A do të votojnë të dielën të burgosurit në Rrogozhinë? Flet Celibashi

0
70
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Të burgosurit e burgut të Rrogozhinës, që u bënë shkak për përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qytet, mund të mos kenë të drejtën e votës në 23 Korrik. Në një intervistë për Klan News, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi thotë se institucioni i vuajtjes së dënimit që ka kompetencë ngritjen e qendrës së votimit, ende nuk ka një vendimarrje.

“Deri në momentin që ne flasim nuk na rezulton që të jetë ngritur një Qendër Votimi në institucionin e posaçëm të vendit të vuajtjes së dënimit. Është kompetencë e drejtorisë së atij institucioni për të vendosur nëse do ta ngrejë atë qendër votimi apo jo. Deri më sot do duhej të kishim një njoftim. Më tej nuk do të bënte sens”, tha Celibashi.

Vendimi për të përsëritur zgjedhjet u mor nga Kolegji Zgjedhor me argumentin se 15 nga të burgosurit me të drejtë vote duhet të kishin me patjetër vendbanimin në Bashkinë Rrogozhinë. Sipas kryekomisionerit Celibashi, nga ky rast lind nevoja e krijimit të mekanizmave rregullues në të ardhmen, për mënyrën se si duhet të ushtrojnë të drejtën e votës të burgosurit në Shqipëri.

“Ata ligjërisht nuk janë të përjashtuar nga e drejta për të votuar. Gjithë diskutimi është që do të votojnë dhe në çfarë kushtesh do të votojnë në ambientet e vuajtjes së dënimit, pra në burg. Në gjykimin dhe vlerësimin tim atyre do duhet t’u krijohet mundësia që të votojnë aty ku vuajnë dënimin”, tha ai.

Kryekomisioneri Celibashi thotë se janë marrë të gjitha masat që mos përsëriten problematikat e 14 Majit në procesin zgjedhor.

“Për sa kohë dhe mundësi që kemi patur në dispozicion për të verifikuar cilat ishin shkaqet në ato problematika, për të cilat dua të them që nuk ishin ndoshta në numër aq sa u prezantua, por gjithsesi ekzistonin, i kemi marrë masat që në këto zgjedhje të mos ketë asnjë lloj problemi në lidhje me përdorimin e pajisjes elektronike të identifikimit”, tha Celibashi.

Në përballjen e së dielës në Rrogozhinë, kandidatët do të jenë të njëjtë, Edison Memolla i PS, përballë kandidatit Shkëlqim Hoxha i koalicionit “Bashkë Fitojmë’. Në 14 Maj, kutia e burgut, që u numërua e fundit i dha fitoren PS, pasi nga 92 vota në total, 80 ishin në favor të saj, duke e çuar diferencën mes kandidatëve në 21 vota.

Zjarr Tv Ad