Gjykata e Posaçme ka rikthyer për hetim në SPAK çështjen e gjyqtares Irena Gjoka, për të cilën Prokuroria e Posaçne kishte kërkuar pushimin e çështjes, por Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën.
Avokati Genc Gjokutaj në një prononcim për mediat tha se ky është një vendim serioz, pasi gjykata kërkoi që kallëzimit të bërë nga PD ti jepet përgjigje.
Ai tha se SPAK tashmë vihet para përgjegjësisë për te hetuar këtë çështje, ndëresa theksoi se “Prokurorisë së Posaçme i janë vënë mbi 20 detyra për t’i realizuar”.
“Është një vendim serioz, sepse ve ato detyra që shkojnë drejt zbulimit të së vërtetës, atë të vërtetë që SPAK u mundua ta fshehë. Ky është një vendim që është hap shumë i rëndësishëm në lidhje me kallëzimin tonë, dhe gjykata kërkon që kallëzimi tonë ti jepet përgjigje. Këtu nuk është çështje bindjesh, por çështje provash. Gjykata e rivendosi në shina këtë proces, duke detyruar SPAK të kryejë këto veprime, pa të cilat ai nuk mund të konkludojë drejt në lidhje me përgjegjësinë e gjyqtares Gjoka”, tha avokati.
Kujtojmë që në kallëzimin e depozituar nga PD, pretendohej se gjyqtarja Irena Gjoka kishte falsifikuar formularët e dekriminalizimit.
Sipas PD, Gjoka nuk kishte deklaruar në këto formularë një dënim penal të dhënë ndaj saj nga Gjykata e Janinës në vitin 2005 për mbajtjen e një dokumenti të falsifikuar.
Pas 10 muajsh hetim, SPAK provoi ekzistencën e dënimit grek, por nënvizoi se Gjoka nuk ka pasur dijeni për të dhe se, për shkak të kohës së kaluar, vepra është parashkruar. Me pretendimin se nuk ka kushte ligjore për vijimin e ndjekjes penale, SPAK kërkoi pushimin e hetimit.




