Partia Demokratike festoi të enjten 35-vjetorin e themelimit të saj. Për këtë rast ishte organizuar një aktivitet ku ndër të tjera u shfaq një video për historikun e partisë. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet se pse në atë regjistrim ishte hequr figura e Lulzim Bashës, i cili ka mbajtur drejtimin e partisë për tetë vite.
Berisha tha gjatë konferencës me gazetarës se nëse do ta kishte bërë vetë atë video do ta kishte vendosur Bashën me një kryq të kuq për arsye se dëmtoi opozitën shqiptare.
“Së pari të siguroj që po ta kisha bërë unë atë klip do ta kisha bërë ndryshe. Por po të kisha bënë Lulzim Bashën do t’i vija një kryq të kuq sepse Lulzim Basha e dëmtoi opozitën shqiptare. Nuk them se nuk mund të mos ishte, por do ishte me atë që meritonte”, tha Berisha.
Një tjetër emër që nuk ishte i pranishëm në festën e demokratëve ishte Ervin Salianji, i cili zgjodhi të zhvillonte një foltore në Gjirokastër.
“Nuk e ka ndjerë, për të qenë aty duhet të ndjesh përvjetorin”, tha Berisha.
Ndër të tjera ai komentoi edhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke akuzuar mazhorancën se goditi procesin e zgjedhjes së tij.
“Grabiti opozitën që donte në kundërshtim duke i futur një thikë të madhe një procesi shumë delikat, shumë të vështirë, por që dëshmon se Edi Rama është i gatshëm të shkelmojë çdo gjë”, tha Berisha.




