Ballina Blog Faqe 153

Rama dërgon shkresës për vakancat në 6 bashki në Presidencë, përfshirë dhe Veliajn

0

Kryeministri Edi Rama ka dërguar zyrtarisht në Presidencë shkresën që njofton vakancat në drejtimin e gjashtë bashkive: Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Cërrik dhe Tepelenë. Dokumenti mban datën 30 shtator dhe i hap rrugë nisjes së procedurave institucionale për zëvendësimin e kryetarëve të shkarkuar nga Këshilli i Ministrave pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që konfirmoi pavlefshmërinë e mandateve të tyre.

Në listë përfshihet edhe Bashkia e Tiranës, ku një ditë më parë kryebashkiaku Erion Veliaj depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një ankim për të kundërshtuar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, duke e cilësuar atë të paligjshëm.

Procesi pritet të pasohet nga vendimmarrja e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore në këto bashki.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Shehaj: S’ka negociata me PD pa u rënë dakord për një kandidat jashtë politikës

0

Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar në një konferencë për shtyp këtë të hënë se forca që ai drejton nuk ka zhvilluar ende negociata me Partinë Demokratike për kandidatin e përbashkët të opozitës për Bashkinë e Tiranës.

Shehaj ka qenë i prerë se nuk do të ketë asnjë bisedim me PD-në, nëse paraprakisht nuk merret një vendim që kandidati opozitar të jetë jashtë politikës, i pakorruptuar dhe përbashkues për të gjitha partitë opozitare.

“Partia Mundësia ka alternativa shumë të mira, dhe jam i bindur se ato mund të fitojnë përballë kandidates socialiste. Deri tani nuk kemi bërë negociata me PD, por do të punojmë që të dalim me një kandidat të përbashkët jashtë partive politike. Do të ngulim këmbë për këtë. Ne jemi një parti politike e re, por kemi treguar se nuk i trembemi garës. Nëse PD na thërret në negociata për të parë emrat që ata kanë përzgjedhur, kjo është totalisht kundër asaj që besojmë. Nuk do të ulemi në negociata nëse nuk është vendosur më parë që kandidati të jetë jashtë politikës”, u shpreh Shehaj.

I pyetur nga gazetarët nëse ky qëndrim përbën një kushtëzim për PD-në, Shehaj tha se kërkesa për një kandidat të tillë nuk është kusht i partisë së tij, por një domosdoshmëri që e ka vendosur vetë elektorati.

“Unë nuk po e kushtëzoj askënd. Është elektorati që e ka vendosur këtë. Prej 12 vitesh opozita humbet, dhe nëse duam fitore, duhet të ofrojmë diçka ndryshe. Kemi nevojë për një kandidat të ndershëm, të pakorruptuar dhe jashtë politikës”, deklaroi ai.

Shehaj theksoi se Partia Mundësia ka alternativa reale për të fituar përballë kandidates së mazhorancës, por gjithashtu është e gatshme të bashkëpunojë me PD-në dhe opozitën, nëse bëhet një hap përpara në drejtim të përzgjedhjes së një kandidati përbashkues.

“Nuk mund të ulemi në tryezë pa e ditur se çfarë do të negociojmë. Nëse PD kërkon thjesht mbështetjen tonë për një kandidat të vetin, është e kotë të flasim. Por nëse duan të bashkëpunojmë për të gjetur një kandidat që bashkon opozitën dhe tërheq vota edhe përtej saj, atëherë po, kjo është një mundësi reale për fitoren. Nëse duam të zgjedhim një kandidat të pakorruptuar për Bashkinë e Tiranës, duhet t’i shtrijmë dorën të gjithëve – qoftë Qorit, Lapajt apo Shabanit”, përfundoi Shehaj.

Prej tre muajsh, Agron Shehaj dhe Partia Mundësia kanë dalë me propozimin se opozita mund ti fitojë zgjedhjet në Tiranë, vetëm nëse bashkohet rreth një kandidati jo-politik, të njohur në shoqëri dhe me integritet të lartë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Monika Kryemadhi për Ilir Metën: Ai është heroi im!

