Personazhi i njohur i rrjeteve sociale, Genard Hajdini, ka rrëfyer në një postim se është dhunuar së bashku me të atin. Ai ka treguar se gjithçka ka ndodhur pak pas mesnatës së 3 gushtit, teksa siç shihet në video Hajdini paraqitet me hematoma në sy dhe hundë.
Hajdini ka treguar hap pas hapi se çfarë ka ndodhur atë natë dhe procedurat që ka ndjekur më pas. Sipas mjekëve ka pësuar dëmtime në nofull, hundë dhe syrin e majtë. Ai shprehet se dhuna ka ndodhur si pasojë e veprimeve të tyre për të kërkuar të vërtetën e vdekjes së mamasë së tij, shumë vite më parë.
Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në një lokal në Rrugën Bardhyl në kryeqytet, ku u dhunua personazhi i njohur në rrjetet sociale, Genard Hajdini me të atin, Paqësor Hajdini.
Policia bën të ditur se ka referuar materiale të në prokurori dhe ka nisur procedimi penal për autorin e dyshuar, shtetasin Sh. G., 40-vjeç, i akuzuar për plagosje të lehtë.
Nga kjo ngjarje, është proceduar penalisht edhe 25-vjeçarja A. P., që ndodhej nën shoqërinë e të dyshuarit, e cila ka dhënë dëshmi kontradiktore në polici, me qëllim fshehjen e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. G., 40 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, dhe për shtetasen A. P., 25 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Nga hetimet e kryera dyshohet se më datë 03.08.2025, në ambientet e një lokali në rrugën “Bardhyl”, shtetasi Sh. G. ka goditur me grushte shtetasit P. H. dhe G. H. (babë e bir), ndërsa shtetasja A. P., e cila shoqërohej me 40-vjeçarin, në momentin e ngjarjes, ka dhënë deklarime kontradiktore, me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale për shtetasin Sh. G;
Kujtojmë që ngjarja u bë publike nga vetë Hajdini, i cili ka publikuar në rrjetet sociale video të tij, i gjakosur dhe me hematoma në fytyrë, ndërsa ka shpjeguar edhe se si ka ndodhur ngjarja.




