Thaçi: Së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve

0
2

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se vendimi për shpërndarjen e parlamentit do të përshpejtojë hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme.

Në një postim në Facebook, Thaçi shkruan se është në interes të qytetarëve kosovarë që të krijohet sa më shpejt një qeveri funksionale.

Ai shton se zgjedhjet duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces demokratik.

Thaçi thekson se pavarësisht shpërndarjes së Parlamentit, Republika e Kosovës vazhdon t’i ketë institucionet funksionale dhe te qëndrueshme, për të garantuar vazhdimin e punës së institucioneve në përmbushjen e nevojave të qytetarëve.

Postimi i plotë:

Shpërndarja e sotme e Parlamentit të Republikës së Kosovës, përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re.

Tani është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri.

Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.

Këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore.

Pavarësisht shpërndarjes së Parlamentit, Republika e Kosovës vazhdon t’i ketë institucionet funksionale dhe te qëndrueshme, duke garantuar vazhdimin e punës së institucioneve në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës. HTH