Zef Brozi tregon tmerrin: Sali Berisha dhe ShIKu donin të më rrëmbenin dhe zhduknin, ja kush më shpëtoi

0
1270
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Me ambasadorin Joseph Edward Lake që erdhi në Shqipëri pas Ryersonit u njohëm në periudhën e vështirë kur lufta ndaj Gjykatës së Kasacionit dhe terrori shtetëror ndaj meje si kryetar i saj u bënë haptazi dhe me egërsi tmerruese diktatoriale.

President Berisha kishte vendosur ta vinte plotësisht nën thundrat dhe kontrollin e tij gjyqësorin dhe ta përdorte atë  për interesat e tij personale e politike. Ndërsa unë dhe disa gjyqtarë të tjerë të motivuar nga vizioni ynë për një gjyqësor të pavarur dhe për një drejtësi të barabartë për të gjithë sipas ligjit, po i rezistonim me aq sa mundnim ndërhyrjeve e sulmeve brutale të pushtetit Berishian.

Natyrisht për të huajt, pra edhe për disa ambasada në Shqipëri, nuk ishte e lehtë të kuptonin atë që po ndodhte në betejën e ekzekutivit kundër Gjykatës së Kasacionit edhe për shkak të dizinformimit të qëllimshëm të pushtetit Ekzekutiv.  Aq më tepër kur pothuajse mungonte media dhe shtypi i pavarur dhe pushteti mashtronte lehtësisht shqiptarët, të huajt dhe institucionet ndërkombëtare në Shqipëri, në Europe dhe në Amerikë.

Në takimet që pata më ambasadorin Lake e kuptoja shqetësimin e tij për cfarë po ndodhte dhe dëshirën e tij që situata të qëtësohej e normalizohej.  Shtëpia e Bardhë dhe vetë Presidenti Klinton nga informacioni që merrnin nga burime të ndryshme e kishin kuptuar se Berisha po dhunonte gjyqësorin e sidomos Gjykatën e Kasacionit, që ishte e vetmja shpresë në ato vite për njëfarë pavarësie nga diktatet dhe ndërhyrjet e pushteteve të tjerë dhe politikës.

Unë u jam mirënjohës Presidentit Klinton, këshilltarit të tij në Këshillin e Sigurisë Kombëtare Richard Schifter, Ambassadorit Lake dhe personelit të Ambasadës Amerikane (sidomos Carl Siebentritt) për mbështetjen e madhe që dhanë në betejën për pavarësinë e gjykatave dhe për të më shpëtuar jetën e rrezikuar nga terrori berishian.

Carl Siebentrit ka qenë prezent dhe ka parë vetë rrethimin e Gjykatës së Kasacionit me SHIKAS e policë në mbrëmjen e pabesë të 21 Shtatorit 1995 kur unë isha në zyrë dhe parlamenti me urdhër të Berishës dhe me vota të fallsifikuar e duke dhunuar Kushtetutën më shkarkoi si gjyqtar e kryetar i Gjykatës së Kasacionit.

Ai erdhi në apartamentin tim edhe kur heret në mëngjesin e së Shtunes me 4 Nëntor 1995 SHIKU, policia dhe bandat kriminale të presidentit Berisha rrethuan pallatin ku unë kisha apartamentin dhe tentuan të më rrëmbenin e zhduknin në “drejtim të paditur nga persona të paidentifikuar”.

Vetëm në saj të mbrojtjes që na u dha nga qeveria amerikane, institucionet nderkombetare dhe ambasada Amerikane, plani kriminal i Berishës dështoi. Me 12 Nëntor 1995 nën kujdesin e qeverisë së ShBA-s dhe nën mbikqyrjen direkte të Carl Siebentritt derisa u nis avioni, unë dhe bashkeshortja ime Diana u larguam nga Shqipëria dhe erdhëm në Amerikë ku na u dha statusi i të persektuarit politik e më pas shtetësia amerikane.

Edhe si shtetas amerikan unë ndihem shumë krenar me ambasadoren e nderuar Yuri Kim dhe gjithë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë shërbyer në Shqipërinë tonë të dashur. Unë përzemërsisht u them: SHUME FALEMINDERIT!

Zjarr Tv Ad