Kuvendi ka debatuar sot për ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”. Deputeti Ilir Beqaj propozon paketim të thjeshtë dhe vendosje të figurave me pjesë të trupit të dëmtuara nga duhani.
Ilir Beqaj: Propozimi ka dy elemente që lidhen vetëm me paketimin. Vendosjen e figurës me pjesë të trupit të dëmtuara nga duhan pirja si dhe kalimin në atë që quhet paketimi i thjeshtë. Çfarë është paketimi i thjeshtë. Kam marrë dy modele, që nuk janë shqiptare. Në paketimin e thjesht nuk dallohet marka e paketës së cigareve.
Kundër ishte deputetja Rudina Hajdari, e cila tha se ky propozim i mazhorancës nuk do të sjellë asnjë efekt për të ulur konsumin e duhanit. Sipas saj, duke qenë se ky është një nga bizneset më fitimprurëse, kërkon që të rritet çmimi i paketave për të ulur konsumin.
Rudina Hajdari: Është biznesi më fitim prurës në Shqipëri. Ju duhet të dini që në Shqipëri sot ka mbi 40% të njerëzve që konsumojnë duhan në Shqipëri. Është një nga bizneset që përfiton më shumë në tregun shqiptar dhe nëse ne duam, që ky biznes të ketë ulje në fitim prurje ne duhet të ngremë çmimin e paketës. Ne duhet të bëjmë fushata ndërgjegjësuese për të ulur konsumimin e duhanit dhe mos të vijmë këtu të vijmë këtu të përdorim disa taktika që nuk funksionojnë. Duhet të nisemi me dëshirën e mirë për të ulur konsumin e duhanit. Mos bëjmë ligj që janë provuar në disa vende që nuk e sjellin reduktimin e këtij produkti. Prandaj unë mendoj që ky propozim nuk do te ketë ndikim në konsumatorët e duhanit. Do inkurajoja deputetët që mos e votojnë këtë pr/ligj.