Ballina Blog Faqe 124

Shqipëria feston 113 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë!

0

Sot Shqipëria feston 113-vjetorin e Pavarësisë. Shqiptarët e të gjitha trevave e nderojnë këtë ditë si një nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit. Në të gjitha qytetet zhvillohen aktivitete festive, me në qendër në Vlorë, aty ku Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi më 28 nëntor të vitit 1912.

28 nëntori përkon edhe me ditën kur Gjergj Kastriot Skënderbeu ngriti më 1443 flamurin e Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane. 

Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 28 nëntor 1912  nga Ismail Qemali në Vlorë. Në Kuvend morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Menjëherë më pas, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur.

I pari që ka bërë një urim ka qenë kryeministri Edi Rama. “Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, ka shkruar ai krahas një fotoje. 

Në këtë ditë të shënuar, do të mbahen një sërë aktivitetesh në vend. Në Vlorë, aktivitetet përfshijnë ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit që pritet të nisë në orën 10:00, nderime te varri i Ismail Qemalit, parada, ekspozita, panaire, shfaqje folklorike, koncerte rinore e simfonike, si dhe Koncertin e Madh Festiv në mbrëmje.

Po ashtu edhe Tirana do të jetë e mbushur me aktivitete. Festa nis në orën 10:00, me ceremoninë e Nderimit të Flamurit. Më pas, Pazari i Ri do të shndërrohet në një hapësirë të madhe festive me aktivitete tradicionale, ku të rritur e fëmijë do të shijojnë gatime shqiptare, performanca folklorike dhe muzikë live.

Në bulevard, tek instalacioni “Trumpeta”, Ansambli Popullor i Tiranës do të sjellë një performancë të veçantë që premton emocione dhe atmosferë të ngrohtë. Një koncert i dedikuar fëmijëve do të zhvillohet në Kopshtin Zoologjik, ndërsa Parku Rinia do të presë një sërë aktivitetesh të hapura për të gjithë publikun.

113 vite shtet, kryeministri Rama uron: Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Kryeministri Edi Rama ka uruar 113 vjetorin e Pavarësisë së vendit. Në një postim në rrjete sociale ai shkruan:

“Mirëmëngjes dhe Gëzuar Ditën e Pavarësisë”.

Mesazhi i Kryetarit të Kuvendit: Trashëgimia e themeluesve, udhërrëfyes për të ardhmen

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka uruar sot të gjithë shqiptarët në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai thekson se kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi trashëgiminë e themeluesve dhe për të riafirmuar angazhimin tonë për një Shqipëri të përparuar dhe europiane.

“Nga faqet që shkruajnë historinë, te dita që na bashkon të gjithëve! Dokumentet themeluese të shtetit shqiptar mbeten busulla jonë historike, duke na kujtuar se liria dhe shtetësia jonë nisën pikërisht nga këto faqe që i dhanë formë Shqipërisë. Ato shënojnë momentet tona më të rëndësishme identitare dhe ambicien për një Shqipëri të lirë, sovrane dhe europiane. Nderim për themeluesit tanë dhe rrugën shtetformuese që ata shtruan me vizion e guxim”, shkruan Kryetari Peleshi.

Për të shënuar këtë ditë, Kryetari i Kuvendit ka publikuar edhe një video simbolike, ku shfaqet libri me Aktet Themeluese të Shtetit Shqiptar 1912-1922, duke rikujtuar momentet kyçe të shtetformimit dhe rëndësinë e dokumenteve historike si udhërrëfyes për brezat e rinj.

Osmani: Historia jonë, e shkruar me gjak! Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Festën e 28 Nëntorit, duke u shprehur se historia e shqiptarëve është shkruar me gjak.

Postimi i plotë:

Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare.

Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër.

Gëzuar Ditën e Flamurit!

Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!

Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!

Kurti uron 113-vjetorin e Pavarësisë: T’i kthejmë sytë nga ‘Nëntori i Tretë’

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka uruar përmes një postimi të gjatë në rrjete sociale të gjithë shqiptarët për 113-vjetorin e Pvarësisë së Shqipërisë. Kurti, teksa kthehet pas në histori, thekson se duhet t’i kthejmë sytë nga një “nëntor i tretë”, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm.

