Kreu i PD, Sali Berisha, ka zhvilluar një konferencë për mediat nga selia blu ditën e sotme. Ai komentoi protestën e 12 nëntorit ku tha se ajo drodhi themelet e një monizmi që bazohet në vjedhjen e votës, drogën dhe krimin.
Sali Berisha:
Protesta e 12 nëntorit ishte në zenitin e protestave krahasuar me numrin e popullatës e protestave në botë. Ajo drodhi themelet e një monizmi që bazohet në vjedhjen e votës, vjedhjen e fondeve publike, pasurive publike nga Edi Rama, bazohet në frikën, shantazhin, drogën dhe krimin. Ai ishte mesazhi më i shkëlqyer që qytetarët fisnikë të Tiranës e mbarë Shqipërisë u dërguan shqiptarëve kudo që janë. Ata u dërguan mesazhin e shpresës, besimit, fitores.
Por njëkohësisht protestuesit u dërguan kancelarive të Europës dhe botës që krahas një narko shteti të instaluar në Shqipëri, krahas një monizmi që bazohet në vjedhjen e votës përmes krimit, drogës e mashtrimit, ekziston dhe një popull i tërë i ngritur në këmbë për ta hedhur në Lanë për të përmbysur këtë regjim.