0

Monika Kryemadhi është pyetur nëse ia ndjen mungesën Ilir Metës. E ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv, Kryemadhi e quajti Metën heroin dhe babain e fëmijëve të saj.

Pyetje: A e ndjeni mungesën e Ilir Metës?

Kryemadhi: Po patjetër. Ai është babai i fëmijëve të mi dhe është heroi im. Unë pa Ilir Metën s’do isha kjo që jam.

Deklarata e saj vjen në një periudhë kur Meta është larguar nga skena publike, ndërsa zhvillimet politike rreth partisë së tij vijojnë të jenë në fokus.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Hoqi dorë nga partia e re, Zhaku: Nuk ia vlen të humbas kohë me këtë popull

0

Në dhjetor të vitit të shkuar, Inida Gjata dhe Elena Kocaqi themeluan partinë Aleanca Kombëtare Shqiptare për të garuar në zgjedhjet e vitit 2025. Partia në thelb kishte dhënien e një kontributi të vlefshëm për vendin, por tashmë Zhaku duket se ka hequr dorë nga kjo.

Në programin “Rudina”, ajo thotë se ambicia politike është shuar brenda dy muajve. Me lirshmërinë e saj të zakonshme në të shprehur, Inida thotë se në të vërtetë shqiptarët nuk e duan ndryshimin ndaj refuzon t’i kushtojë kohën e saj një nisme të tillë kur mund ta shfrytëzojë për jetën e saj.

Intervista:

Inida Gjata: Unë mund të jem e para që themelon parti dhe brenda dy muajsh jep dorëheqjen nga ajo.

Rudina Magjistari: Ke hequr dorë nga ideja e politikës përfundimisht apo…

Inida Gjata: Jo, unë jam e interesuar vetëm të bëj një fushatë ku të ndryshohet Kodi Penal, të legalizohen disa gjëra të caktuara që mendoj unë që duhen legalizuar në Shqipëri, por e pashë pastaj të panevojshme që unë vetë personalisht që unë vetë të heq dorë nga jeta ime prej konteshe dhe kohën që mund t’ia dedikoj djalit tim apo familjes sime, miqve të mi, të rri dhe t’ia përkushtoj, ta shpenzoj në dobi të popullit shqiptar.

Rudina Magjistari: Pse?

Inida Gjata: Po nuk mendoj që e meriton!

Rudina Magjistari: Pse?

Inida Gjata: Sepse nuk e duan ndryshimin, llaf e kanë, me vepra nuk e duan. Kështu që, pse të bëj armiq unë kur i kam punët në terezi? Gjysma e miqve të mi në qeveri, pse të shaj unë qeverinë? Në rregull janë të gjithë, vazhdoni përpara, unë jetën time në rregull e kam./TvKlan

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Alimehmeti: Berisha më propozoi të jem kandidat për Bashkinë e Tiranës, por e refuzova. Ja pse

0

Anëtari i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike, Ilir Alimehmeti, i ftuar në Klan News, foli më tepër, në lidhje me takimin që ka pasur me kreun e PD-së, Sali Berisha.

Alimehmeti tha se ka pasur një takim me Berishën dhe se kryetari i partisë i ka bërë ofertën për të qenë kandidat për Bashkinë e Tiranës. Ai tha se ka refuzuar, pasi ka një plan strategjik më afatgjatë, atë që Partia Demokratike të fuqizohet hap pas hapi, me qëllim që të fitojë zgjedhjet në vitin 2029.