Reagimi i plotë i Kurtit: 

Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.

Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”

Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.

Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!

Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste: Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!

 Meta uron nga qelia: Përulemi me respekt para atyre që mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar 113 vjetorin e Pavarësisë. Në një postim në rrjete sociale, ish-presidenti shprehet se përulen me respekt dhe nderim para Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit dhe figurave të tjera që mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar. 

“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit më përbashkues, më të shenjtë dhe më të dashur për çdo shqiptar kudo ndodhet. Si çdo 28 Nëntor, përulemi me respekt dhe nderim të thellë para veprës së pavdekshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit, që me qëndresë, sakrifica sublime dhe vizion mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.

Përjetë mirënjohës Atit të Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemalit, i cili 113 vite më parë, së bashku me Etërit e Pavarësisë, shpallën në Vlorë më 28 Nëntor 1912 Pavarësinë e Shqipërisë. Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari ynë i përhershëm, drita që na ndriçon mendjet, na hap sytë dhe na udhëheq drejt rrugës së drejtë për të mbrojtur Shqipërinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, ku sot dhe mot pas moti shqiptarët dhe fëmijët e tyre meritojnë të jetojnë në liri, me dinjitet, krenarë dhe të begatë.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëria jonë e dashur! “, shkruan Meta. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Flamur Noka përplaset me anëtaren e Kryesisë së PD

0

Humbja e 11 majit dhe mungesa e analizës ka krijuar tensione në bazën e Partisë Demokratike.

Sali Berisha ka urdhëruar deputetet të zbresin në terren, por lidershipi po haset me përplasje.

Mbledhja e kryesisë në degën e PD në Kamëz-Paskuqan ku ishte i pranishëm Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka dhe deputetja Albana Vokshi është shoqëruar me debate, pasi njëra prej anëtareve të Kryesisë i ka kërkuar “llogari” numrit dy të partisë se pse primaret nuk janë zbatuar siç parashikon statuti ai dhe ka shprehur shqetësim për anashkalimin e bazës në vendimmarrje.

Në videon e mëposhtme demokratja dëgjohet teksa shpreh një indinjatë të thellë ndaj drejtuesve në qendër të PD, por ajo mori një përgjigje arrogante nga Noka.

Më pas ajo dëgjohet që t’i drejtohet Nokës se prej tij nuk do të qëndronte asnjë sekondë në këtë parti, por është aty prej kontributeve që ka dhënë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Rrugët e Belinda Ballukut, që të lënë në rrugë

0

Shembjet e rrugëve të sapoinauguruara po ekspozojnë realitetin e projekteve më të kushtueshme të qeverisë. Nga Qukës–Qafë Plloçë te Korçë–Ersekë, te Rruga e Arbrit dhe tek autostrada Thumanë – Kashar, tejkalimet buxhetore, vonesat dhe punimet me cilësi të dobët janë kthyer në kryefjalë të investimeve infrastrukturore.

Kur erdhi në pushtet, Kryeministri Rama premtoi se qeverisja e tij nuk do ndalej vetëm në hedhjen e “buxhetit” të shtetit vetëm për rrugët, por përgjatë këtyre tre mandateve edhe ai, njësoj si paraardhësit e tij, u fokusua tek akset rrugore.

Rrugë të kushtueshme, që marrin kohë për t’u ndërtuar, por pa cilësi dhe shemben me një të “rënë të lapsit”.

Shembja e lotit 3, segmentit më të kushtueshëm të rrugës Qukës–Qafë Plloçë, vetëm pak javë pas inaugurimit, nxjorri në pah problematikat se si po ndërtohen këto akse.

Nga tendera të fryrë në numra, tek alarmi i materialeve që përdoren, te kohëzgjatja e përfundimit të punimeve, dëshmjonë qartë abuzimet me këto investime.

Ishte viti 2014 kur Parlamenti miratoi marrëveshjen e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçës.

Pas këtij momenti nis ecejakja që “përfundon” 11 vjet më vonë, me një pirg betoni në mes të rrugës.

Rruga Qukës–Qafë Plloçë u tenderua e ndarë në tre lote. (Praktikë e parë edhe tek Unaza e Madhe, shqetësim që e kanë ngritur ekspertët: përse një aks ka nevojë të fragmentarizohet?)

