Ditën e sotme , 2 korrikun, do të doja të konsiderohej Dita e Lotëve.
Në 2 korrik 1990 nisi shpërbërja e Shqipërisë. Në historinë e popujve fatkeqësitë kanë ardhur gjithnjë në emër të së mirës. “U hapëm”! “Po shkojmë në Perëndim”!
Kurbeti është një nga fatkeqësitë më të mëdha të kombit tonë, ndoshta edhe më e madhe se komunizmi. Qindra mijë shqiptarë kanë ikur për të mos u kthyer kurrë më. Fëmijëve as shqipen s’marrin mundimin t’ua mësojnë.
Një trupi njeriu të plagosur, kur humbet gjak deri në një masë të caktuar, nuk i ndodh gjë, se ripërtërihet shpejt. Ama kur humbet përtej një mase kritike, gjendja është pa kthim. Vdekja e sigurt. Hemoragjia e Shqipërisë ngjan se është pikërisht në këtë pikë të moskthimit. 20 vjeçarë largohen përditë drejt Perëndimit ndërkohë që në vitrinat e dyqaneve, bareve, rrobaqepësive, furrave të bukës etj lexon : ” kërkojmë punëtorë”. Nuk ka më! Kanë ikur. Po ikin përditë.
Nëse hebrenjtë e ruajtën në shekuj, më shumë se jetën, identitetin e tyre dhe shenjtërinë e Tokës së Premtuar, ne, brenda një gjenerate humbëm…
Pra, për ne që ende kemi mbetur këtu, propozoj 2 korrikun si Ditën e Lotëve. Dita e fillimit të shpopullimit dhe zhbërjes së Shqipërisë. Një ditë ku në heshtje të reflektojmë.




