Arrestimi i Berishës/ Fevziu: PD duhet të ketë disa plane që s’po i shoh, protestat jo të suksesshme

0
13
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gazetari Blendi Fevziu thotë se me heqjen e imunitetit të Berishës, opozita dhe mbështetësit e saj ndodhen para një momenti të vështirë. I ftuar në Klan News, Fevziu shprehet se lajmi i heqjes së imunitetit të Berishës është i rëndësishëm pasi në njëfarë mënyre, ai luan një rol në fatin e opozitës.

Ai shtoi më tej se opozita duhet të ketë disa masa, disa plane dhe veprime, që sipas tij, nuk po i sheh, teksa e konsideroi ngritjen e një vale protestash si tentativë jo të suksesshme.

Mirela Milori: Vendimi i sotëm i parlamentit, heqja e imunitetit e Berishës, një lajm në fakt i rëndësishëm për një personazh si Berisha. Ju si e shihni?

Blendi Fevziu: Po patjetër, por një gjë e pritshme sepse komisioni kishte votuar pro që në momentin që SPAK ju drejtua Kuvendit dhe Berisha vetë tha që “nuk mbrohem me imunitetin”. Lajmi në vetvete ishte i pritshëm, pastaj eventi si event, pra fakti që kërkohet masë e kufizimit të lirisë në këto përmasa për Berishën është lajm i rëndësishëm sepse në njëfarë mënyre, Berisha luan një rol në fatin e opozitës.

Mirela Milori: A mendoni se është në propocion të drejtë drejtësia fillon me një masë të ashpër ndaj Berishës?

Blendi Fevziu: Në gjykimin tim, në momentet e hetimit sepse këtu nuk ka një akuzë, nuk ka nevojë për një masë kaq ekstreme, por nuk e di si e kanë gjykuar dhe cilat kanë qenë argumentat që kanë dhënë dhe në fakt drejtësia ka pasur të tilla masa ekstreme në momentet e para. Ky është standardi që ka vendosur gjykata, por natyrisht që në këtë rast ka impakt të fortë politik. Në këtë rast ka impakt të madh politik. Në këtë rast ka edhe një sërë pikëpyetjesh: Çfarë arresti do të vendosë gjykata? Nëse ky arrest do të jetë me apo roje? Do të lejojë të hyjnë dhe të dalin njerëzit? A mund ta lejojnë të përdorin adresat sociale? A mund të japë adresë, atë të partisë dhe të presë dhe të takojë njerëz në izolim? Nëse arresti zgjat më shumë se 6 muaj, e humb apo jo mandatin e deputetit Berisha? Pikëpyetja më e madhe nëse Berisha do të respektojë vendimin e gjykatës. Janë një sërë pikëpyetjesh. Ky është moment i vështirë për opozitën e për mbështetësit e saj. Opozita duhet të ketë disa masa, disa plane. Duhet të ketë veprime konkrete, të cilat nuk po i shoh.

Mirela Milori: Si e ndikon opozitën ky moment me Berishën?

Blendi Fevziu: Këtë nuk dimë ta themi. Në gjykimin tim, tentativa për të ngritur një valë proteste nuk ka për të qenë e suksesseshme sepse të hënën dhe sot nuk kishte aq pjesëmarrje. Një arrest shtëpie dhe një burgim i Berishës mund të luajë krejtësisht procesin e kundërt, pra të ndezë një valë opozitare. Ne kemi një ngërç që shumë veta nuk duan ta analizojnë. Unë po referoj disa sondazhe të fundit, pavarësisht besueshmërisë së tyre: Pakënaqësia ndaj qeverisë është mbi 50%, mbështetja ndaj opozitës është tek 20 e ca %. Pra ku qëndron mospërputhja midis kësaj mase të madhe që është kundër qeverisë dhe kësaj pjesë shumë më të vogël që mbështet opozitën? Kush lufton për këtë 30%? Duket se strategjia e deritanishme e opozitës është të mobilizojë atë 22% e vet që është krejtësisht i pamjaftueshëm për të fituar zgjedhjet.

Fevziu u shpreh se pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2021 opozita do duhej të reagonte dhe Basha duhej të jepte dorëheqjen ose ta largonin. Nëse kjo gjë do të ndodhte gazetari shprehet se Partia Demokratike nuk do të ishte në këtë spirale që është futur tani.

Blendi Fevziu: Në gjykimin tim gafa, gabimi fatal i opozitës që do të paguhet në afatgjatë ka qenë mosreagimi pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit të 2021. Në momentin që opozita humbi Basha duhej të jepte dorëheqjen ose duhej ta largonin. Duhej të hapej një proces i gjatë. Ky proces nuk do kthente as Berishën nuk do të fuste më as në atë spirale që futi partinë as në këtë çarje.

Partia Demokratike nuk zgjodhi të bënte këtë, zgjodhi të mbështeste Bashën në masë dërmuese me entuziazëm. Pastaj kur Basha përjashtoi Berishën ju turën Bashës dhe i numëruan edhe humbjen që e kishin pasur aty, pra ju kthyen mbrapa. I numëruan largimin nga parlamenti, moshyrjen në zgjedhje që ishin gafa skandaloze politike, por që s’ja kishin përmendur në momentin që kishin ndodhur.

Ndërkohë i pyetur se si mund të ndikojë tek ndërkombëtarët arresti shtëpiak për ish-kryeministrin Sali Berisha, Fevziu shprehet se ky nuk është një lajm i mirë për vendin dhe demokracinë në vend.

Blendi Fevziu: E para nuk është lajm i mirë për Shqipërinë. Fakti që arrestohet një ish-President, ish-Kryeministër nuk është një lajm i mirë për asnjë vend të botës. Lajm i keq për vendin, demokracinë në vend për të gjithë. Natyrisht një arrestim i zotit Berisha dhe dërgimi i tij në burg mund të radikalizojë situatën, mund të kthejë një polarizim sërish në shoqërinë shqiptare.

Zjarr Tv Ad