Gjatë ditës së nesërme Kuvendi i Shqipërisë fillon diskutimet mbi amendamentet ligjore të paraqitura nga Lëvizja Socialiste për Integrim, reflektuese të kërkesave të studentëve.
Lidhur me këtë çështje, deputetja e LSI, Floida Kërpaçi, tha sot se amendamentet e paraqitura nga LSI në dhjetor të vitit të kaluar japin zgjidhje të menjëhershme dhe konkrete të gjitha kërkesave të studentëve, të cilët gjenden në ditën e 54 të protestës së tyre.
Sipas saj, e vërteta është se Kryeministri i ka mashtruar turpësisht studentët duke thënë se ka plotësuar kërkesat e studentëve, ndërsa ka mashtruar se ka alokuar fond për arsimin e lartë, si dhe ka mashtruar se ka rikonstruktuar godinat e konvikteve.
“Ka mashtruar përmes paktit 3D të Universitetit. Çdo veprim i deritanishëm i Kryeministrit Edi Rama ka qenë fasadë e turpshme dhe synim i errët për të shuar protestën, dhe uzurpuar mendimin e lirë në auditoret universitare dhe lirinë akademike.
Konfirmimi se kërkesat e studentëve nuk janë plotësuar dhe situata anormale në arsimin e lartë vazhdon erdhi dhe nga Asambleja e pedagogëve, të cilët jo vetëm mbështesin kërkesat e studentëve, por kanë parashikuar që edhe ata vetë të nisin një grevë nëse qeveria nuk reflekton brenda javës”, u shpreh Kërpaçi.
Ajo vijoi duke thënë se ndërkohë që studentët nuk kanë mundësi të paguajnë tarifat e larta, Kryeministri hap ekspozitë me pikturat e tij
Sipas saj, studentët nuk kanë libra, nuk kanë konvikte, duhet të kenë tualete, por Kryeministri shkon hap ekspozitë me pikturat e tij.
“Studentët nuk kanë bibliotekë, nuk kanë Kartë Studenti, por meraku më i madh i Kryeministrit është të shkojë të hapi ekspozitë”, tha në mbyllje deputetja e LSI.