Shqiptari që kujdeset për të moshuarën serbe që jeton e vetme: Na ka trajtuar si të ishim fëmijët e saj

0
115
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Akoma edhe sot, raportet mes shqiptarëve dhe serbëve, vazhdojnë të jenë të tensionuara, edhe pse kanë kaluar vite nga ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë. Por në një fshat të Prishtinës, ndodh e kundërta, sepse politika, problemet etnike, dallimet fetare, midis fqinjëve nuk ekzistojnë. Për shumë vite, Fadil Rama, kujdeset për të moshuarën 92-vjeçare, që jeton e vetmuar ku nuk ka përkujdesjen e askujt. Ai e ndihmon dhe e nderon atë si të ishte Nëna e tij, ku kjo grua e ka trajtuar atë sit ë ishte fëmija i saj, gjatë periudhës dhe pas periudhës së vështirë që Kosova ka pasur

Blagica Diçiç, është 92-vjeçare që jeton e vetme, në një fshat të largët në lindje të Kosovës, e braktisur nga të gjithë fqinjët e saj serbë. Ajo jeton në një shtëpi të dëmtuar, në malet e fshatit Vaganesh, 45 kilometra larg Kryqytetit të Prishtinës. Atë nuk e viziton asnjë familjar i saj.
“Jam e vetmuar. Djali im Djordje është në Beograd, shumë larg. Slobodani, djali tjetër, është në Kamenicë dhe ka gruan e sëmurë”, është shprehur zonja Diçiç.

Ajo thotë se Djordje nuk ka një dhomë për të në Beograd, ndërsa djali i vogël që jeton në Kamenicë, kujdeset për gruan e paralizuar prandaj Nënën e takon shumë rrallë. Është Fadil Rama, shqiptari që jeton një kilometër larg në fshatin Strezovcë, ai që kujdeset për të.

Askush nga autoritetet lokale, shqiptare apo serbe, nuk kanë ofruar ndihmë për zonjën Diçiç.
E moshuara serbe, nuk e mban mend kur ishte hera e fundit që pa djalin e saj Djordjen, por ajo e quan Fadilin djalin e tretë të saj. “Më ndihmon të ha dhe pi, edhe pse është e kotë sepse unë nuk mundem as të ha e as të pi”, thotë zonja Diçiç, ndërsa është e shtrirë në krevat dhe e mbuluar me dy batanije.
Ndërsa dimri afron, shëndeti i saj përkeqësohet. Të gjithë serbët që jetonin në fshatin Vaganesh para viteve 98-99 janë larguar. Rreth 50 shtëpi të brakstisura po shkatërrohen ngadalë.
I fundit që u largua nga fshati ishte djali i zonjës Blagica, Slobodani. Zoti Rama mban kontakt të vazhdueshëm me të, për ta informuar rreth shëndetit të Nënës.

“Ajo ishte grua aq e mirë gjatë dhe pas periudhës së vështirë që Kosova ka kaluar, duke na trajtuar si fëmijët e saj”, thotë shqiptari që është pronar i një dyqani të vogël ushqimesh. Ai e njeh zonjën Diçic, që kur ishte fëmijë. Ajo u jepte sheqerka fëmijëve të Strezovcit.“Kur e pashë që ngeli e vetme, u ndjeva shumë keq dhe mendova që t’ia kthej të mirat”, ka thënë ai. Zonja Diçiç merr 60 euro në muaj si pension, shumë kjo e pamjaftueshme për të.

Që nga marsi kur shpërtheu pandemia, zoti Rama sjell ushqime për të dy herë në javë. Ai nuk pranon asnjë ndihmë financiare nga askush, sepse nuk do të lërë përshtypjen se po e ndihmon për përfitime.
Një herë në muaj, ai mundohet të pastrojë dhomën dhe rrobat e saj. Rama ndez sobën të cilën zonja Blagica, nuk mund ta ndezë vetë dhe qëndron për të përgatitur një gjellë për të.

Shqiptari nuk frikësohet se ndihma e tij, mund të shkaktojë probleme etnike apo fetare, meqenëse është një mysliman shqiptar që ndihmon një grua ortodokse serbe. Kanë kaluar më shumë se 20 vite, raportet mes shqiptarëve dhe serbëve janë të tensionuara, edhe pas fillimit të bisedimeve në Bashkimin Evropian më 2011. “Në fshatin tim, të gjithë më kanë mbështetur që po kujdesem për një serbe të moshuar, sikur të ishte e jona”, shprehet  Fadil Rama.

Pasi mësuan veprimet e tij, disa barinj lokalë vazhdimisht kontrollojnë gjendjen e të moshuarës serbe. “Asnjëherë nuk na ka interesuar politika e Beogradit apo e Prishtinës. Ne gjithmonë kemi ndihmuar njëri-tjetrin. Por përsëri, politika e Beogradit e shkatërroi atë. Autoritetet paralele serbe, kishin thënë se do t’i sillnin ushqim dhe se nuk ka nevojë për ndihmën e Fadilit. Por nuk kemi dëgjuar prej tyre, prandaj unë sjelli ushqime sepse ata nuk kanë ardhur fare. Këto janë gënjeshtra. Ata nuk sollën asgjë”, thotë Fadili.

Ai i ka dhënë fjalën Sllobodanit se do të kujdeset për nënën e tij deri në frymën e saj të fundit.

Zjarr Tv Ad