Shqiptarët e Burgut të Idrizovës në Maqedoni denoncojnë: Mbahemi në kushte skandaloze, flemë në tokë! Të na ndihmojë shteti shqiptar

0
55
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shqiptarët e dënuar me burgim në Maqedoninë e Veriut, në Burgun e Sigurisë së Lartë Idrizovë, denoncojnë në newsbomb.al kushtet e këqija në të cilat mbahen. Një i dënuar shqiptar nga Pogradeci, thotë se qelitë nuk kanë as kushtet minimale.

Ai ka dërguar pranë redaksisë së newsbomb.al dhe një video që tregon se të burgosurit flenë në dysheme, pasi qelitë e ndara janë mbushur. “Një qeli që është për 3 vetë, qëndrojmë 9 dhe nuk mbushemi dot me frymë”, thotë ai. Por ky nuk është problemi i vetëm.

“Ligji e përmban se na takojnë disa ditë leje për të shkuar në shtëpi, për të takuar familjarët, nuk na e japin. Na takon dhe liria me kusht, edhe këtë nuk na e japin. Higjena është skandaloze. Ushqimi po ashtu, nuk e hanë as qentë e rrugëve”, shkruan i riu, duke dërguar dhe pamjet e një kartoni me bukë që u është dërguar në qeli.

Ai denoncon se në Burgun e Idrizovës janë në dijenin e tij 70 shqiptarë të Shqipërisë, por numri thekson se është më i lartë, nëse llogarit dhe ata të Kosovës e të Maqedonisë së Veriut. “Edhe spitali i burgut nuk ka mjekë, por të dënuarit mbahen me hape qetësuese.”

Denoncuesi thotë se vetë është dënuar me 6 vite burg për transportin e 40 kilogramëve drogë. “E kam bërë për të nxjerrë bukën e gojës. U detyrova nga e keqja, tani jam penduar por nuk më ekstradojnë në Shqipëri të vuajë dënimin në shtetin tonë”, vijon i burgosuri.

Të njëjtin “hall” thotë se e kanë dhe shqiptarët e tjerë, ndaj kërkon të vihen në lëvizje autoritetet shqiptare. “Ju lutemi, vini në dijeni shtetin shqiptar, kryeministrin, presidentin, të bëjnë diçka për fatin tonë”, thuhet në mesazhin që ai ka dërguar në redaksinë e newsbomb.al.

Kushtet e këqija në burgun e Idrizovës në Maqedoninë e Veriut janë konstatuar dhe nga Avokati i Popullit. Naser Zyberi në një deklaratë për mediat, dje më 24 qershor, ka thënë se kushtet në qeli nuk plotësojnë as nevojat minimale. Në një hapësirë 16 m2 me 8 krevate, janë gjetur 16 të dënuar, ka thënë Zyberi.

Më poshtë gjeni videon e të burgosurit nga newsbomb.al:

https://newsbomb.al/shqiptaret-e-burgut-te-idrizoves-ne-maqedoni-denoncojne-mbahemi-ne-kushte-skandaloze-fleme-ne-toke-te-na-ndihmoje-shteti-shqiptar-video/

Zjarr Tv Ad