Loti 3, i cili përfshinte një gjatësi totale prej 9.5 kilometrash, fillimisht ishte parashikuar të kushtonte 25 milionë dollarë. Por kjo shumë, çuditërisht, nuk mjaftoi, ndaj u shtuan edhe 25 milionë të tjerë, duke përfunduar në afro 50 milionë vetëm për këtë lot.

Histori të ngjashme me lëvizje të vazhdueshme buxhetesh ka patur edhe përgjatë loteve të tjera. Bilanci i kësaj rruge, vetëm për 43 kilometra, është plot 260 milionë Euro.

Nga projektimi te përfundimi mori afro një dekadë e gjysëm. Por një muaj pas inaugurimit, me valle e kërcim nga Kryeministri Rama dhe Zv.Kryeministrja Balluku, ky aks u shemb. Mjaftoi vetëm një shi i fortë.

Kjo shembje ishte paralajmëruar nga KLSH, e cila vinte në pah se ndërtimi i kësaj rruge ishte bërë pa patur në konsideratë formën e saj, zgjerimet apo mbrojtjet nga rrëshqitja e dherave.

Një tjetër rrugë problematike është ajo e Korçë–Ersekë, ku një vit më parë pati rrëshkitje dherash dhe krisje të saj. Edhe pas motit të keq, kjo rrugë ka dhënë shenja përkeqësimi dhe dëmtimi.

Vlera e ndërtimit të saj është po ashtu e lartë. Ndërtimi ka kushtuar 80 milionë Euro, ndërkohë që çështja e tenderimit dhe ndërtimit të këtij segmenti është aktualisht nën hetim nga SPAK.

Rruga Korçë–Ersekë është gjithsej 35 kilometra e gjatë, me vetëm një korsi për drejtim. Ndërtimi i aksit u nda, si gjithmonë, në lote. Loti i parë me gjatësi 18 kilometrash. Rruga Korçë–Ersekë duhej të përfundonte në qershor të 2023. Por afati u shty me një vit, për shkak se ky aks nuk priti inaugurimin për t’u shembur.

Akse të tjera gjithashtu janë problematike, të papërfunduara dhe me fatura të majme.

Aksi Thumanë–Kashar, me një kosto prej 330 milionë Euro, është një rrezik i theksuar për përdoruesit, e papërfunduar, me hyrje-dalje të papërfunduara për kamionët e disa lavatriçeve betoni përgjatë saj, me një daljë të ngushtë dhe të sajuar për tu lidhur me aksin e vjetër drejt Fushë-Krujës pas protestave të banorëve, mban ujë të konsiderueshëm në sipërfaqe, ka disnivelim në afërsinë e të gjithë urave, të cilat “hedhin makinat në ajër”, mungesë të theksuar të shesheve të shërbimit/pushimit sipas standardeve të një autostrade evropiane, dhe një sërë problematikash të tjera.

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe rruga e Arbrit, një rrugë që duket se është “destinuar” të mos përfundojë asnjëherë, por të marrë pjesë nga buxheti përherë, përgjatë të cilës rrëshkitjet e dherave janë kthyer në një fenomen të zakonshëm.

Në fillim të mandatit të tij të parë, Kyeministri kritikonte paraardhësin e tij dhe thoshte se “sot në vitin 2013, Shqipëria nuk ka asnjë metër rrugë të certifikuar dhe të plotësuar sipas standardeve europiane, siç i kanë të gjitha vendet e Bashkimit Europian, ose që janë kandidate për në Bashkimin Europian.” Dhe megjithatë, edhe pas 15 vjetësh standardet janë shumë të mira në kontrata, por shumë larg realitetit të asfaltit që hedhim në këto akse, apo standardit të premtuar nga Kryeministri më shumë se një dekadë më parë./ ACQJ

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Nga rojtare objektesh tek luksi, rruga e shpejtë drejt suksesit e Zegjine Çaushit

0

Deputetja 27-vjeçare e Kuvendit të Shqipërisë, Zegjine Çaushi, është një nga figurat më virale të legjislaturës së fundit, jo për ndonjë nismë ligjore, por për gafat televizive, replikat me Gazment Bardhin dhe shprehjen e famshme: “O Gazooo, më rëntë pika!”.

E dalë nga listat e Partisë Socialiste në Qarkun Fier, ajo nuk e fitoi mandatin me vota, por e siguroi “me shtesë”, pas dorëheqjes së kandidates më të votuar. Dhe, sipas burimeve të shumta brenda PS, kjo “fati i mirë” nuk vinte nga rastësia: Zegjineja ishte e preferuara e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Sot, roskovecarja e bërë “tiranase” paguhet mbi 5 mijë euro në muaj, bashkë me përfitimet e tjera ekstra për deputetët, dietat, bonus strehimi, karburantin, telefoninë dhe privilegjet që vijojnë edhe pasi të mos zgjidhet më, përfshi këtu edhe pensionin e posaçëm.

Por kush është në të vërtetë deputetja që u ngrit kaq shpejt në hierarkinë politike?

PUNËSIMET E FSHEHURA DHE RRUGA E SHPEJTË DREJT PARLAMENTIT

1. Nga “rojtare objektesh” në Illyrian Guard – drejt parlamentit

Në deklaratën vjetore të pasurisë të dorëzuar në ILDKPKI, rezulton se deri më 12 shtator 2025, ditën kur mori mandatin zyrtarisht, Zegjine Çaushi ka qenë e punësuar si rojtare në kompaninë shtetërore të ruajtjes fizike Illyrian Guard sha.

Kjo kompani është nën administrimin e Ministrisë së Brendshme dhe deri në fund të vitit 2024 ka pasur si administrator Anduel Xhindin, ish-deputet socialist, edhe ky nga Roskoveci, vendlindja e Zegjinesë.

Nga Illyrian Guard, deputetja ka deklaruar se ka marrë: 244,681 lekë paga gjatë vitit elektoral.

Pra, edhe duke kandiduar në zgjedhje, ajo vijoi të paguhej normalisht, pa shpenzuar asgjë për fushatë.

KURSIME TË ÇUDITSHME PËR NJË 27-VJEÇARE

Deklarata e pasurisë rihap një sërë pikëpyetjesh, jo vetëm për burimin e të ardhurave, por për nivelin e kursimeve që duket të jetë disi i pazakontë për dikë të punësuar si rojtare dhe specialiste bashkiake:

2. 15 mijë euro në bankë

Në datën 30 shtator 2025, Zegjineja ka deklaruar në llogarinë e saj individuale: 14,987 euro.

Për një të re 27-vjeçare, me paga të ulëta në administratë, kjo shumë është më shumë se sa mund të kursejnë shumica e qytetarëve të moshës së saj në Shqipëri.

3. 197 mijë lekë të kursyera

Në një tjetër llogari rrjedhëse në lekë, deputetja ka deklaruar: 197,237 lekë.

4. 3 milionë lekë të vjetra “cash” në banesë

Ajo ka deklaruar gjithashtu se mban në shtëpi: 300,000 lekë të reja në para fizike.

Të gjitha këto sipas saj janë para të kursyera nga paga.

POZICIONET E TJERA TË PUNËS – DHE NJË DOSJE E HESHTUR

Hetimi i CV-së dhe dosjeve të personelit të bashkisë solli edhe informacione të tjera për karrierën e Zegjine Çaushit:

5.Specialiste në Emergjencat Civile – Bashkia Roskovec

Zegjineja ka punuar më parë në Emergjencat Civile.

6.Kryeinspektore e IMT-së

Ka mbajtur funksionin e kryeinspektores së Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT).

Në këtë pozicion, emri i 27-vjeçares është përfolur për një rast të dyshuar abuzimi me detyrën. Nga procedimi penal, aktualisht e pandehur ka mbetur vetëm ish-kryetarja Majlinda Bufi, ndërsa Zegjineja, të paktën deri tani, “ia ka hedhur paq”.

