dhe paqen në këtë pjesë të Ballkanit, i mban larg ende një hendek i thellë.

Ky grup derisa të zhbëhet policia e Kosovës duhet ta ndjekë deri në fund…. Faktori ndërkombëtar duhet të kuptojë se që nga viti 1991. Serbia ka shkaktuar në Ballkan shumë gjakderdhje. Dhe për këtë arsye duhet të kuptojë që pa sanksionimin e Serbisë dhe uljen në tokë të Presidentit Vuçiç, nuk do të ketë paqe në Ballkanin Perëndimor. Dhe këtë duhet ta kenë të qartë SHBA dhe BE.

Por ndërsa burrat e shtetit e kanë të vështirë të gjejnë gjuhën e përbashkët në tavolinën e diplomacisë, shumë fëmijë në botë por edhe në Kosovë, duhet të vazhdojnë ende të vuajnë dhimbjen që shkakton lufta.

Ashtu si Arbenita, vajza e madhe e dëshmorit më të ri të Kosovës, rreshterit të policisë, Afrim Bunjaku, që ëndërr kishte që ajo të ndiqte rrugën e drejtësisë.

Kam shumë krenari por edhe shumë dhimbje që smund ta përshkruaj. Dhe e kam pas shumë të vështirë jetën pa të. Por jam edhe shumë krenare. Unë gjithmonë i kam thënë, dua të ndjek hapin tënd. Të jem një njeri si ti. I drejtë. Me zemër të mirë, të pastër…

Babai im e ka pasur këtë ëndërr që të ndjek rrugën e drejtësië. E kam pasur këshillë nga babai im të bëhem juriste. Dhe ai më ka mësuar….Dhe të vendos drejtësi në vend….

Por siç do qytetar i Kosovës, që do ta shikojë vendin e vet të prosperojë larg luftërave, edhe Arbenita ka një dëshirë, që merr një vlerë kuptimplotë….

Që babai i saj të jetë dëshmori i fundit i Kosovës, dhe asnjë fëmijë të mos vuajë dhimbjen dhe mungesën e prindit, siç ajo dhe familja e saj po e përjeton.

Për babain tim them se ka qenë një njeri i mirë, i urtë, që e ka dasht rrethi familjar. Ka qenë i respektueshëm.

Më duket ende si një ëndërr dhe shpeshherë zgjohem nga ëndrra dhe them o Zot se smundem me e pranue këtë gjë, që duhet të bëhem e fortë e babai e dha jetën për liri. Dhe shpresoj që babai të jetë I fundit, që ka dhënë jetën për këtë vend dhe shpresoj të ketë paqe./BW

Zjarr Tv Ad