SCHULZ JEP DORËHEQJEN, SHKAK DEBATET E BRENDSHME NË SPD

0
46

Kreu i socialdemokratëve gjermanë, Martin Schulz ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, në një lëvizje me efekt të menjëhershëm që pason ditë të tëra debatesh brenda forcës politike të drejtuar prej tij. Në shpjegimin e shkurtër të dorëheqjes, ish-kandidati i pasuksesshëm i SPD-së për Kancelar, njëkohësisht ish-kryetar i Parlamentit Europian, u shpreh se partia ka nevojë për një “ripërtëritje”. “Përjetova në këtë pozicion ulje-ngritje të forta, nga ato që janë të rralla në politikë”, u shpreh Schulz, duke shtuar se shpreson që kjo lëvizje do të ndihmojë unitetin e partisë, e të lejoje një debat mbi përfitimet e një koalicioni tjetër të madh me kristiandemokratët e Angela Merkelit, përpara votës së anëtarëve të partisë, më vonë gjatë muajit. E vërtet SPD-ja në këto momente duket se unitet nuk ka shumë. Trazirat nxorën krye sërish gjatë diskutimeve se kush duhet ta zinte vendin e lënë bosh. Me shpresën se caktimi i saj do të sjellë stabilitet, një pjesë e udhëheqësisë kërkoi vendosjen e ish-ministres së Punës, aktualisht kryetare e grupit parlamentar socialdemokrat në Bundestag, Andrea Nahles, por pati edhe kundërshtarë të idesë që këmbëngulnin në caktimin e njërit prej zëvendësve të Schulzit. Në fund, kandidatura e Nahles e mori pëlqimin, por e ardhmja e saj do të varet nga rezultati i votës së anëtarëve të partisë. Po të zgjidhet në këtë post, Andrea Nahles do të ishte gruaja e parë që do të drejtonte SPD-në në historinë e saj 150-vjeçare. Kryetari i Bashkisë së Hamburgut, Olaf Scholz, i cili mendohet se do të marrë postin e ministrit të Financave në qeverinë e ardhshme, do të drejtojë në mënyrë provizore partinë deri më 22 prill.