Dogji katër makinat e babait të ish- të dashurit, rrëfimi me detaje i Desarës

0
1379
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Duhej të frikësoja ish-të dashurin dhe familjen e tij, që të qëndronin larg meje”.

Desara Mançellari, 23- vjeçarja që më 1 prill të vitit 2016 u vuri flakën me qëllim katër automjeteve në pronësi të familjes së ish-të dashurit të saj, ka dhënë këtë shpjegim për ngjarjen gjatë pyetjes në prokurori. Dëshmia e plotë e së resë zbardhet në vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Tiranës, që më 22 dhjetor 2016 e shpalli fajtore për akuzën e “shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe vendosi një dënim me 2 vjet e 4 muaj heqje lirie.

“Panorama” ka siguruar një kopje të vendimit, ku dalin në dritë rrethanat zjarrvënës së qëllimshme, që është paraprirë nga prishja e raportit dashuror të së pandehurës Mançellari me shtetasin Filip P. Gjatë gjykimit, përmes mbrojtësit, Desara ka pretenduar se ka dashur të djegë vetëm një nga makinat në formë vetëgjyqësie, pasi është keqtrajtuar nga Filip P. dhe babai i tij, me qëllim që të martohej me ish-të dashurin.

Sipas mbrojtjes, në një rast, ajo është mbajtur peng dhe nën presion për disa orë, gjatë së cilave ndaj saj është ushtruar dhunë verbale dhe fizike. Vendimi i Shkallës së Parë është ankimuar në Apel më 27 dhjetor 2016.

Dëshmia e plotë

Ka rreth njëmbëdhjetë muaj që jam njohur me një djalë që quhet Filip P., me të cilin kam qenë e lidhur gjatë të gjithë kësaj kohe në mënyrë intime. Me Filipin jam njohur nga një shoqja ime te lokali që ka në Tiranë. Lidhja me Filipin, i cili është 21 vjeç, ka qenë relativisht e mirë, deri në momentin që filluan pakënaqësitë nga ana e së ëmës së Filipit dhe filluam të takoheshim në kundërshtim me nënën e tij. Situata e lidhjes sime me Filipin filloi të ishte e lodhshme dhe unë vendosa të ndahesha prej tij.

Në lidhje me këtë vendim timin ka qenë jo dakord i ati i Filipit, i cili në disa raste ka ardhur dhe poshtë banesës sime dhe kemi ndenjur në shumë raste dhe deri në orët e para të mëngjesit në lokalin që ndodhet poshtë shtëpisë sime dhe në lokalin e tyre. Në këto raste unë jam tërhequr dhe kam vazhduar lidhjen time me Filipin. Ka rreth një muaj që Filipi ka qenë në Greqi për arsye se do të shkonte ushtar dhe unë kam folur me të që në momentin e ikjes së tij do të shkëputeshim, duke reflektuar për lidhjen tonë. Filipi, pasi mësoi këtë gjë nga unë, ka anuluar të shkuarin ushtar në Greqi, pasi për këtë po përgatitej dhe vendosi që të kthehet në Shqipëri për të qëndruar me mua. Komunikimet në këtë kohë i kishim nëpërmjet telefonit celular deri në momentin që Filipi ka ardhur në Shqipëri.

Sherri dhe kërcënimi

Pasi është kthyer, Filipi më ka takuar dhe në këtë çast jemi konfliktuar. Që nga ky moment, që ka qenë rreth dhjetë ditë më parë, unë kam hequr numrin e telefonit që disponoja, si dhe i kam bërë Filipit bllok në “Facebook”. Rreth katër ditë më parë, ka ardhur rreth orës 12:30 minuta te një lokal afër shtëpisë sime.

