Atentati në Vlorë, si i shpëtoi vdekjes në makinë miku i Refit Toros

0
932
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Autori i atentatit të dy netëve më parë në zonën e Skelës në Vlorë, dyshohet se është vrasës profesionist dhe me pagesë. Ai e ka organizuar krimin në mënyrë të tillë, duke mos lënë asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes, madje as gëzhojat.

Sipas policisë, autori ka përdorur pistoletë të vjetër me mulli. Kjo për grupin hetimor vështirëson zbardhjen e ngjarjes, pasi gëzhojat ngelin në armë kur e shkrep dhe nuk lënë gjurmë. Ndërkaq, grupi hetimor ka marrë në pyetje dëshmitarin e vetëm të ngjarjes, i cili është përballur me autorin.

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se bashkë me viktimën Refit Toro, ka qenë edhe një mik i tij, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Ky i fundit ka qenë në vendin e parë të pasagjerit. Makina “Mitsubishi” ka qenë e ndaluar teksa 32-vjeçari Toro po fliste në telefon. Në sajë të dëshmisë së dhënë nga miku i Toros, atentatori është afruar i kamufluar me kapele fillimisht në krahun e pasagjerit.

Ai ka hapur derën me shpejtësi dhe me armën te koka e ka nxjerrë atë forcërisht jashtë. Kjo shihet edhe te pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë, ku miku i Toros, madje, në një moment është rrëzuar. Në gjendje paniku, duke menduar se personi do ta qëllonte atë, ai ka tentuar të largohet me vrap.

Por objektivi ka qenë Refit (Jetnor) Toro, ndaj autori i ka drejtuar atij armën duke e qëlluar pesë herë. Ngjarja ka rrjedhur aq shpejt, sa 32- vjeçarit nuk i është lënë kohë të manovrojë për vetëmbrojtje. Dy nga pesë plumbat e kanë prekur atë në trup, njëri në qafë dhe tjetri në bark, çka i ka marrë jetën.

Burime nga Policia e Vlorës bënë të ditur dje edhe kronologjinë e ngjarjes. Autori, i cili ka kryer krimin, dyshohet se e ka ndjekur çdo lëvizje të Refit Toros. Për këtë shkak, policia po verifikon edhe itinerarin që ka pasur viktima, nga ku nëpërmjet kamerave të subjekteve do të studiohet nëse mjeti ka qenë në ndjekje.

Sipas dëshmive, por edhe pamjeve të kamerave të sigurisë që janë parë deri më tani, Toro ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij “Mitsubishi”, me targë AA 606 ID, në bulevardin Vlorë- Skelë.

Pasi ka bërë rrethrrotullimin në zonën e Skelës, ai ka ecur në rrugën përballë universitetit, për t’u kthyer sërish në fund, përballë një karburanti. Ka ndaluar disa metra larg karburantit dhe ka qëndruar për rreth 20 minuta në makinë të pozicionuar dysh e i paparkuar plotësisht.

Në momentin kur është qëlluar, ai ka qenë duke biseduar në telefon. Më pas shihet autori që largohet me vrap, duke humbur rrugicave. Dyshohet se bashkë me të mund të ketë qenë edhe një person tjetër, i cili mund ta ketë mbajtur në vëzhgim situatën prej së largu. Policia do të verifikojë edhe tabulatet për të identifikuar personin me të cilin po fliste viktima dhe dyshimin nëse ai mund ta ketë nxjerrë atë në pritë.

Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, 32-vjeçari ka qenë në vëzhgim nga policia disa herë, pasi dyshohej se merrej me trafikun e drogës. Ky dyshim bazohej edhe në faktin se ai ka qenë më parë i dënuar në Itali.

Gjithashtu, në këtë shtet rezulton të ketë qenë i dënuar për grabitje me 4 vjet dhe 8 muaj. Për shkak të precedentëve në Itali, ku ai ka jetuar për shumë vite, dyshohet se ai ka ndërruar disa herë identitetin.

Zjarr Tv Ad