Ruajuni nga Rama kur hesht dhe nga Berisha kur flet

0
387
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Lorenc Vangjeli

Janë skaje të një drejtëze. Krejtësisht të ndryshëm në traditë, tipologji dhe mendësi. Ata do të mbeten pas si trashëgimi e këtyre tre dekadave e kusur pluralizëm, njëri si ngulm ecjeje përpara me mëkate të shumta ndërmjet dhe tjetri si autor i mëkatit fillestar në politikë me zigzage të pabesueshme në anë. Njëri dashnor i shqipes së pazakontë, tjetri përdorues i kateve të poshtëm të fjalorit të saj, njëri narcizist kur flet për t’i pëlqyer vetes sepse nuk rri dot heshtur, tjetri që vuan kur hesht duke folur me veten.

Njëri që kur përmend pafund mullarin, ka në mendje strumbullarin, kurse tjetri e di se në mullarin e të ligës që po del në shesh, është strumbullari i parë. Njëri është veprim e lëvizje, tjetri është ideologji e pathos. Njëri unik, por pa ndjekës, tjetri frymë edhe përtej frymës së ndjekësve. I pari rreket t’i ngjajë Imzot Nolit, tjetri ka për idhull Ahmet Beun, ish-Mbret të shqiptarëve. Të ndryshëm për tmerr, Edi Rama dhe Sali Berisha bashkohen vetëm në një pikë: janë dy shqiptarët më të zëshëm të pluralizmit. Ata janë dy të panjohurat e vetme të mëdha, pa të cilat nuk mund të kuptohet kjo pjesëz e historisë moderne të vendit.

Eshtë ende herët për të kuptuar se përmbysja që po ndodh këtë verë në Tiranë e ka të ngjashmen e saj vetëm në dhjetorin e largët 1991, në kohën e përmbysjes së sistemit. Revolucioni që ka nisur një grup prokurorësh me Altin Dumanin në krye, ka në shënjestër një aradhë të pafund dushmanësh të Shqipërisë. Nga ata të politikës dhe të krimit dhe ata që i përkasin edhe politikës, edhe krimit.

Edhe pse shumica dërmuese e shqiptarëve, me rroba banjo e mohito në duar, gëzojnë nën diellin e mrekullueshëm të Mesdheut, një grusht shqiptarësh të “elitës”, po përjetojnë ferrin. Fundi i tmerrshëm për disa dhe tmerri pafund për ata që presin radhën drejt fundit të tmerrshëm, është menyja e papritur për të gjithë. Perëndia jo vetëm që nuk e dëgjoi lutjen: “Bëje, Zot, ëndërr”!, por e ktheu vetë ëndrrën në makth.

Të pafuqishëm për të ndryshuar fatin e tyre, ata thjesht presin t’iu vijë radha dhe në radhë janë të gjithë. Mes tyre gjen të majtë e të djathtë, ministra dhe ish-ministra, anëtarë të gjykatës kushtetuese dhe të lartë, deputetë dhe ish-deputetë, gazetarë të rëndësishëm të politikës dhe dishepuj të kronikës apo edhe biznesmenë që kanë më shumë miliona euro sesa dinë të mbledhin e të zbresin kur bëjnë llogari me gishta.

Gjithë kategoria e njerëzve që e mendonte Shqipërinë si një parajsë për këdo që ishte esnaf dhe kishte bindjen se të qenurit esnaf dhe ligji, ishin sërish dy skaje drejtëzash, kanë marrë provat e para se e kanë pasur krejtësisht gabim. Rama ka sëmundjen e zakontë të çdo lideri shqiptar. Jetëgjatësia në pushtet i ka dhënë largpamësi, por i ka turbulluar shikimin pas shpine. Aq sa është largësia nga karrigia e kryeministrit me karriget e ministrave.

“Klinika okulistike” SPAK e ka bërë tashmë të vetën, ndaj Rama, falë syzeve të reja, tani hesht për të prodhuar në rastin më të mirë dy lajme të këqija: një për njerëzit pranë tij dhe një për kundërshtarët që do ta shohin të rilindur nga e para. Nga Dhërmiu ku ai mbyllet si eremit, me shumë gjasa ka dalluar konturet e një aleance të pabesueshme të ca të vetëve me Doktorin. Një aleancë që në fakt ka nisur shumë vite më parë me pagesën otomane të së dhjetës dhe “xhizjes” nga disa ministra që të mos hynin në gojën e Doktorit dhe që vjeshtë kjo aleancë mund të shkojë deri dhe në aksione konkrete në parlament, aty ku Rama do ta këtë për zahmet të shkojë.

Berisha ka bërë dy herë të njëjtin mëkat. Herën e parë pati fatin e Shën Llazarit që u ringjall jo nga mrekullia e Hyjnisë, por nga një mëkatar si Fatos Nano. Herën e dytë, humbja e tij në 2013-ën që normalisht duhet të ishte shpëtimi, u shndërrua në mallkim. Iku duke qenë brenda. Fali pronën duke mbajtur në xhep hipotekën e saj.

Doli pas perdes, por mbeti në skenë duke i pëshpëritur Lulit në vesh: Ec përpara! Ti je trupi, unë jam shpirti, ti je goja, unë jam fjala, ti je shpata, unë jam krahu! Duke bërë kështu gabimin naiv të llogarisë për sot duke shpresuar se nuk vjen e nesërmja. Berisha nuk kuptonte atëherë se basti për kalin dembel vret kalorësin dhe jo kalin. Ndaj në këtë pjesë të parë të gushtit, Berisha vazhdon të flasë duke fshehur pas gishtit ankthin e tij për skeletët që po i lëvizin në dollapin ku i ka fshehur. Një gjë është e sigurt.

Sot Tirana është si Kievi ku askush nuk di se kur do të sulmojnë raketat dhe se ku do të bien ato. Ka vetëm një ndryshim. Në Tiranë pultet e tyre nuk i ka Putini, por i mbajnë ca dyzina me shqiptarë të mirë, që kuptojnë anglisht. Falë tyre, raketat e të vërtetave ngjethëse që i dinin të gjithë, por nuk i përmendte askush, kanë pikasur objektivat.

Për t’u kuptuar më pas se shqiptarët jo vetëm i kanë vjedhur, por edhe i kanë detyruar t’i duatrokasin grabitësit. Kjo është arsyeja që mban mbyllur këtë gusht shqipen politike të Ramës dhe detyron Doktorin të verojë përpara kamerave duke folur për çdo gjë duke pasur më mend krejt tjetër gjë! Ndaj partnerët dhe kundërshtarët e të dyve duhet të bëjnë një llogari të dyfishtë me atë çfarë nuk thotë njëri dhe atë çfarë bërtet tjetri. Ka ardhur koha. Si në 1991-shin.

Zjarr Tv Ad