Ballina Blog Faqe 49

Në Shqipëri, arkitektët e dalluar nga “revolucioni i flamingove” po fshehin kokën në rërë

0

Nga Isabelle Regnier, Le Monde

«Arkitektë yje, shkoni në shtëpi!» — Më 3 qershor, mes flamingove rozë të fryrë dhe pankartave ku shkruhej «Shqipëria nuk është në shitje» apo «Edi Rama, dorëhiqu!», ky slogan me nuanca situacioniste, i vërejtur në bulevardin qendror të Tiranës, shprehte veçantinë e një situate politike që prej më shumë se tre muajsh i ka nxjerrë shqiptarët çdo ditë në rrugë.

Nuk ndodh çdo ditë që arkitektët të bëhen objekt sulmi në një kryengritje popullore. Por në këtë vend, ndër më të varfërit e Evropës dhe ndër më të korruptuarit — indeksi i perceptimit të korrupsionit i organizatës joqeveritare Transparency International për vitin 2025 e rendit Shqipërinë në vendin e 91-të nga 182 vende — arkitektët më të famshëm luajnë një rol politik të dorës së parë.

Gjatë njëzet viteve të fundit, ata janë vënë në garë për të riformësuar kryeqytetin: njëri me një kullë të skalitur si një fytyrë, tjetri me një piramidë shumëngjyrëshe, një tjetër me një ndërtesë që të kujton një lojë gjigante Kapla.

Të ftuar drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama, i cili mbështetet te fama e tyre dhe te ndërtesat e tyre ekstravagante për të projektuar imazhin e një vendi të angazhuar në një modernitet tërheqës, ata ndërhyjnë jashtë kuadrit rregullator të Bashkimit Evropian, pa kufizime të mirëfillta mjedisore apo sociale dhe pa u shqetësuar për planet lokale të urbanistikës.

Kjo «arch-army», siç e ka quajtur vetë porositësi, prej disa vitesh ka shtrirë aktivitetin edhe në brigjet e Adriatikut dhe Jonit.

Në muajin maj, zbulimi i disa gardheve që rrethonin një hapësire bregdetare, e cila deri atëherë ishte e aksesueshme nga të gjithë, alarmoi banorët e komunës së Zvërnecit për atë që po përgatitej në zonën e tyre: një projekt resorti luksoz që shtrihet mes bregdetit dhe një ishulli fqinj, ishullit të Sazanit, të cilin një ligj i miratuar në vitin 2024 e autorizon ta shndërrojë në një destinacion turistik, ndonëse aty strehohet një rezervat i çmuar biodiversiteti.

Operacioni, me vlerë 5 miliardë dollarë (4,3 miliardë euro), financohet nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, dhe kompania e tij Affinity Partners, e cila qëndron gjithashtu pas projektit imobiliar lidhur me Gazën.

Represioni brutal, në fund të majit, ndaj një proteste të organizuar në Zvërnec i dha shkëndijën fillestare valës së protestave, e cila më pas u përhap në Tiranë.

Ndërkohë, protestuesit e ngritën nivelin e kërkesave të tyre, duke kërkuar një kontratë të re sociale, reformë kushtetuese dhe zgjedhore, si dhe dorëheqjen e zotit Rama.

Po arkitektura, çfarë roli ka në gjithë këtë?

Ajo është në qendër të debatit. Së pari, sepse simbolizon ndërthurjen e pushtetit politik me spekulimin imobiliar dhe përvetësimin e fitimeve nga një grusht të privilegjuarish, në dëm të së mirës së përbashkët. Dhe së dyti, sepse ajo vetë merr pjesë në këtë proces.

Kjo u pa qartë më 3 qershor, ditën e hapjes së «Bread & Heart», një festival arkitekture i destinuar për të promovuar politikën e kryeministrit.

Nga Jeanne Gang te Bjarke Ingels, nga Reinier de Graaf te Pierre de Meuron, përmes Francis Kéré, Ma Yansong, Petra Blaisse, Christian Kerez apo Charles Renfro, arkitektët më të mëdhenj të botës kishin ardhur në Shqipëri.

