Bordi i Karburanteve ka vendosur të ngrejë sërish çmimin e naftës, një ditë pasi vendoste ta ulte atë me 3 lekë, për herë të parë në shumë javë nën 200 lekë për litër. Edhe benzina është rritur në 182 lekë për litër, raporton newsbomb.al.
Bordi i Transparencës në datë 9 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
– Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 197 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 185 lekë/litër.
– Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 182 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 170 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 9 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
“Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit”, njofton Ministria.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë thonë se janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.




