Vendimi i Qeverisë: Policia mund të ofrojë shërbime shtesë me pagesë në kinematografi, shoqërim apo ruajtjen e investitorëve strategjikë

0
52
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Policia e Shtetit do të ofrojë shërbime shtesë kundrejt pagesës, sipas një vendimi të qeverisë të miratuar sot, që përcakton llojet e shërbimeve që mund të ofrojnë blutë.

Shërbime do të ofrohen për personat juridikë e fizikë, publikë, që parashikojnë mbrojtjen e tyre në raste të veçanta, por edhe për situata të tjera si shërbime për kinematografinë apo shoqërimin e mjeteve që transportojnë lëndë të rrezikshme.

Aplikimi për të kërkuar shërbimet e policisë do të bëhet në e-Albania.

Sipas VKM-së, policia ofron shërbime shtesë kundrejt pagesës për aktivitete të ndryshme kulturore; përdorim të uniformës së Policisë së Shtetit, armëve me fishekë manovre e pajisje të tjera në fushën e kinematografisë, shoqërimin e automjeteve që transportojnë mallra të rrezikshme; ruajtjen dhe sigurimin e përkohshëm për një periudhë deri në 3 muaj ndaj personave juridikë publikë me rëndësi strategjike, aktiviteti i të cilëve vlerësohet në rrezik, si dhe ndaj personave juridikë privatë që kanë përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.

Të ardhurat e përfituara do të shkojnë 90% për Policinë e Shtetit dhe 10% për buxhetin e shtetit.

VENDIMI:

MIRATIMIN E LLOJEVE TË SHËRBIMEVE SHTESË QË OFRON POLICIA E SHTETIT DHE TARIFAVE TË PAGESËS PËR PERSONAT JURIDIKË E FIZIKË, PUBLIKË OSE PRIVATË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 81, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Policia e Shtetit ofron shërbime shtesë kundrejt pagesës për persona juridikë e fizikë, publikë ose privatë, në bazë të kërkesës së tyre, për:

a) mbështetje në zhvillimin e aktiviteteve kulturore, kombëtare dhe ndërkombëtare, si: panaire, ekspozita, teatro, koncerte, shfaqje, festivale të ndryshme, në mjedise të hapura dhe të mbyllura publike, si dhe gjatë zhvillimit të aktiviteteve sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, në rastet kur organizatorët e këtyre aktiviteteve nuk janë pajisur me vërtetim sigurie nga Policia e Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.19/2016, “Për masat shtesë të sigurisë publike”, me sigurimin fizik privat, për të ruajtur sigurinë brenda perimetrit të zhvillimit të aktivitetit;

b) vënien në përdorim të uniformës së Policisë së Shtetit, armëve me fishekë manovre, pajisjeve të tjera, mjeteve të loguara policore dhe ambienteve, në fushën e kinematografisë, gjatë zhvillimit të xhirimeve filmike;

c) shoqërimin e automjeteve që transportojnë mallra të rrezikshme, në rastin e kushteve shtesë të sigurisë, sipas ligjit nr.118/2012, “Për transportin e mallrave të rrezikshme”, e të mjeteve jashtë norme dhe transporteve në kushtet jonormale, sipas përcaktimeve të neneve 10, 61 dhe 62, të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë;

ç) ruajtjen dhe sigurimin e përkohshëm për një periudhë deri në 3 (tre) muaj ndaj personave juridikë publikë me rëndësi strategjike, aktiviteti i të cilëve vlerësohet në rrezik, si dhe ndaj personave juridikë privatë që kanë përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, sipas ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

2. Tarifa për shërbimet e parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi, është sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Subjektet juridike e fizike, publike ose private, që kanë nevojë për shërbime policie shtesë, paraqesin kërkesë të argumentuar on-line nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-albania”, jo më vonë se tri ditë përpara datës së shërbimit të kërkuar. Pas vlerësimit të kërkesës, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve, subjektit i kthehet përgjigje on-line nëpërmjet portalit unik qeveritar “e- Albania” për miratimin ose refuzimin e kërkesës dhe i dërgohet kontrata e ofrimit të shërbimit, e cila nënshkruhet nga titullari i njësisë shpenzuese, që ofron shërbimin.

4. Të ardhurat, që realizohen nga kryerja e shërbimeve shtesë të përcaktuara në këtë vendim, përdoren në masën 90% nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe trajtohen si të ardhura jashtë limitit me qëllim përdorimin e tyre për të përballuar mbulimin e shpenzimeve të kryera për ofrimin e shërbimit, sipas këtij vendimi, dhe 10% derdhen në buxhetin e shtetit. Këto të ardhura nuk mund të përdoren në asnjë rast për shpërblim.

5. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Zjarr Tv Ad