LIDHJET ME FIRMA TË AFËRTA ME PUSHTETIN

Në CV-në dorëzuar në KQZ, deputetja ka përfshirë edhe një punësim tjetër:

7.Punëtore në kompaninë private “Baze shpk”

Kjo kompani drejtohet nga vëllezërit Krasniqi, njëri prej të cilëve ka qenë drejtor i Kadastrës. Vëllezërit Krasniqi kanë qenë më herët të përfshirë në një ngjarje të njohur në Fier, duke u përfolur për lidhje me segmente vendimmarrëse brenda administratës.

Ky punësim në kompani të lidhura me struktura të pushtetit shton dyshimet mbi rrjetin e mbështetjes politike që e ka shoqëruar Zegjinen drejt karrierës së saj të shpejtë.

KONTRASTI I FORTË: NGA “ROJTORE” TE PRIVILEGJET E DEPUTETES

Sot, Zegjine Çaushi mban një nga pozicionet më të privilegjuara në hierarkinë shtetërore:

  • pagë mbi 5,000 euro/muaj bashkë me shtesat
    • përfitime të tjera financiare
    • të drejtë për pjesë të pagës edhe nëse nuk rikandidohet
    • pension të posaçëm parlamentar

Nga ana tjetër, pak muaj para mandatit, ishte një punonjëse sigurie në një ndërmarrje shtetërore.

Ky kontrast e bën edhe më të fortë pyetjen që sot bëjnë shumë qytetarë:

“O Gazoo… nga rojtare objekteve tek deputete e Parlamentit, si u bë kaq e fuqishme dhe kaq e pasur për kaq pak kohë?”

KONKLUZIONI INVESTIGATIV

Rruga e Zegjine Çaushit është një histori tipike e promovimit politik pa meritë, ku:

Punësimi në ndërmarrje shtetërore shërben si trampolinë për karrierë.

Lidhjet me figura si Belinda Balluku janë vendimtare për futjen në listat e PS.

Punësimet e shumëfishta dhe kursimet e pazakonta hapin pikëpyetje për transparencën dhe burimin real të të ardhurave.

Në pozicionet publike, përgjegjësia shmanget dhe dosjet zbehen, ndërsa karriera ecën me shpejtësi.

Kjo është historia e një “rojtarjeje objektesh” që sot paguhet më shumë se specialistët më të paguar në Shqipëri, një realitet që tregon qartë se si funksionon meritokracia e shtetit partiak./Publik.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

SPAK propozon Joni Ketën si drejtues të ri të BKH-së

0

SPAK ka propozuar për në krye të BKH Joni Ketën, aktualisht zëvendësdrejtori i BKH-së.

Emri i tij do t’i dërgohet zyrtarisht KLP-së për votim dhe miratim.

SPAK pritet të publikojë brenda pak kohësh njoftimin zyrtar për kandidatin e propozuar.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Meta u vetëofrua si dëshmitar për “21 Janarin”, ja si e komenton Berisha

0

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, është vetëofruar të jetë dëshmitar në procesin për “21Janarin”, ku pretendon se ka informacione që nuk kanë dalë në dritë.

Kryetari i partisë Demokratike Sali Berisha, i pyetur nga mediat në lidhje me këtë fakt, u shpreh se Meta edhe mund të ketë informacione pasi në atë kohë ishte zëvendës kryeministër, por ka zbuluar se Meta në atë kohë i ka shkuar në zyrë dhe i ka deklaruar se do të japë dorëheqjen, pasi nuk do të shkonte në prokurori me statusin e zyrtarit të lartë.

“Dihet botërisht se Edi Rama për të organizuar “21 Janarin’ manipuloi dhe falsifikoi një regjistrim të madh nga i ndjeri Dritan Prifti. Sipas të cilit Meta ishte paguar 700 mijë euro nga një biznesmen që kërkonte të drejtën e tij. Sali Berisha kryeministër, së pari kishte dëgjuar Dritan Priftin që i kërkonte ta emëronte në një detyrë tjetër të rëndësishme ose përndryshe ka një regjistrim. I thash nxirre sapo të dalësh nga dera e zyrës time. Kurrë nuk më merr mua pushtetin.

E dyta, kishte një shkresë të firmosur nga pronari i një kompanie që kishte fituar me gjyq të drejtën e koncesionit të një hidrocentrali.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Tërmeti tragjik i 26 nëntorit, deputeti Kapri: Pas 6 vitesh ka ende familje pa shtëpi, ku shkuan paratë e BE?

