Dialogu Kosovë-Serbi/ Meta: Respektojmë institucionet e Kosovës

0
1

Presidenti i vendit, Ilir Meta, i pranishëm në konferencën “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik” tha se Shqipëria do të vijojë të mbajë rolin e saj si faktor stabiliteti.

Ai foli edhe për kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa tha se Shqipëria do të respektojë institucionet e Kosovës në procesin e dialogut të saj me Beogradin.

“Në Ballkan çdo popull është më i madhi në botë. Kjo shihet në çdo këngë. Nuk vizatohen kufijtë  aq kollaj. Ne e dimë mirë se çfarë ndodhi në Ballkan. Ne e dimë se sa marrëdhënie vëllazërore ka Mali i Zi me Kosovën. Ka njohur edhe  Pavarësinë e Kosovës. Me këtë rast dua të bëj të qartë si president i Shqipërisë se pozicioni im është ky dhe ka qenë  mbi 20 vite. Ne mund të çojmë më shumë trupa në Afganistan dhe Letoni, por faktori ynë është të jetë faktor stabiliteti. Ne i kemi të gjitha mundësitë siç e kemi treguar që të jemi faktor stabilizues dhe europianizues. Nuk ka asnjë kufizim të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë, por kur bëhet fjalë  për dialog Kosovë-Serbi, Shqipëria është mbështetëse e procesit të dialogut. Shqipëria ka njohur republikën e Kosovës, e njeh dhe do ta njoh gjithmonë dhe kjo duhet të thotë qe ne të respektojmë  institucionet e Kosovës. Ne jemi për bashkëjetesë për shqiptarët dhe serbët,malazezët, boshnjakët etj. Marrëveshja e Prespës tregon se suksesi është i garantuar, por kjo nuk mjafton sepse kërkohen liderë lokalë të përgjegjshëm”-tha Meta.