Përpara zyrave të kryeministrit, ku zhvillohej aktiviteti, protestuesit u shpërndanë atyre fletëpalosje që riprodhonin një letër të hapur të publikuar online një ditë më parë.

«Kupola e propagandës»

E nënshkruar nga qindra arkitektë, artistë dhe ambientalistë shqiptarë, letra vinte në dukje cinizmin e temës së zgjedhur për këtë edicion, «Landscape of abundance» («Peizazh i bollëkut»), në një kohë kur «mijëra shqiptarë janë në rrugë» për të kundërshtuar «shkatërrimin e një prej peizazheve më të bukura dhe më të rëndësishme të vendit».

Ajo u bënte thirrje të ftuarve që të mos bëheshin «bashkëpunëtorë» në këtë «ndërmarrje për zbukurimin e “politikës së buldozerit”», të «kërkonin llogari» dhe të «bojkotonin» aktivitetin.

Asnjëri prej tyre nuk u përgjigj.

Deri në shfaqjen e «revolucionit të flamingove rozë», anëtarët e kësaj «arch-army» i thurnin vazhdimisht lavde Edi Ramës.

Fakti që projektet e tyre kërkonin rrafshimin e lagjeve të tëra, që ishin të destinuara për një popullsi shumë më të pasur se mesatarja e vendit, apo se mund të financoheshin me para të drogës, kishte peshë të vogël përballë terrenit të jashtëzakonshëm të lojës që përfaqëson ky Far West arkitektonik.

Fama e tyre mund të instrumentalizohej, por ata pretendonin se qëndronin jashtë lojës politike.

Tani kjo pozitë është më e vështirë për t’u mbajtur, pasi shqiptarët po e ngrenë zërin dhe nuk po gjejnë fjalë mjaftueshëm të ashpra për të shprehur zhgënjimin e tyre.

«Respekti ynë për këta arkitektë, të cilët i kemi admiruar aq shumë, ka rënë nën zero», shprehet një prej nënshkrueseve të letrës, e kontaktuar përmes WhatsApp-it.

«Arkitektura, në Shqipëri, nuk konsiderohet më ndryshe veçse si një kërcënim për komunitetet», shton një tjetër.

Të dyja gratë, megjithatë, shprehen të kënaqura me efektet e mobilizimit:

«Kupola e propagandës po çahet. Për herë të parë, mediat e mëdha ndërkombëtare po e shënjestrojnë drejtpërdrejt Ramën. Storytelling-u i tij ka filluar të kthehet kundër tij.»

I pyetur më 4 qershor nga CNN, kryeministri i hodhi poshtë shqetësimet e shprehura nga protestuesit për ndikimin e projektit të Kushnerit mbi peizazhin dhe biodiversitetin, dhe i cilësoi si fake news akuzat për mungesë transparence lidhur me dhënien e lejes së ndërtimit.

Për ta mbyllur debatin, ai përdori sofizmin që ua kundërvë në mënyrë sistematike kritikëve të politikës së tij: përmendi emrat e pesë arkitektëve të famshëm të angazhuar në projekt, duke lënë të kuptohet se kjo listë vlente sa të gjitha çertifikatat e përsosmërisë së bashku.

Sipas informacioneve të Le Monde, dy prej tyre, Jean Nouvel dhe Bjarke Ingels, kishin punuar vetëm për Zvërnecin dhe jo për ishullin e Sazanit, ndërsa në atë kohë ishin larguar tashmë nga projekti.

Tre të tjerët — Kengo Kuma, K-Studio dhe Emre Arolat — nuk iu përgjigjën kërkesave tona për koment.

Satira e Gjekmarkajt për nismën ‘Prania Besnike’: Babua flet, ne besojmë; ai vuan, ne qajmë

0

Nga Agron Gjekmarkaj

Kronika shfaq prani besnike ndaj atyre që mbeten përsëri me gisht në gojë!

Tao pardje ishte më i mërzituri, po nuk e bëri veten! Pikëllimin e brendshëm ia fshihte serioziteti i jashtëm prej babloku!

Ndonëse të gjitha “glacat” që “flamingot” hidhnin prej tre muajsh i ka mbledhur me një stoicizëm mbresëlënës, si të ishin lulebore a mimoza, përsëri Babua u mjaftua vetëm me një fletëlavdrim, një sulmues kauçuku në gjoks dhe delegim të autoritetit moral mbi ministrat jetim.

Urdia e Taos prej ditësh shpërndante llokume e kafe shyqyri, por dje mbetën turivarur!!

Alket Hyseni, me puro në gojë, teksa kishte therur edhe një dash, priste sinjal për ta futur në hell! Domixhanit i hiqte tapën herë pas here dhe me krenari thoshte – ball kazani, ball kazani! Vërtitej si dollibash me një peshqir të yndyrosur nga djerset rreth qafës nëpër oborr duke vrarë miza me nje dege hardhia në pritje të myzhdese që nuk po ia behte!

Kësaj i thonë të mbash verë në kurriz e të pish ujë, turfullonte një drejtoreshe e madhe në Kuvend, meqë struktura e re i ka trazuar, tjetri ia priste: drejtësia nuk është e kësaj bote, po e xhehnemit, dhe mjekrra i dridhej si purtekë!

Dallamanga Genc Gjonçaj nuk përfshihej, lemonte telefonin duke pritur tringëllimën e tij! Herë pas here e fërkonte, po ai nuk ngrihej.

Gjepura i dukeshin hallet e dynjase! Veç të binte ai i uruar, pa edhe Ermua le të vinte e të ulej në atë kanape!

Ndërsa këta të Nikos, pacifistë e fatalistë, kishin bërë senduqet e baulet gati, të dorëzuar! Mushkat i kishin lidhur tek ganxhat!! Për siguri kishin marrë edhe nja dy gomere, se mbetej ndonjë çikërrimë!

Një gardist shihte me përbuzje bajgat që lëshonin.

Të ngratët po i zbrisnin vetë orenditë e qilimat, se askush nuk i ndihmonte! Sapo u shfaq Kostaqi me bulëza djerse gëzimi mbi ballë, i cili bërtiste “sihariq”, “sihariq – Babua na bëri përsëri kabull, po e hamë dhe këtë vit të ri”, nëpër shkallë filluan t’u dilnin përpara, të qitnin kryet me dyert gjysmë të hapura: ndalni ku veni, qysh do dalë Librazhdi para Korçës, bishti para sqeparit, këtu do bënim mamin, do digjeshim si Jan Palashi dhe kjo nuk do ndodhte, flisnin me nxitim e kush më parë vendoste një karrige, zbrazte një arkë, e në vend rreshtonte enë!

Po si nuk ju pamë kur po zbrisnit, që na plaçin sytë, na plaçin, rënkonte njeri i hardallosur marazi!!

Bajgat poshtë i mblodhi dhe i futi në një vazo të praruar, si të ishte flori e shkuar floririt!

“Më mirë unë që s’bëj asgjë e ka kohë që nuk pres më gjë, mërmëriti Klos baballeku! Ai foli me vete dhe pa orën me ndjesi ankthi, sepse dreka me Gjush akulloren po i rrëshqiste nën hundë, duke i shtuar sekrecionet! Hante një copë nga blloku i shenimeve dhe i dukej sikur kafshonte levrekun e zënë me grep! Sa mirë që paguan Gjushi, ky është një motiv për të buzëqeshur!

Le Festim de Gozha ishte më në fund i qartë , ai kuptoi se të parëndesia është suksesi i jetëgjatësisë në Qeveri.

Tezja, e cila që kur mori konsideratat e Dielles ndihet më e sigurt, e lehtë pupul, bashkë me Ekonomin dhe Evis Kushin shihte Sypetrit Malajn dhe Ceno beun duke shprehur naivitete estetike: “Si shumë të palestruar janë këta qerratenj dhe pa qime, të jenë burra safi si Babua në atë zaman, kur kosiste me gjoksin leshtor e shkruante enciklikën për bujqësinë? Ato leshuan një eh që herë-herë ndihej si ahhh, po nuk ndahej ku fillonte ehuu e ku mbaronte ahuu, apo lozonjar e të marifetit si Sofjani vazhduan perjetimin !?
Baahhh”, shprehën pasiguri të trija njëkohësisht!

Ervin Hoxha, tashmë një çamarrok i rehabilituar qe perdite meson se sa te duan shoket e partise, si shoku ynë Tili”, por ende nën mbikëqyrjen e Ogit, shikonte Gonxhen e fryrë si një mullar e mendonte sa bereqet është në politikë statusi i idiotit dhe zgrapsit!! Ç’fat pati ky teveqel, tani do dhe Bashkinë e Tiranës, zdapi, dhe kruante kokën!!!

Erjon Malaj merakosej ç’të bënte me dy kostumet e blera dhe i feksi ideja t’i çonte faturën “Kronikës”, e cila shet iluzione si tregtari i Venedikut!

T’i bënte zhapone apo me mëngë të shkurtra, se ende vapë! Keqardhej që nuk i veshi për festë! Qefserja që ia lexoi brengën i tha: e mira të vjen kur s’e pret, si rrufeja nga qielli, ja shiko mua! Më ka goditur e rri si e mpirë!

Pardje vetëm dy veta morën emërim: Klodi Spaqia ministre dhe Pendavia, i cili qau nga gëzimi, motrani e shoqëni u mërzitën!
Ulesia pati një si rrëqethje të lehtë dhe sytë iu lëbyrën me cmirë, kur Toni nxirrte barkun përpara dhe ledhatonte sumbullat si ministër edhe për këtë stinë! Lakmia, o njeri i mirë, të bëhet pus, sikur i thoshte me shikim!

Një pritshmëri të pashprehur e gëlltiti poshtë!

Mamica rrinte e merrylur, e përhirtë, teksa shikonte Babon me dilemën: është vallë ky Skënderbeu im, imzoti apo Ballabani, i cili në vend të brirëve të dhisë paskesh vënë një çallmë???

Braçja ankohej: “Ça thotë ky mi, ça thotë ky mi, do bëhen deputetët si tellall, medemek qeveria s’ka faj, po këta po”! Dilua degjonte e nje “ tobestah furullah” çante ajrin. Shalsi ishte fresk ! “ Besa” do e nxjerre Shqiperine në selamet vikaste Antoneta!

Brunilda Bakerri pyeste Damon:
“Xhaxhi Damo, Xhaxhi Damo, kush është ky Ditmar Bushati gojë veremi dhe i tregonte nje fotografi te Namik Dokles që bën ironira me pushtetin e Babos dhe me ne, figurat e larta të partisë?”

Damua heshti një çast, mori frymë e tha: “Po ja, një që nuk hipi në makinën e Babos vite më parë, ai e shtypi dhe ja ku jemi, ai Loni prej betoni, unë Peti prej së vërteti”!

Brunilda bëri sikur e kuptoi metaforën dhe tundi kokën mendueshëm!

“Si flet edhe ti, xhaxhi Damo, si shkrimtar”, i tha!

Damua u përkëdhel në sedër.

Ashtu bëri dhe Zeniqeja aty pranë, e cila habitë filozofike do t’i shuajë tak-fak, si natyrë intelektuale që është!

Bela nuk dukej e ulur mbi karrige, po mbi një ankth ekzistencial si e derguar speciale e Kronikes per te vezhguar detajet !

Në fytyrën e Etildës ishte skalitur parulla: “Babua flet, ne besojmë; ai vuan, ne qajmë.”

Te Kronika bën punën e saj, sytë i zënë Salianjin me një grup njerëzish, të cileve me një kove u shperndante helm sapo iku ai filluan të rrihen paq, me shpulla që binin si sëpata, me grushte si tokmak, me shqelma të tërbuar, që aman, fale i kjoshim Zotit! Ç’tu ketë thënë, menduam, që po sakatohen me kaq sukses, që e rrahura u duket zgjidhje e paqja ferr!?

Ku vete ai, nga pas e ndjek sherri, poterja e zallamahia !
Klevisi mbushi 37 vjeç, e festuam dhe e uruam evlatin.
Gazment Bardhi gjithe të ënjten shkarkonte dosje qe edhe Mark Alemi do ja kishte zili per t’ja derguar “Pasqyra Albania-s” me siguri” qe të gjejnë zgjidhje . Jorushi i Tabakeve po ben pergatitjet e fundit per një mesymje të madhe diplomatike në Bundestag e me pas tutje tehu !

⁣The Naked Truth-Sali Berisha niset drejt Uashingtonit për Konventën Republikane

0

Kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha, është nisur drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në Konventën e Partisë Republikane.

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, Berisha e cilësoi vizitën si një udhëtim historik për Shqipërinë, duke e krahasuar me vizitën e tij të parë në SHBA në mars të vitit 1991.

Berisha tha se gjatë qëndrimit në Amerikë do të kërkojë mbështetje për atë që ai e përshkroi si një përpjekje për ta çliruar Shqipërinë nga një sistem i dominuar nga krimi dhe droga. Ai theksoi gjithashtu se udhëtimi nuk lidhet me një axhendë personale, por me atë që e cilësoi si interesin e vendit.

https://thenakedtruth.tv/v/KDAaOt

Shqipëria në luftë me flakët, 39 vatra zjarri, 6 shtëpi të djegura në Himarë

0

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë raportuar gjithsej 39 vatra zjarri, nga të cilat 11 janë ende aktive.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 25 vatra janë shuar plotësisht dhe 3 të tjera janë nën mbikëqyrje, ndërsa në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 881 forca operacionale dhe 75 automjete zjarrfikëse, së bashku me 340 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 mjete zjarrfikëse të FA, helikopterët e Forcës Ajrore dhe një avion Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive janë regjistruar në qarqet Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë, ndërsa në disa prej zonave rreziku për banesat është shmangur.

Situata më e rënduar është regjistruar në Fier dhe Himarë, ku në lagjen “1 Maji” janë evakuuar 36 persona dhe janë djegur 6 banesa, 3 prej tyre të banuara, ndërsa zjarri ka ulur intensitetin dhe vijon puna për shuarjen e plotë të tij.

Ministria e Mbrojtjes thekson se parashikohet angazhimi i 380 forcave ushtarake, 2 helikopterëve dhe një avioni Air Tractor për shuarjen e vatrave aktive.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë raportuar 39 vatra zjarri, prej të cilave 11 mbeten aktive, 3 janë nën mbikëqyrje dhe 25 janë shuar plotësisht.

Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 881 forca operacionale dhe 75 automjete zjarrfikëse, si dhe 340 forca ushtarake, 4 automjete zjarrfikëse të FA, helikopterët e Forcës Ajrore me 6 operacione dhe 1 avion Air Tractor. Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 380 forcave ushtarake, 2 helikopterëve dhe 1 Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive janë në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë.

Në Dajt vijon puna pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Qinam të Zall-Herrit është shmangur rreziku për banesat.

Në Dibër vijojnë aktive vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, pa rrezik për zonat e banuara.

Në Lezhë, aktive mbeten Gallata dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku rreziku për zonat e banuara është shmangur.

Situata më e rëndësishme gjatë 24 orëve është regjistruar në Fier dhe Himarë.

Në zonën Drizë–Vadhizë–Peshtan–Levan, pas angazhimit të forcave tokësore dhe ajrore, rreziku për banesat është shmangur dhe operacioni vijon.

Në lagjen “1 Maji”, Himarë, u angazhuan rreth 300 forca operacionale dhe 171 efektivë të FA; u evakuuan 36 persona dhe u dogjën 6 banesa, prej të cilave 3 të banuara. Zjarri ka ulur intensitetin, rreziku për banesat është shmangur dhe puna për shuarjen vijon.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Dhunoi ish-banorin e “Big Brother VIP Kosova”, shoqërohet në polici këngëtari Jozefin Marku

0

Këngëtari Jozefin Marku është ndaluar dhe më pas shoqëruar në Komisariati nr.6 në Tiranë lidhur me një konflikt të pak ditëve më parë me Eduart Kuçin. Marku dhe disa miq të tij kanë dhunuar ish-banorin e BBVIP Kosova, Eduart Kuçin ditë më parë në autostradën Tiranë-Durrës.

Prej disa ditësh në rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje nga dhuna e ushtruar ndaj Kuçit. Në pamje shfaqet këngëtari Jozefin Marku me disa persona të tjerë, të cilët pasi i bëjnë shenjë për të ndaluar duke përdorur tabelën e policisë Kuçit, teksa ky i fundit lëvizte me mjetin e tij McLaren, e nxjerrin nga makina dhe e dhunojnë dhe e filmojnë.

Policia e Tiranës ka nisur veprimet hetimore, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe po punohet për identifikimin e personave që shfaqen në video. Nga hetimet e deritanishme u zbulua se video është regjistruar në Tiranë tek mbikalimi i Rinasit.

Banesa, tokë dhe ullinj të shkrumbuar, Himara një ditë pas zjarrit

0

Me dhjetëra hektarë tokë të shkrumbuara totalisht nga flakët, qindra rrënjë ullinj të djegur dhe banesa të shkrumbuara totalisht. Është kjo pamja mëngjesin e kësaj të shtune në Himarë, pas një nate në luftë me flakët që përfshinë kodrat pranë bypass-it dhe u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë.

Nga të dhënat e deritanishme raportohen se nga zjarri janë 6 shtëpi të konfirmuara të djegura, 3 të banuara dhe 3 të pabanuara.

Nga zjarri u rrezikuan edhe rreth 40 banesa të tjera, ndërsa flakët përfshinë edhe sipërfaqe me pemëtari.

Terreni i vështirë dhe errësira e bënë edhe më të komplikuar ndërhyrjen, ndërsa autoritetet u kërkuan banorëve dhe bizneseve pranë zonës së rrezikuar të largoheshin për të shmangur pasoja më të rënda. Gjatë gjithë natës, zjarrfikësit e Himarës, të mbështetur nga mbi 20 mjete të ardhura nga qytete të tjera, punuan për të frenuar avancimin e flakëve drejt zonave të banuara dhe njësive hoteliere.

Me zbardhjen e ditës ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri, paralelisht me operacionin që vijon në terren. Forcat e angazhuara po përqendrohen tashmë në izolimin e vatrave të mbetura dhe shmangien e riaktivizimit të tyre.

Situata aktualisht paraqitet më e qetë dhe, sipas të dhënave nga terreni, nuk ka më rrezik të menjëhershëm për banesat apo njësitë hoteliere. Megjithatë, operacioni vijon deri në vënien e plotë nën kontroll të zjarrit.

Ndërkohë një helikopter i forcave të armatosura merr ujë nga deti dhe shuan flakët.

Sot 10 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, humanistja shqiptare që ia kushtoi jetën të varfërve

0

Mbarë bota përkujton sot 10 vjetorin e shenjtërimit të humanistes së shquar Nënë Tereza. “Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”. Këto janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, gruaja e jashtëzakonshme dhe shenjtorja e të varfërve të të gjithë botës e cila kurrë nuk e harroi origjinën e saj.

10 vite më parë, më 5 shtator 2016, nëna e madhe e të varfërve, fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore. Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997. Murgesha ‘u lumturua’ në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.

Në këtë ditë të shënuar, Nënë Tereza përkujtohet nga krerët më të lartë të shtetit dhe politikës.

Kush ishte Nënë Tereza? 

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë dhe humbi jetën në Kalkutë më 5 shtator 1997. Sot bëhen 27 vite që Nënë Tereza është ndarë nga jeta. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.

Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo.

Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?

Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë, ku ushtroi pjesën më të madhe të aktivitetit të saj bamirës, por figura e saj vazhdon të jetë burim frymëzimi për bamirësi, besim dhe shërbim të përulur, veçanërisht në një botë gjithnjë e më të përçarë nga varfëria dhe padrejtësitë sociale. Gjatë jetës së saj, Nënë Tereza ka marrë më shumë se 700 çmime për punën e saj bamirëse.

Zjarri në Himarë, dëshmitë e banorëve: Flakët mbërritën brenda 10 minutash, policia na nxori nga banesat!

0

Banorët e Himarës kanë përjetuar momente paniku gjatë mbrëmjes së djeshme, teksa zjarri masiv përfshiu zonën dhe u afrua me shpejtësi drejt banesave.

Një prej banorëve e përshkruan situatën si “tmerr”, ndërsa një tjetër tregon se flakët u përhapën me shpejtësi dhe, për vetëm pak minuta, mbërritën pranë banesave.

Një qytetare rrëfen:

“Nuk e di si ndodhi. Erdhi zjarri nga lart, pak nga pak. Erdhën policët dhe na nxorën nga banesa. Zjarri ka ardhur për 10 minuta.”

Ajo tregon se nga flakët janë djegur edhe banesa të banuara dhe se dëmet kanë qenë të mëdha.

“Shtëpi janë djegur, ishin shtëpi të banuara. Është përvëluar çdo gjë. Policia na dha ndihmën e parë dhe na ndihmuan”, rrëfen banorja.

Ndërkohë, një tjetër qytetar e përshkruan mbrëmjen si një situatë të jashtëzakonshme:

“Situata mbrëmë ishte tmerr.”

Zjarri në Himarë vijon të jetë në vëmendjen e autoriteteve, ndërsa mëngjesin e sotëm ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri. Helikopterët po hedhin ujë mbi vatrat aktive, ndërsa në terren vijojnë të jenë të angazhuara forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura.

Zjarri në Radostinë të Fierit del jashtë kontrollit/ Flakët përfshijnë pyllin me pisha pranë liqenit në Qafën e Koshovicës, rrezikohen dy lokale

0

Zjarri në zonën e Radostinës në Fier vijon të jetë aktiv me intensitet të lartë dhe situata raportohet e vështirë.

Flakët kanë përfshirë edhe pyllin me pisha pranë liqenit në Qafën e Koshovicës, ndërsa në rrezik janë vënë dy lokale që ndodhen pranë zonës së përfshirë nga zjarri. Ndërkohë që policia po bën evakuim pronarët e lokaleve kërkojnë ndihmë dhe ndërhyrje nga ajri.

Shtëllunga të mëdha tymi janë përhapur në zonë dhe janë të dukshme edhe nga qyteti i Fierit. Era dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e flakëve.

Në terren ndodhen 8 mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

Për shkak të përmasave të vatrës është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri. Pritet mbërritja e një helikopteri për të ndihmuar në operacionin e shuarjes.

Vizita e Berishës në SHBA, Salianji: Non grata, njollë që ka rënduar mbi një parti të tërë

0

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji e ka cilësuar si zhvillim pozitiv udhëtimin e Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara, duke argumentuar se çdo përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve të opozitës shqiptare me aleatin strategjik të vendit është në interes të Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.

Megjithatë, Salianji thekson se vizita nuk e zgjidh atë që ai e konsideron si problemin kryesor të PD-së. Sipas tij, vendimi “non grata” ndaj Berishës për korrupsion ka pasur pasoja përtej individit dhe ka ndikuar në imazhin dhe funksionimin politik të opozitës.

Duke iu referuar situatës politike të kreut të PD-së në Shqipëri, Salianji e përshkruan udhëtimin në SHBA si një paradoks: Berisha mund të shkojë fizikisht në Amerikë, por sipas tij nuk arrin të ketë të njëjtën lëvizshmëri në terrenin politik shqiptar.

Ai argumenton se vështirësitë e opozitës për të organizuar takime dhe për të rikthyer mbështetjen në disa qarqe janë tregues se problemi i saj nuk ndodhet në Uashington, por në Tiranë.

Në këtë kuadër, Salianji e sheh udhëtimin e Berishës si një mundësi për reflektim dhe i bën thirrje kreut të PD-së të shqyrtojë dorëheqjen.

Sipas tij, një largim i tillë nuk duhet parë si humbje personale, por si një kontribut për t’i krijuar Partisë Demokratike hapësirën për të ndërtuar një alternativë të re politike.

Salianji thekson se opozita nuk mund ta rrëzojë Edi Ramën duke u mbështetur vetëm te betejat e së shkuarës. Në vlerësimin e tij, PD-ja duhet të ofrojë një alternativë që bind qytetarët se mund të qeverisë vendin.

Në fund, ai shprehet se Shqipëria ka nevojë për një opozitë që synon fitoren dhe jo thjesht mbijetesën politike, duke e cilësuar ndryshimin brenda opozitës si një nevojë të momentit.

Reagimi i Ervin Salianjit

Udhëtimi i Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara është një lajm pozitiv. Çdo hap që normalizon marrëdhënien e një force politike shqiptare me aleatin strategjik të Shqipërisë është në interes të vendit dhe të Partisë Demokratike.

Por nuk mund të bëjmë sikur nuk ekziston problemi politik që ka rënduar mbi PD-në për vite me radhë. Non grata për korrupsion është një njollë që nuk rëndon vetëm mbi një individ. Ajo ka rënduar mbi një parti të tërë, mbi opozitën dhe mbi mundësinë e saj për t’u paraqitur si alternativë qeverisëse. Udhetimi sot tregon një paradoks të madh, Berisha mund të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara, por nuk mund të udhëtojë politikisht në Shqipëri.

Nuk mund të bindë Fierin për të organizuar një takim, nuk e viziton dhe as mund të fitojë Shkodrën, nuk organizom dot takim e nuk mund të ndezë Vlorën, nuk bën dot takim në Berat dhe është non grata nga protestuesit në Tiranë.

Mbi të gjitha, nuk mund të bindë shumicën e shqiptarëve se është zgjidhja për të ardhmen.

Kjo është arsyeja pse, pavarësisht çdo lajmi të mirë që mund të vijë nga Uashingtoni, problemi i PD-së mbetet në Tiranë.

Edi Rama nuk largohet duke përsëritur të shkuarën. Largohet duke ndërtuar një alternativë që shqiptarët besojnë se mund ta zëvendësojë dhe sot, pengesa më e madhe për këtë alternativë është fakti që PD-ja vazhdon të mbahet peng i një beteje për të shkuarën, në vend që të ndërtojë betejën për të ardhmen.

Prandaj, ndoshta ky udhëtim është një mundësi, një mundësi që, larg zhurmës së përditshme, Sali Berisha të reflektojë për atë që do i kërkojnë, dorëheqjen!

Të kuptojë se historia e tij nuk mund të jetë përgjithmonë historia e Partisë Demokratike.

Të kuptojë se një parti nuk mund të jetë peng i një individi dhe të kuptojë se një dorëheqje dinjitoze nuk është humbje personale, por mund të jetë kontributi i fundit i madh politik për Shqipërinë dhe PD-në.

Nëse Berisha e do vërtet Partinë Demokratike dhe ka interesin publik të parin ai duhet t’i japë Partisë Demokratike atë që nuk ia ka dhënë dot deri tani; mundësinë për të fituar.

Sepse Shqipëria ka nevojë për një opozitë që fiton, jo për një opozitë që vetëm mbijeton.

Koha për ndryshim është tani! Edi Rama e ka humbur mbështetjen popullore, qytetarët presin të ndryshojë opozita për të larguar Ramen një orë e më parë!