“Po, kam pasur një takim me Sali Berishën, pasi ai është kryetari i partisë dhe është normale të kem bisedë me të. Vijoj t’i qëndroj besnik projektit tim, që kam pasur edhe më herët më 2022. Kjo do të thotë që jam për një garë me ekip dhe garë me mandat katër vjeçar, që të ketë mundësi të ketë program qeverisës katër vjeçar, që aktualisht nuk është. Unë e mendoj kështu që, kandidatë të ndryshëm, grupe të ndryshme, ofrojnë programe politike pranë kryetarit dhe Kryesisë dhe vendosin ata se cili projekt është më i mirë. Më bëri ofertë për të qenë kandidat për Bashkinë e Tiranës. Por, projektet duhet të ecin bashkë. Por unë mendoj në mënyrë afatgjatë. Mendoj se gara e vërtetë politike është më 2029.  Ne na duhen që të fitojmë sa më shumë bashki në zgjedhjet lokale të vitit 2027 me anë të riorganizimit, që të fitojmë ‘terren’ dhe më tej të kemi projekt me etapa, për të fituar zgjedhjet”, tha Alimehmeti.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ministrja e re e Shëndetësisë me orar part-time! Shkon 2 javë te puna në Itali

0

Dy ditë pas prezantimit që i bëri kryeministri Edi Rama dhe nisjes së detyrës, Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ia la detyrat vartësve dhe mbathi në Itali për dy javë, duke i vënë në dijeni se do të rikthehet në ministri më 2 tetor 2025.

Sipas informacionit të siguruar nga “Pamfleti”, ministrja Evis Sala shkoi të paraqitet në punën e saj si shefe e Qendrës së Imazherisë Diagnostike dhe Radioterapisë Onkologjike në Poliklinikën e Spitalit “Gemelli” në Romë, si dhe pedagoge në universitetin me të njëjtin emër.

Nuk ka shkuar për të bërë dorëzimet, por për të kryer detyrimet që ka në Itali me kontratë private, paralelisht me detyrën si Ministre e Shëndetësisë në Shqipëri sipas marrëveshjes me Ramën. Shkuarja e ministres dy javë në muaj në Itali lë të kuptohet se është bërë në dakordësi me Ramën, për të mbajtur vendet e punës në “Gemelli”, ndërsa dy javë të tjera do të jetë ministre në Shqipëri.

Sipas rregullores, ajo duhet të jetë çdo të mërkurë në mbledhjen e qeverisë, por për këtë duket se është menduar që Evisi të votojë vendimet online dhe t’i firmosë një herë në dy javë kur të kthehet në Shqipëri, ndërsa tenderët do t’i nënshkruajnë vartësit dhe do t’ia kontrollojë “kolegia” Diella.

Edhe në Parlament, ajo duhet të shkojë një herë në javë si ministre kur zhvillohen seancat, por fakti që nuk është deputete dhe nuk ka votë për qeverinë, e lë hapësirë të paraqitet dy herë në muaj kur të jetë në Shqipëri. Madje vetë Rama shkon një herë në tre muaj në seancat parlamentare.

Kur të kthehet nga puna në Itali, ministrja Evis Sala pritet të justifikohet se shkoi për të marrë platformat e reformimit të shëndetësisë në Shqipëri, me synimin për ta bërë mjekësinë “lider në Ballkan e konkurruese në botë”. Por nga fjala e saj ditën e prezantimit dhe nga nisjet vajtje-ardhje te punët e tjera në Itali, kuptohet se Evisi nuk e ka mendjen te problemet e shëndetësisë shqiptare.

Rama duket se e ka sjellë mikeshën Evis Sala në Shqipëri dhe e emëroi ministre për të “bërë lekë” sa të mundet, pa u penguar, dhe më pas për t’u kthyer në Itali. Ashtu si solli pas vitit 2013 shumë miq e mikesha nga jashtë, ndër to Mirela Kumbaron, e cila ka qenë tre herë ministre në sektorët kulturë, turizëm, mjedis e arsim, ku bëhen “lekë me thasë”.

Pyetja është: a e ka sjellë Rama edhe Evis Salën për të njëjtin qëllim? Sepse sektori i shëndetësisë ka miliona euro tenderë për investime, ilaçe, ushqime, pajisje dhe materiale mjekësore, që kalojnë nëpërmjet klientëve të njohur si Janis Karathanos, Tom Doshi, Kliti Hoti, Nikolin Jakaj, Dorian Sadiku, Rasim Hamzaraj, Lefter Lamaj, Nik Halili i grupit “Ndrangheta” etj., me të cilët kanë bashkëpunuar më parë Ilir Beqja, Ogerta Manastirliu dhe Albana Koçiu.

