500 kërkesa për azil në Kosovë

0
1

Ndërsa shumë të rinj të Kosovës dëshirojnë të ikin nga vendi dhe si destinacion kanë vendet perëndimore, janë mbi 500 të huaj nga vende të ndryshme të botës që, në vitin 2018, kanë aplikuar për të fituar azilin në Kosovë. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga numri i gjithë atyre që kërkuan azil, është shumë më i vogël se numri i personave që janë të akomoduar në Qendrën për Azil.

“Nga janar 2018 deri në  muajin dhjetor, kanë aplikuar për azil mbi 500 persona. Kurse, deri në fund të dhjetorit 2018, në Qendrën për Azil, janë të akomoduar 38 azilkërkues”, thuhet në një përgjigje të MPB-së.

Përfaqësuesit e ministrisë tregojnë se arsyet kryesore që këta persona kërkojnë azil në Kosovës, janë luftërat në vendet e tyre, por nuk përjashtohen edhe arsye të tjera, si ato ekonomike e të tjera. “Arsyet e tyre janë të ndryshme. P.sh.; disa nga arsyet me të shpeshta janë për shkak të luftës në vendin e tyre të origjinës, për shkak të bindjeve politike, përkatësisë etnike, etj… por që nuk përjashtohen edhe arsyet ekonomike”.

Më parë, numri i azilkërkuesve nuk ishte edhe shumë i madh dhe zakonisht Kosovën e shfrytëzonin si një vend transit dhe jo për destinacion, kurse tani gjendja ka ndryshuar.

Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, këtë vit ka një numër dukshëm më të madh të atyre që e duan Kosovën për vendstrehim.

“Në vitin 2017 i kemi pasur 147 aplikues/azilkërkues, ndërsa në vitin 2018 deri me datë 12.12.2018 i kemi 501 aplikues/ azilkërkues. Nëse i krahasojmë këto vite, i bije që në vitin 2018 i kemi pasur 354 aplikues/azilkërkues më shumë”, thonë statistikat e MBP-së.

Ndërkohë që institucionet përgjegjëse të Kosovës në Qendrën për Azil kanë akomoduar 38 azilkërkues nga vende të ndryshme.

Kushtet që ofrohen nga Qendra për Azil sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë të përshtatshme për çdo person.

Në këtë qendër ofrohet ushqim, veshmbathje, pako higjienike, shërbime mjekësore, e disa shërbime tjera.

“Përveç akomodimit/strehimit, Qendra për Azil ofron për aplikuesit/azilkërkuesit; ushqimin, veshmbathjet sipas nevojës, pako higjienike, shërbime mjekësore, sociale dhe psikologjike, shërbime juridike përmes parterëve të UNHCR-it, kurse të gjuhës shqipe dhe të kompjuterëve,  etj.”.

Gjithë të huajt që kanë fituar të drejtën e qëndrimit në Kosovë edhe janë strehuar në Qendrën për Azil të Kosovës, e cila gjendet në Komunën e Lipjanit. Përveç institucioneve shtetërore të Kosovës, ekzistojnë edhe organizata joqeveritare, të cilat në shumë raste ndihmojnë në forma të ndryshme azilkërkuesit.

Persona të cilët hyjnë në Kosovë dhe paraqiten në polici si azilkërkues, menjëherë iu ofrohet mbrojtja ligjore.

Sipas Ligjit për Azil, neni 11 thotë se “azilkërkuesi mund të kërkojë azil në një gjuhë të cilën ai ose ajo e kupton. Azilkërkuesi në një afat pesëmbëdhjetë (15) ditor që nga paraqitja e kërkesës për azil do të informohet në një gjuhë të cilën e kupton, lidhur me procedurën e azilit, të drejtat dhe detyrimet në procedurën e tillë, si dhe për të drejtën të kontaktojë UNHCR-në dhe ndonjë Organizatë Joqeveritare të cilat iu ofrojnë ndihmë azilkërkuesve”.