“U tërhoqa nga PD pasi kuptova që kishte një biznes politik”, Isufi: Këlliçi-Veliaj, kandidatë të lidhur me një …

0
50
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pedagogu i Arteve Ardian Isufi tha se është tërhequr nga angazhimi në PD, pasi kuptoi që kishte një biznes politik mes të majtës dhe të djathtës. Duke folur në emisionin “Stay Tuned” Isufi tha se “foltorja” ishte fillimisht element emancipues dhe hapjeje, por tashmë sipas tij nuk ka mundësi të militosh në PD përmes konkurrencës së hapur.

Marrëdhënia ime me PD ka nisur shumë herët, nga një qëndrim individual i djathtë. Duke pasur parasysh që individi e fuqizon shoqërinë, e kundërta e të majtës që shoqëria fuqizon individin, më ka bërë me një qëndrim të qartë djathtas. Ky ka qenë fillimi i bashkëpunimit tim me PD. Ishte një moment shpresëdhënës para 8 vitesh, momenti kur menduam që ndoshta edhe PD apo e djathta në tërësi do rishikonte pikëpamjet e saj. Kuptuam më vonë që është thjesht një biznes politik që ndodh mes të majtës dhe të djathtës.

Në këtë kontekst jam i tërhequr nga PD. Kam dalë publikisht dhe e kam thënë qartë, që formati i konkurrimit në PD është mpakur, të mos themi që është mbaruar. Kjo dëmton në radhë të parë demokratët. Dëmi që po u bëhet demokratëve lidhet me aspiratat e 90-ës, atë idenë të një ‘liri demokraci’, që këtu te ne u shndërrua në më shumë korrupsion. Një lidership që u ngjan hijeve të diktaturës, që për mua ndodh në të gjithë politikën. Mendoj që një politikan me sqimë politike duhet të kuptojë mirë kohën e tij.

Foltorja fillimisht ishte element emancipues, që dukej sikur kishte moment hapje, por u pa që edhe foltorja shkoi në të njëjtin shtrat dhe taktikë politike që ka shumë vite që lideri historik i PD, ashtu edhe liderat e rinj ndoqën një taktikë, që hoqën zërin e lirë, për t’i dhënë mundësinë që të militosh brenda PD-së përmes një konkurrence të hapur. Problemi më i madh që ka sot PD është se publiku s’e di akoma sa anëtarë ka. Ideja e përzierjes së anëtarësisë me simpatizantët më shumë e ka çorientuar situatën”.

Duke folur për garën Këlliçi-Veliaj në bashkinë e Tiranës, Isufi tha se ndoshta do të duhej që qytetarët të mos votonin me kandidatë të tillë, pasi nuk kanë lidhje me qytetarin, por me konceptin e oligarkisë, ku të gjithë janë bashkë.

I gjithë momenti i zgjedhjes së kandidatit nga PD duhet të ishte parë me sy më të mençur. Ndoshta mund të kishte kandidatë më potencialë për të thithur votën e qytetarëve të Tiranës. Unë mendoj që duhet të kishin dalë emra të rinj, t’i jepnin një sinergji të re Tiranës. Ne e dimë çfarë do ndodhë. Në Tiranën e nesërme do ketë më shumë beton, në një kuptim që lidhet me interesa të ngushta të grupimeve të caktuara. Mendoj që të dy këta kandidatë janë pjesë e kësaj historie. Ndoshta do ishte momenti i parë, që të pasohej në zgjedhjet e përgjithshme, ndoshta mund të duket idealiste, që qytetarët s’duhet t’i votojnë më këta. Këta njerëz s’kanë lidhje më me qytetarin, kanë lidhje me një koncept oligarkie ku janë të gjithë bashkë”.

Zjarr Tv Ad