Evis Sala e di mirë se çfarë është bërë me fondet e shëndetësisë me “bekimin” e Ramës. Kjo është arsyeja pse ka pranuar këtë detyrë, për të përfituar dhe për t’u larguar sërish “pa i hyrë gjëmb në këmbë”.

Ministrja nuk është keq financiarisht, pasi përveç pagave të majme në Itali, vazhdon të paguhet 15 mijë euro në muaj si drejtuese në Universitetin “Western Balkans” të Spitalit Amerikan në Tiranë, të cilit tani si Ministre e Shëndetësisë do t’i firmosë pagesat për koncesionin e dializës./Pamfleti

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Zegjine Çaushi mban fjalën e parë në Kuvend: Do përfundoni si Gazi

0

Gjatë seancës së sotme plenare deputetja e Partisë Socialiste, për Qarkun e Fierit Zegjine Çaushi ka mbajtur fjalën e parë si deputete.

Ajo ka akuzuar deputetët e opozitës se kanë disa seanca që merren me ofendime dhe se sjellja e bërë prej tyre nuk mund të pranohet në çdo seancë. Teksa ka shtuar se mazhoranca është pasqyra e qytetarëve.

Deputetja ka thumbuar Gazment Bardhin, ashtu siç ka ndodhur edhe përgjatë gjithë fushatës ku ajo u bë virale në rrjetet sociale për “komunikimet” në distancë që i bënte atij dhe kundërpërgjigjet që merrte nga kreu i grupit parlamentar të PD. “Gazi nuk është se atë sjellje ka Gazi. Dhe ju të tjerët si Gazi do përfundoni.” është shprehur ajo.

Fjala e plotë:

Është e papranueshme të dëgjojmë të njëjtin fjalor. Këtu ne jemi pasqyra e qytetarëve dhe kjo sjellje nuk mund të pranohet në çdo seancë. Keni kaq shumë seanca që jeni marrë vetëm me ofendime, për program, për Diellën e për çdo gjë tjetër. Ju e keni pasur mundësinë që të dëgjonit programin, dhe ishit ju që e kthyer atë seancë të parë që ne deputetët e rinj mezi po e prisnim arritët ta ktheni në kaos. Të kthehemi në normalitet. Gazi nuk është se atë sjellje ka Gazi. Dhe ju të tjerët si Gazi do përfundoni.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Avokat Gjokutaj thirrje Berishës: Duhet të pastrosh Partinë Demokratike

0

Avokati Genc Gjokutaj, i ka bërë thirrje Sali Berishës për pastrim të Partisë Demokratike nga njerëzit e Sorosit.

Sipas tij, ata bashkëpunojnë fshehurazi me Ramën.

Postimi i Gjokutajt:

Xhorxh Soros & sons & co janë një sekt politiko financiar keqbërës kudo ku kanë shkelur nëpër botë dhe posaçërisht në Shqipëri!

Të afërt dhe bashkëpunëtorë me shqipfolësit e Qeverisë dhe Rilindjes në bashkëpunin dhe bashkëfinancim ata shpopulluan Shqipërinë, po ligjërojnë prindin 1 dhe prindin 2 nëpërmjet homomartesave, po luftojnë kundër identitetit tonë kombëtar dhe krimi më makabër që projektuan dhe po e zbatojnë është burgosja, atrofizimi deri në asgjësim i Opozitës!

Kjo platformë e Soros nuk mund të realizohej pa kontributin e sorosjanëve këtu në Shqipëri!

Me ardhjen në pushtet të Ramës dhe Rilindjes sorosjanët dolen nga muret e Fondacionit dhe hynë në Qeveri! Por mbetje të tyre i gjen fatkeqësisht sot edhe në Opozitë!

Desorosifikimi i shoqërisë shqiptare është një plan perspektiv i cili kerkon domosdoshmërisht rotacion politik!

Por desorosifikimi i Opozitës dhe posaçërisht i PD është plan emergjent pasi zgjedhjet e Tiranës nuk presin dhe nuk durojnë dot asnjë firo!

Pastrimi i shtëpisë si detyrë e caktuar nga Lideri Berisha ditën e lirimit të tij nga arresti sorosjan po ecën ngadale për të mos thënë fare!

Kjo ndodh ne një kohë kur aleati ynë strategjik konservator Presidenti Trump dhe ShBA kane filluar pastrimin ligjor dhe praktik te shtëpisë së tyre nga tumori Soros!

Ndersa në Tiranë po miratohet ligji prindi 1 dhe 2!

Të nderuar Demokratë!

Vetëdeklarimi i pjesëmarrjes në Fondacionin “Shoqëria e Hapur” të Xhorxh Soros duhet të kthehet në obligim për çdo anëtar dhe simpatizant të Opozitës dhe PD!

E lëre pastaj për kandidatët e saj në nivel qendror apo lokal!

Nëse nuk bëjmë këtë shtëpinë tonë Opozitare do ta lemë pa pastruar! E midis atij pisllëku nuk do të na hyjë kërkush në derë as i huaj e as shqiptar madje do të dalim edhe vetë jashtë duke braktisur shtëpinë e duke e lënë edhe pis edhe me turp!

Lufta me seanca dhe pazare me hasmin nuk ekziston logjikisht dhe ndershmërisht!

Ajo ka një shkak madhor kur fillon dhe duhet medoemos ti shkohet deri në fund dhe me fitore!

Për Shqipërinë dhe brezat e mbetur mes 4 rrugëve nga Kompania Sorosjane në pushtet!

Ti thuash sorosjan Xhorxh Sorosit nuk bën asnjë gabim!

Por ti thërrasësh sorosjan shqipfolësve tanë në pushtet dhe të bashkëpunosh hapur apo fshehurazi me ta është tradheti kombetare qe duhet ndeshkuar çdo minutë madje edhe në ëndrra duke fjetur gjumë!

Ndryshe lodhemi kot!

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Mashtruesa, hapni derën”, qytetari futet dhunshëm në sallën e Këshillit Bashkiak në Vlorë

0

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Këshillin Bashkiak të Vlorës, teksa një qytetar i nervozuar është futur dhunshëm në sallën ku po zhvillohej diskutimi.

Pasi ka shtyrë fuqishëm derën, ai ka deklaruar se ka 5 vite që nuk është shpronësuar për pronën e tij, ndaj edhe kërkonte përgjigje.

Pas hyrjes në sallë ai është përplasur verbalisht edhe me një prej këshilltarëve, duke e quajtur fillimisht mashtrues.

Pas daljes nga salla ai është shprehur shkurtimisht për mediat se në të njëjtën situatë me të ndodhen edhe rreth 25 persona të tjerë.

Sipas tij, ai është përballur me shtyrje të panumërta për kompensimin, të cilat i konsideroi “manipuluese” nga ana e institucioneve.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Vrenozi, ironi me opozitën: Na shpëtoi ankimimi i Veliajt në Kushtetuese, se s’po gjenim dot kandidatin!

0

Demokrati Ilir Vrenozi nuk i ka kursyer ironitë me të tijtë sa i përket zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë.

Sipas tij, ankimimi i Erion Veliajt në Kushtetuese e shpëtoi opozitën që s’po gjen dot një kandidat, pasi zgjedhjet mund të mos mbahen.

“Lali ne rradhe te pare me kete ankimim na shpetoi ne, se nuk po gjenim dot kandidat.. tani vazhdon ankimimi i lalit deri ne Janar … deri ne Janar e kemi gjetur ne kandidatin” – shkruan Ilir Vrenozi në rrjetet sociale.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx