Konferenca e Kryetarëve në Kuvend është përfshirë nga debatet mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, gjatë diskutimeve për ngritjen e komisionit që do të merret me fazën e dytë të Reformës Territoriale.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë braktisur mbledhjen, pas përplasjeve me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, dhe kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Debati ka përfshirë kundërshtimet e opozitës për mënyrën se si mazhoranca ka miratuar hartën e re territoriale, si dhe vendimin e Komisionit të Etikës që përjashtoi për 60 ditë nga punimet e Kuvendit deputetët Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Deputeti Tedi Blushi ka akuzuar mazhorancën se po e përdor Kuvendin për të miratuar vendime në interes të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar procesin e Reformës Territoriale si një ndërhyrje që cenon përfaqësimin e qytetarëve.
“Kuvendi është kthyer në noter dhe rrobaqepës të akteve kriminale dhe ligjeve me porosi të Edi Ramës”, ka deklaruar Blushi gjatë mbledhjes.
Ai ka pretenduar se miratimi i hartës territoriale ka ardhur pa konsensus politik dhe pa konsultim me qytetarët që kanë kundërshtuar ndryshimet.
Sipas Blushit, përjashtimi i deputetëve të opozitës përbën një tjetër shkelje të të drejtave parlamentare dhe tregon se mazhoranca nuk pranon debat për vendimet që merr.






