Asambleja e FSHF, Duka: Sot merren vendime për fatet e futbollit shqiptar

0
28

Në hapje të Asamblesë së 7 të Përgjithshme Zgjedhore në Federatën Shqiptare të Futbollit, presidenti Armand Duka u shpreh se sot merren vendime për fatet në vijim të futbollit shqiptar. “Duhet të fitojë futbolli. Të gjithë bashkë mund ta çojmë përpara progresin e deritanishëm. Kam bindjen e palëkundur që kjo asamble do t’i japë një shtysë akoma më të madhe ambicieve tona. Sot merren vendime për fatet në vijim të futbollit shqiptar”, u shpreh Duka. Armand Duka, presidenti aktual i FSHF-së, do të jetë një nga kandidatët dhe përballë tij do të jenë deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, dhe ish-arbitri i futbollit, Shpëtim Halo. Presidenti i ri zgjidhet me 2/3-at e votave, e në rast balotazhi, më pas do të mjaftojë shumica e thjeshtë (50%+1) për të shpallur presidentin. Që nga koha kur në Federatën Shqiptare të Futbollit, organet drejtuese zgjidhen në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nga politika, vetëm një herë procesi zgjedhor ka kaluar në balotazh. Bëhet fjalë për vitin 2002, kur u zgjodh për herë të parë në krye të FSHF-së, Armand Duka, të cilit për të mundur rivalin e tij Mehdi Bushati iu desh të kalonte në balotazh. Por, nëse në zgjedhjet e kaluara presidenti aktual u zgjodh thjesht me duartrokitje, pasi nuk pati rivalë, në këtë fushatë, gara ka qenë e fortë. Statusi i politikanit të kandidatit Fino ka sjellë akuza nga rivali i tij Duka për ndërhyrje politike, por UEFA dhe FIFA kanë kërkuar herë pas here që procesi t’i përmbahet rregullores sportive. Edhe për këtë arsye, dy organizmat më të mëdha të futbollit europian dhe botëror kanë sjellë përfaqësuesit e tyre pasditen e së martës, për të qenë të pranishëm në Asamblenë Zgjedhore dhe, siç thonë edhe ata vet, urojnë që të shohin një proces zgjedhor demokratik. Ndërkohë, pas përfundimit të procesit zgjedhor për president, në Asamble do të zhvillohet votimi për 9 vendet e Komitetit Ekzekutiv, e për këto vende janë në garë 23 kandidatë.