Të çlirojmë konkurrencën nga kapja përmes ligjeve klienteliste

0
27
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

ZEF PREÇI

Tipari më i dukshëm i për bashkët i kontratave të llojit PPP dhe “Shqipëria 1 Euro” është kontraktimi nga qeveria në mënyrë të drejtpërdrejtë i operatorëve ekonomikë, duke shmangur kështu konkurrencën, që ishte, është dhe mbetet kudo në vendet e botës demokratike motori i zhvillimit dhe i progresit ekonomik e shoqëror.

Përtej faktit që Shqipëria prej tri dekadash është një vend i hapur dhe relativisht i integruar ekonomikisht me botën, përsëri një numër vendimmarrjesh ekonomike të qeverisë janë të krahasueshme me vitet e para të hapjes së vendit për investimet, tregtinë dhe liberalizimin e çmimeve. Ndër këto vendimmarrje po veçoj vetëm dy prej tyre: pranimin e “ofertave të pakërkuara” dhe ofrimin e aseteve të ndryshme dhe pasurive të vendit në formën e programit të njohur si “Shqipëria 1 Euro”

Është një fakt i njohur që përmes “ofertave të pakërkuara” është kanalizuar futja e kapitalit privat në infrastrukturën publike të trajtimit të mbetjeve urbane, komunikacionit, shëndetësisë etj. Kjo është bërë kryesisht nën mbulesën e pamundësisë financiare të shtetit për të kryer investimet në këto sektorë, duke presupozuar që investitori privat zotëron përvojën e duhur, kapacitetet e nevojshme teknike dhe burimet e veta financiare dhe kështu, shërbimet publike përkatëse do të kushtonin më lirë dhe qytetarët do të shërbeheshin më mirë.

Në të vërtetë, kjo formë investimi, që gjatë dekadës së fundit ka marrë formën e një agresioni të vërtetë ndaj gjithçkaje publike, jo vetëm ka rezultuar financiarisht kundërproduktive (kostot e shërbimeve janë rritur), por është lehtësisht e verifikueshme që shumica e kompanive të përzgjedhura nga qeveria shqiptare për të ofruar këto shërbime janë kompani të krijuara posaçërisht për këtë qëllim; ato zotërohen nga kompani të tjera guaska, pronarë anonimë edhe/ ose janë të regjistruara në zonat offshore, nuk kanë pasur përvoja të mëparshme dhe as kapitalin e nevojshëm për të kryer investimin fillestar; kanë hartuar vetë projekte investimi të fryra, gjë që ka çuar në rritjen e kostove të shërbimit; janë pjesë e skemave gjigante të evazionit fiskal/mospagimit të TVSHsë; shpenzojnë shuma të konsiderueshme fondesh në shërbime konsulence fiktive etj.

Nëse shumica prej tyre, në mos të gjitha, kanë lidhje të dukshme dhe të padukshme me politikanë të lartë edhe/ ose me enturazhin e tyre, një numër kontratash të tilla pa dyshim që kanë mundësuar dhe po lehtësojnë edhe penetrimin në sektorin publik të parave të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në fazën e sotme të zhvillimit të vendit, procesi i pastrimit të parave, përveç përfshirjes së njohur në prokurimet publik, në sektorin e ndërtimit, lojërave të fatit, etj., po i shndërron paratë e krimit të organizuar dhe korrupsionit edhe në borxh publik, mbasi investimet në kontratat e llojit PPP do të vazhdojnë të paguhen nga taksat e qytetarëve shqiptarë edhe për vitet dhe dekadat që vijnë. Nuk mbeten jashtë këtij trendi rrënues për ekonominë kombëtare edhe disa bashki të vendit, por nuk është ky objekti i këtij shkrimi.

Sa u takon investimeve të llojit “Shqipëria 1 Euro”, dëshiroj të ndalem vetëm në pak aspekte, tek ato më të dukshmet për syrin e cilitdo qytetar, votues e taksapagues i vendit tonë. Kështu, përtej deklaratave për “perspektivën e zhvillimit të këtij apo të atij sektori përmes investitorëve të përzgjedhur nga qeveria”, të cilit ajo i dhuron gati falas asete të rëndësishme publike, shihet qartë se interesi i këtyre të fundit është vetëm toka apo trualli, mbi të cilin ishte ngritur ndërmarrja apo institucioni i trashëguar nga periudha e regjimit komunist, ndërsa planet e “zhvillimit” vlejnë vetëm sa për një kronikë lajmesh televizive se në shumicën e rasteve harrohen që të nesërmen.

Duke shmangur komentin mbi rolin kushtetues të Kuvendit të Shqipërisë, dëshiroj të referoj vetëm rolin e Autoritetit të Konkurrencës ose ndryshe agjencisë antimonopol, tek e cila kam pasur fatin të kontribuoj personalisht në fillimet e saj. Ndër funksionet bazë të këtij institucioni është parashikuar në ligj që “Me kërkesën e komisioneve te Kuvendit, jep vlerësime për ç’ështjë që lidhen me konkurrencën dhe legjislacionin në këtë fushë”

“U jep vleresime dhe rekomandime organeve të administratës qendrore e vendore dhe institucioneve të tjera publike, shoqatave tregtare, sindikatave, shoqatave të konsumatorit, dhomave të tregtisë dhe të industrisë, për çështjet që lidhen me konkurrencën” (pikat e) dhe f) te Neni 24 – Detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit të Konkurrencës) E përmenda këtë referencë ligjore për të thënë se me asistencën e BE-së, vendi ynë ka përshtatur dukshëm kuadrin e vet ligjor, por zbatimi në praktikë i këtij kuadri, për fat të keq, po ecën në kahjen e kundërt. Le ta konkretizojmë këtë konstatim me një rast vendimmarrjeje të tillë.

Siç dihet, qeveria shqiptare ka shpallur që Porti i Durrësit do të jetë Dubai i Mesdheut, që ky port do të jetë më i madhi në Mesdhe dhe, sipas Kryeministrit, njerëzit më të pasur në botë do të ankorojnë jahtet e tyre në Durrës e për shkak të kësaj, ata do të kërkojnë edhe shërbime luksi. Çfarë e pengon Kuvendin e Shqipërisë të ushtrojë detyrën e vet kushtetuese për të kërkuar vlerësime institucionale të rregullatorit në lidhje me konkurrencën (sepse bëhet fjalë për një kontratë shtetërore, që do ta kishte lakmi cilido monark në vendet më të prapambetura të botës)? Nuk po them që qeveria dhe pushteti vendor duhet të kenë përgjegjshmërinë kushtetuese dhe ligjore qe të konsultojnë rregullatorin përkatës sektoral dhe vetë Autoritetin e Konkurrencës sa herë që vendimet e tyre cenojnë apo vlerësohet se cenojnë në të ardhmen konkurrencën, ashtu sikurse dhe ky i fundit mund dhe duhet të jetë aktiv për të kontribuar që ekonomia jonë kombëtare të çlirohet nga skllavëria e vendim-marrjeve të tilla klienteliste të qeverisë, madje edhe me dyshim të bazuar për favoritizëm.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vendimmarrjen qeveritare për investime të tjera me ndjeshmëri të lartë publike, si në infrastrukturën publike, energjetike etj., që ishin dhe mbeten thjesht vendime politike, ekonomikisht të paargumentuara, domethënë favore për lobet dhe kompanitë guaska offshore apo për kompani që thjesht gëzojnë mbështetje politike, qoftë kjo edhe ndërkombëtare, por që veprimtaria e tyre nuk përputhet me interesin e qytetarëve shqiptarë aktualisht dhe në perspektivë.

Duke marrë shkas nga këto zhvillime po rendis disa sugjerime modeste për elitën politike në pushtet dhe në opozitë: Të ndalohen për një periudhe kohe, të paktën për 10 vjet, pjesëmarrja e kompanive offshore dhe të gjitha “propozimet e pakërkuara” në prokurimet publike dhe në çfarëdo forme të kontratave publike në territorin e vendit. Të ndalohet përgjithmonë vazhdimi i programit “Shqipëria 1 Euro”. Avokati i Shtetit, mbi bazën e raporteve specifike të performancës, të rekomandimeve të KLSH, të analizave të riskut nga Open Data Albania apo të denoncimeve të masmedias të rishikojë dhe të kërkojë pezullimin e kontratave të llojit PPP, të atyre që janë të dyshuara për korrupsion dhe eventualisht të amendojë kontratat e tjera që janë në zbatim e sipër, në të cilat ka dyshim të bazuar se nuk është respektuar pariteti i palëve dhe është cenuar interesi publik.

Autoriteti i Konkurrencës të raportojë çdo tre muaj për një periudhë prej dy vitesh në vijim në Kuvendin e Shqipërisë mbi shqyrtimin dhe vlerësimin e legjislacionit aktualisht në fuqi që prek konkurrencën duke formuluar dhe bërë publike edhe rekomandimet përkatëse për institucionet sht etërore përgjegjëse. Qeveria qendrore dhe vendore si dhe institucionet rregullatore të tregjeve të konsultojnë paraprakisht në mënyrë të detyrueshme çdo akt që kufizon apo cenon konkurrencën dhe rekomandimet përkatëse të përfshihen në tërësinë e dokumenteve të detyrueshme për një procedurë të caktuar, si dhe të jenë të hapura për publikun e gjerë, masmedian dhe palët e tjera të interesuara.

Zjarr Tv Ad