0

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, në 6-vjetorin e tërmetit tragjik që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019 ka denoncuar faktin që ende ka familje të cilat janë pa shtëpitë e tyre të shkatërruara nga lëkundjet sizmike.

Në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet e Brendshme Kapri ka ngritur shqetësimin përballë kreut të Emergjencave Civile, Haki Çako duke sjellë raste konkrete të denoncimit të qytetarëve që ende pas 6 vitesh janë rrugëve dhe presin nga shteti shtëpitë e rindërtuara.

“Tani njerëzit na ndjekin zoti kryetar dhe është një vajzë që quhet Eva dhe thotë: “Kam 6 vjet me qira dhe pres banesën nga tërmeti”.

6 vjet! O ka qenë emergjencë tërmeti në këtë vend o s’ka qenë gjë tjetër.

Njerëzit janë rrugëve akoma, janë rrugëve në Durrës, në Tiranë, kudo! Ka kaluar 6 vjet!”, u shpreh Kapri.

Sipas deputetit të partisë Mundësia, pas tërmetit u mblodhën mbi 1.15 miliardë euro fonde në Bruksel, qindra milionë u dhanë nga Bashkimi Europian por këto para nuk dihet ku kanë shkuar pasi e vërteta është se qytetarët ende po kërkojnë banesat e shkatërruara nga kjo fatkeqësi natyrore.

“6 vite nga tërmeti që mori jetë, la mijëra familje pa çati dhe ende ka njerëz që janë rrugëve. Në Bruksel u mblodhën mbi 1.15 miliardë euro fonde, shqiptarët anë e mbanë botës dhuruan me e-albania, Bashkimi Europian dha qindra milionë, u ngrit dhe një ministri e dedikuar Rindërtimi.

Ku shkuan paratë? Si ka mundësi që 6 vite më pas, ka ende familje pa shtëpi?”, thekson deputeti Kapri.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Rama mbledh qeverinë, e para pa prezencën e Ballukut pas pezullimit nga detyra

0

Qeveria po mban sot mbledhjen e radhës, e para pa prezencën e Belinda Ballukut, pasi u pezullua nga GJKKO si zëvendës kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Mbledhja ka nisur në orën 12:00, dhe po drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

Çështja Balluku është dërguar në Gjykatën Kushtetuese pasi qeveria pretendon se GJKKO cenoi pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.

Kreu i qeverisë ka deklaruar se vendimi i gjykatës do të respektohet, por vendi i zëvendës kryeministrit do të mbetet bosh derisa Kushtetuesja të shprehet për çështjen. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Kush është pro “grushtit të shtetit”?

0

Nga Andi Bushati

Pezullimi nga detyra i zv/kryeministets Belinda Balluku, menjëherë pasi ajo u mor e pandehur nga SPAK për tenderat e tunelit të Llogarasë dhe atij të unazës së Tiranës, po përcillet me tone alarmiste nga mbështetësit e qeverisë, që po nxitojnë ta përshkruajnë atë si një “grusht shteti”. Në themel të argumenteve të tyre qëndron prishja e balancës mes pushteteve dhe frika e precedentit se një prokuror apo një gjykatës, mund të vendosin për të shkarkuar apo emëruar ministra. Si mundet drejtësia të ndërhyjë në mandatet e atyre që gjenden aty falë votës popullore? Çfarë gjëme mund të ndodhë, nëse papritmas, shefi i qeverisë sëmuret dhe ai nuk ka ku ta delegojë detyrën, pasi zëvendësen ia kanë “ngrirë”? Kush mund ta përfaqësojë kryeministrin jashtë shtetit në udhëtimet që ai nuk mund të shkojë-, bëjnë sikur shqetësohen ata.

Pra, ky paralizim i supozuar i punës së ekzekutivit, nga bashkëpunimi mes SPAK dhe GJKKO-së, barabitet në këndvështrimin e tyre me një puç.

