12 ditë pas tërmetit, Manza në kaos! Banorët e vendosur në kontenierë

0
99
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kanë kaluar 12 ditë që prej tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë më 26 nëntor dhe çdo ditë e më shumë, del në dritë mungesa e përgatitjes që vendi ynë ka për të përballuar situata të tilla. Teksa vëmendja më e madhe u është dhënë zonave më të goditura nga fatkeqësia si Durrësi e Thumana, janë të shumtë fshatrat e tjerë ku gjendja vijon të jetë kaotike. Ky është rasti i Manzës.

Në fshatin e vogël pranë Gjirit të Lalëzit ku banorët kanë lënë shtëpitë e pallatet pas dëmtimeve masive si pasojë e lëkundjeve, janë të shumtë qytetarët që vijojnë të jenë në kampin që pas reshjeve të këtyre ditëve, është pushtuar nga balta.

Qytetarët janë vendosur nëpër çadra dhe ende nuk kanë asnjë informacion sesi do të zgjidhet situata e tyre. Nga një bisedë me punonjësit që u shërbejnë të strehuarve, mësuam se në kamp ka ende nevojë urgjente për batanije e produkte të higjienës personale, ndërkohë që një pjesë e të strehuarve, prej ditës së djeshme janë sistemuar në 15 kontenierë apartamente të dhuruar nga projekti TAP.

Megjithatë, as kjo nuk është një zgjidhje. Vetë banorët janë shprehur për iconstyle.al se ndonëse tashmë kanë një çati mbi kokë, vijojnë të jenë në kushte të vështira pasi në një kontenier rreth 30 metra katrorë, jetojnë në disa raste dhe 15 persona. “Është shumë problem dhe ushqimi. Kontenierët nuk kanë kuzhinë dhe s’kemi ku të gatuajmë. Deri sot na kanë shërbyer ushqim ushtarët grekë që kanë ardhur të na ndihmojnë, por dhe ata do ikin për dy ditë. Nuk dimë si do ia bëjmë.”-shprehet një nga zonjat e strehuara në kontenier. Sipas tyre, kondicionerët ndonëse janë aty, nuk janë instaluar ende e gjithashtu, një problem i rëndësishëm është dhe mungesa e lavatriçeve për larjen e rrobave. Banorët e Manzës shprehen se janë ende në pritje që institucionet t’u vijnë në ndihmë për t’i sistemuar në banesa të mirëfillta me bonuse qiraje.

Zjarr Tv Ad