Më bindi që të shkoja të takoja Filipin te lokali i tyre, në mënyrë që të gjenim një rrugë komunikimi për t’u kthyer bashkë. Në momentin që kemi hyrë në lokal, kam qenë bashkë me një kushërirën time. Në momentin që kemi hyrë në lokal na janë hequr telefonat celularë të dyjave dhe më pas jemi ulur unë me kushërirën së bashku me të atin e Filipit. Në këtë moment, kur kemi qenë të katërt në tavolinë, babai i tij më ka kërkuar llogari për faktin se unë frekuentoj një lokal ku rri dhe një ish i-dashuri im. Në këtë diskutim unë kam sqaruar faktin se Filipi është në dijeni të lidhjes sime të mëparshme dhe nuk i kam fshehur asgjë. Ky ka qenë çasti kur Filipi është çuar nga tavolina dhe më ka goditur me pëllëmbë. Pasi është qetësuar situata më është treguar një video nga telefoni i K., që ishte një burrë të cilit i futnin letra në gojë. Në vazhdim, K. më ka treguar se videoja kishte qëllim që unë të kuptoja aftësitë e tyre për të bindur njerëzit, shkruan Panorama.

Në lokal kemi ndenjur me kushërirën dhe ata të dy deri në orën 07:00 të mëngjesit të ditës tjetër dhe më pas jemi larguar për në banesë, duke na shoqëruar Filipi me makinën e tij të tipit “Audi”. Më vonë nga Filipi kam mësuar se ishte zënë me të atin, pasi më ka kthyer në shtëpi me makinë mua. Ky ka qenë momenti fundit i komunikimit tim me këta persona.

Plani i “hakmarrjes”

Në lidhje me situatën që përmenda më lart, në mendjen time qëndronte fakti që duhet ta frikësoja familjarisht familjen e Filipit, me qëllimin që të qëndronin larg meje dhe familjes sime në vazhdim. Për të arritur këtë qëllim mendova një ditë më parë që t’i digjja makinën Filipit dhe për këtë gjë kam menduar gjatë gjithë ditës së djeshme.

“Si i vura zjarrin”

Kam dalë në datë 31.03.2016, rreth orës 23:00 të darkës nga banesa ime dhe kam filluar të eci përgjatë rrugës që del te rruga “Bardhyl”. Në vazhdim deri te karburant “K…”, vend ku kam mbushur një shishe me benzinë. Shishen e kam blerë me ujë në një market që ishte përballë me karburantin. Ishte shishe një litër e gjysmë, të cilën e bleva me ujë pasi te karburanti nuk kishin shishe bosh. E kam futur shishen brenda në xhuboksin që kisha veshur, i cili ishte me ngjyrë gri, kapuç dhe mëngë, edhe stampa ngjyrë rozë. E kam mbajtur gjatë gjithë rrugës pa e parë njeri. Sapo jam afruar te banesa e Filipit jam fshehur në krah të pallatit të tij, në një objekt të pandërtuar. Kam pritur rreth njëzet minuta, pasi nuk po shihja makinën që përdor Filipi, që është një “Peugeot” ngjyrë jeshile. Duke pritur, më ka kapur ankthi dhe kam dalë nga mbrapa pallati.

Kam ndaluar në krah të tij, ku për një moment kam parë në drejtim të një kamere, që është në katin e parë në një magazinë që familja e Filipit e ka dhënë me qira. Në vazhdim jam drejtuar për nga makina tjetër e Filipit, që është “Audi”, në ngjyrë të zezë.

Ajo ishte parkuar pranë një ruloti, që i takon po familjes së Filipit. Sapo jam afruar me ngadalë tek “Audi” kam derdhur pak benzinë te fshirëset e xhamit të mjetit dhe më pas me një shkrepëse i kam vënë flakën.

Fshehja e krimit

Pasi mori flakë makina, jam larguar në drejtim të disa rrugicave që ndodhen mbrapa pallatit të Filipit dhe kam shkuar në banesë. Paraprakisht kam hedhur shishen e benzinës në një nga këto rrugica, por që nuk e mbaj mend se ku. Jam kthyer në shtëpi rreth orës 02:00 të mëngjesit, kur të gjithë familjarët ishin në gjumë. Gjatë të gjithë natës nuk kam fjetur dhe vetëm në mëngjes kam rënë të fle.

Përveç xhuboksit që përmenda, kisha veshur dhe një palë tuta ngjyrë gri, si dhe atlete me ngjyrë gri me lule. Sot, rreth kohës së drekës, është afruar edhe policia, e cila pas kontrollit që më bëri në banesë ka gjetur xhuboksin, tutat dhe atlete që përmenda.

Zjarr Tv Ad