Në fakt, situata është larg së qeni kaq rrënqethëse dhe e rrezikshme. Një grusht shteti, konsiderohet i tillë, kur “viktimat” e tij, nuk kanë mundësinë për apelim. Në këtë rast, edhe Rama, që qahet se i kanë hyrë në kompetenca edhe Balluku që prtetendon se askush nuk ka të drejtë ta pezullojë, i kanë të hapura mundësitë për të shkuar në Gjykatën Kushtetuese, ashtu sikurse kanë bërë. Pra, puç ndaj të cilit mund të ankohesh nuk ka se si të ketë.

Po le të shkojmë më tej. Koncepti i rrëmbimit me dhunë të kompetencave të një pushteti tjetër, mer kuptim llogjik kur ky i fundit vihet me shpatulla për muri dhe mbetet pa zgjidhje. Situata imagjinare që kryeministrit i bie, largqoftë një atak, dhe kompetencat e tij mbeten pa zot, mund të përbënte teorikisht një kazus ilustrues. Por edhe në këtë rast, Edi Rama, nuk është pa zgjidhje, madje ka disa të tilla. Së pari, në një vend normal, që porsa u mor e pandehur, pa pritur që ta ç’mobilizonin, Balluku me dinjitet mund të kish dhënë dorëheqje. Ajo zëvendësohej dhe askush nuk kishte pse shqetësohej për krizë. Së dyti, vetë kryeministri, që në 12 vjet ka treguar se vetëm ai është i pazëvendësueshëm, mund ta shkarkonte dhe të caktonte një pasardhëse. Së treti, Edi Rama dhe PS i kanë votat e mjaftueshme për të ndryshuar organigamën e Këshillit të Ministrave dhe nëse duan ta mbajnë me çdo kusht Belën, qoftë dhe të ngrirë, mund të caktonin edhe një, dy, apo tre zv/kryeministra përkrah asaj.

Për të gjitha këto arsye, një ngërç për të cilin gjenden pafundësisht zgjidhje, nuk mund të shitet si një puç institucional. Duke pezulluar ministren e infrastrukturës dhe zvendësen e kryeministrit, drejtësia as e ka imagjinuar e aq më pak ta ketë realizuar, paralizimin e pushtetit ekzekutiv.

Po, atëherë, kur nuk ka patericë që ta mbajë në këmbë, pse u ngrit kjo tymnaja e grushtit të shtetit? Arsyeja është e thjeshtë, shumë më pak juridike sesa politike, shumë më pak institucionale sesa propagandistike.

Ajo lidhet hapur me interesat e Edi Ramës. Rasti Balluku është shumë më i veçantë se paraardhësit, kur drejtësia ka shënjestruar brenda vathës së kryeministrit. Një forcë e padukshme duket sikur e ka trimëruar SPAK-un, të godasë në zëmër të pushtetit, pa marrë paraprakisht lejen e shefit. Të njëjtët faktorë po gërmojnë në thelbin e vendimarrjes së tij, në ca tendera ku ai nuk mund të përdorë më alibinë se janë bërë pas shpinës së vet. Prokurorët sepecialë, për herë të parë, po godasin një anëtar qeverie në detyrë, madje numrin dy të saj.

Të gjitha këto “risi”, e kanë detyruar kryeministrin që të përgënjeshtrojë ato që ka deklamuar përgjatë një dekade. Ai dikur përbetohej se Partia Socialiste dhe qeveria nuk do bëhen mburojë e njerëzve në hetim, tani po sillet ndryshe. Ai dikur predikonte se ata s’duhet të kërkojnë mbështetje politike, por avokat, tani e ka veshur vetë këtë togë. Ai dikur thoshte se gjithmonë do të ketë të babzitur që do hanë kumblla dhe dardha pa djeninë e tij, tani se përdor dot më këtë alibi.

Nuk dihet nëse – ashtu siç pëshpëritet pa fakte, Rama mund të ketë ndryshuar qëndrim prej shantazheve të Ballukut. Po aq e pa sigurtë është edhe pandehma se ai ka vendosur ta mbrojë atë, pasi frikësohet se loja mund ti dalë nga kontrolli dhe se laku po mblidhet rreth tij.

