Tuesday, August 18, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Vrasja e të riut portugez në Ksamil, PD: Turisti u kthye me...

Vrasja e të riut portugez në Ksamil, PD: Turisti u kthye me arkëmort, qeveria nuk garanton sigurinë

0
12

Partia Demokratike ka reaguar pas vrasjes së turistit të huaj në Ksamil, duke e cilësuar sezonin turistik të këtij viti si një “verë të zezë” për Shqipërinë.

Në një deklaratë për mediat, PD rendit ndër problematikat e muajve të fundit vrasjet, zjarret dhe shpërthimet me tritol, duke akuzuar qeverinë dhe Policinë e Shtetit për dështim në garantimin e sigurisë publike.

“Sezoni turistik i sivjetshëm u kthye në ‘verë të zezë të Shqipërisë’, me tre muaj ku spikati terrori i dhjetëra vrasjeve, zjarret anekënd vendit, shpërthimet me tritol, pasiguria”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Duke iu referuar vrasjes së turistit në Ksamil, opozita shprehet se 20-vjeçari, i cili sipas informacionit fillestar u raportua si francez, ndërsa më pas Policia konfirmoi se ishte shtetas portugez, “do t’i kthehet familjes dhe vendit të vet në arkëmort”.

PD i ka shprehur ngushëllimet familjes së viktimës, ndërsa e ka cilësuar ngjarjen si një goditje për imazhin e turizmit shqiptar.

“Për autoritetet e vendit, për narko-qeverinë, kjo vrasje makabre nuk mund të trajtohet si një tjetër komunikatë në kronikën e zezë. Ajo është faqja e zezë e Policisë dhe qeverisë”, deklaron PD.

Sipas opozitës, Policia e Shtetit është përqendruar te njoftimet për kapjen e autorëve pas ngjarjeve, në vend që të ketë si prioritet parandalimin e krimit dhe garantimin e rendit publik.

“Policia e Shtetit është kthyer në një agjenci që ndjek ‘autorët e ikur në drejtim të paditur’, jo një forcë të parandalimit të krimit, garantimit të sigurisë, forcimit të rendit publik”, thuhet më tej në deklaratë.

Partia Demokratike ka akuzuar gjithashtu qeverinë për emërime politike në strukturat shtetërore dhe për lidhje me grupet kriminale, duke deklaruar se kjo situatë ka dëmtuar funksionimin e Policisë.

Në fund të deklaratës, PD ka prezantuar edhe një prej angazhimeve të saj politike, duke premtuar një “Paketë Anti-Krim” në 100 ditët e para në rast të ardhjes në qeveri.

Sipas opozitës, kjo paketë synon rikthimin e sigurisë publike dhe shkëputjen e strukturave shtetërore nga grupet kriminale.

“Rikthimi i sigurisë publike, siç është dëshmuar në Qeverinë Berisha 2005-2009 është prioriteti ynë kryesor; jo një premtim politik, por një detyrë patriotike për t’u kryer”, deklaron Partia Demokratike.

PD e mbyll reagimin duke e cilësuar vrasjen e turistit në Ksamil si “ditë zie për turizmin shqiptar” dhe si një dëshmi se siguria kërkon, sipas saj, seriozitet dhe jo vetëm publicitet.

Zjarr Tv Ad