Arrestohen dy ish-drejtor të LSI-së

0
235
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Dy ish-Drejtorët e Përgjithshëm të Rrugëve Dashamir Xhika dhe Andi Toma janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë për abuzime në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Bashkë me dy ish-zyrtarët e lartë në pranga kanë rënë edhe  Rexhep Tarba (mbikqyrës i punimeve në rrugën e Gjinarit), Agron Hysa, Kujtim Hysa dhe Rezarta Bokçiu për të cilën është vendosur nga gjykata masa e arrestit të shtëpisë. Gjashtë persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga prokuroria e cila paralajmëron se do të ketë edhe arrestime të tjera. Në këtë çështje akuzohen gjithsej 11 persona për të cilët prokuroria ka kërkuar caktimin e masave të sigurisë në gjykatë. Mes të akuzuarve, veç dy ish-drejtorëve janë edhe ish-vartës të tyre në drejtorinë e rrugëve por edhe katër përfaqësues të kompanive që kanë kryer punimet në rrugën Tiranë-Elbasan. Arrestimet janë kryer pas hetimit që zhvilloi prokuroria e Elbasanit në lidhje me kallëzimin e bërë nga ministri i Energjitikës dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri më 19 dhjetor 2017. Ky i fundit kërkoi hetimin e çështjes pas auditit të zhvilluar për rrugën Tiranë-Elbasan ku u gjetën 5.3 miliardë lekë të vjetra dëme financiare. Gjykata e Elbasanit ka lëshuar urdhër arresti edhe për kalibruesit që kanë firmosur marrjen në dorëzim të punimeve jashtë cilësisë dhe përtej afateve ligjore të rrugës Elbasan-Gjinar për të cilën prokuroria thotë në vendim se nuk është realizuar si vepër pavarësisht fondeve të shpenzuara. 11 arrestet janë firmosur nga kryeprokurori i Elbasanit Ardian Nezha. Mësohet se kjo dosje është një nga procedimet për të cilat prokurorja Amanda Xhaferri pati konflikt me ish-drejtuesin e prokurorisë së Elbasanit Dritan Gina i cili vendosi që t`ia hiqte nga duart hetimin në fjalë bashkë me disa dosje të tjera. Andi Toma ka qenë drejtor i rrugëve në vitet 2008-2013 ndërsa Dashamir Xhika ka drejtuar këtë sektor nga viti 2013 deri në shtator 2017.

Zjarr Tv Ad