Këto hipoteza, sado që ngjajnë logjike, mund të jenë edhe shumë larg të vërtetës. Por ato sëbashku përmblidhen në një emërues. Rasti Balluku është i ndryshëm nga të gjithë ato të shokëve të shitur rrugës dhe këtë e vërteton fakti se, këtë radhë, Edi Rama, po sillet 100% ndryshe nga të gjithë herët e tjera.

Për të fshehur sadopak një legenosje ulëritëse në sy të publikut atij i duhej tymnaja që ngritën borizanët e alarmit të grushtit të shtetit. Ajo përbënte zhurmuesin e vetëm të mundshëm për të mos folur për një të vërtetë bazike: mbajtjen në detyrë të një të dyshuare si hajdute recidiviste që, duke ndejtur në karrige, mund të përsërisë të njëjtat skenare që u zbuluan nga celulari i Elvis Berberit.

E pra, kaq i thjeshtë është roli i atyre që vunë kujën për rrezikun e një puçi. Paradoksalisht, ata që dukej sikur po përpiqeshin të na mbronin, janë promovuesit kryesorë që ai të ndodhë. Sepse grusht shteti nuk është ai ndaj të cilit gëzon të drejtën të ankohesh, të apelosh apo ke mundësinë të gjesh zgjidhje. Grusht shteti është të qëndrosh në detyrë edhe pasi je kapur me dorën në thes, duke pretenduar ta vijosh këtë ves pa pyetur për normat e shtetit ligjor.

Akoma dhe më e vërtetë bëhet kjo në mjedisin shqiptar, ku sistemi nuk vuan nga paralizimi qeverisë prej pushteteve të tjera, por nga hiperfuqia e saj për të bërë ç’të dojë, pa dhënë llogari askund. Prandaj alarmi i propogandistëve të rilondas, përveçse fallc, është edhe pervers, pasi ai mëton të ruajë të pacënuara pozitat dhe liritë e atyre që janë vërtetuar se kanë dorë./Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“E le Roelin jetim…”, mesazhi rrëqethës i partneres pas vdekjes së Shpat Kasapit

0

Pas lajmit të hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të Shpat Kasapit ka reaguar edhe partnerja e tij Selvija, me të cilën ka edhe një fëmijë 3-vjeçar.

Selvija shprehet e shkatërruar në një postim të gjatë në rrjetet sociale, ku tregon se këngëtari ka ndërruar jetë pikërisht në krahët e saj.

Në mesazhin prekës, Selvija shkruan se ditët e fundit kishin qenë të mbushura me shpresë për ta, pasi po prisnin dokumentet e vogëlushit Roel për t’u trajtuar në Itali. Ajo tregon për lodhjen, stresin dhe bashkëpunimin e tyre të përditshëm, teksa ndiqnin hapat e rritjes së djalit të tyre.

“Ndërrove jetë në krahët e mi, o jetë… Sa të lumtur ishim që më në fund Roelit po i bëheshin dokumentet në ltali, që të mund ta çonim sa më shpejt tek logopedët më të mirë. Sa jemi lodhur, sa jemi stresuar… dhe askush nuk e di! Sa të afërt kemi qenë, sa bashkëpunues në privatësinë tonë, duke shijuar rritjen dhe zhvillimin e Roelit. Nuk prite ta dëgjoje duke të thirrur babi… nuk prite, Shpat. Nxitove dhe na le këtu vetëm, pa ty. E le Roelin jetim, o Shpat… Në kohën kur më së shumti kishte nevojë për ty.”, shkruan Selvija.

Së fundmi, në media kishin qarkulluar lajme për një ndarje të mundshme mes çiftit, por reagimi i Selvijes tregon të kundërtën.

Partnerja e këngëtarit shprehet më tej: “Si t’ ia shpjegoj Roelit që babi nuk është më? Më thoje gjithmonë se do të më doje deri sa vdekja të na ndante… por pse u ndave nga jeta në krahët e mi, pse ma këpute zemrën kështu, o jetë?”

Mesazhin e saj rrëqethës, Selvija e përfundon me lutjen që një ditë të takohen sërish.

Lajmi, i raportuar fillimisht nga mediat e Maqedonisë së Veriut, ka tronditur jo vetëm familjarët dhe miqtë e tij, por edhe mbarë publikun dhe komunitetin artistik në të gjitha trevat shqiptare.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx