Ballina Blog Faqe 50

Meta pranon gabimin, rikthen llogaritë e “Revolucionit të Flamingove”

0

Meta pranoi të premten se kishte mbyllur gabimisht disa prej llogarive në Instagram të aktivistëve dhe mbështetësve të protestës së njohur si “Revolucioni i Flamingove”, të cilat u zhdukën nga platforma pothuajse njëkohësisht gjatë 24 orëve të fundit.

Në një përgjigje për BIRN, kompania tha se po rishikonte masat e marra ndaj llogarive dhe se disa prej tyre ishin rikthyer

“Po shqyrtojmë masat që kemi marrë ndaj këtyre llogarive, por kemi rikthyer tashmë disa prej atyre që u hoqën gabimisht,” tha një zëdhënës i Meta-s. “Na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar,” shtoi ai.

Kompania nuk bëri të ditur numrin e llogarive të mbyllura gabimisht, arsyet që çuan në pezullimin e tyre apo nëse vendimet ishin nxitur nga raportime masive nga përdorues të tjerë.

Meta shtoi se përdoruesit mund t’i kundërshtojnë vendimet e moderimit përmes mekanizmave të apelimit.

“Ne kemi procese apelimi që njerëzit mund t’i përdorin kur mendojnë se kemi bërë një gabim, në mënyrë që të mund ta rikthejmë përmbajtjen nëse përcaktojmë se ajo nuk shkel [rregullat],” tha zëdhënësi.

Reagimi i Meta-s erdhi pas një shkrimi të BIRN mbi mbylljen e dhjetëra profileve në Instagram, emëruesi i përbashkët i të cilave ishte mbështetja ose pasqyrimi i protestave të njohura si “Revolucioni i Flamingove”.

Mes profileve të mbyllura ishte llogaria e verifikuar e deputetit të opozitës Agron Shehaj, me rreth 150 mijë ndjekës, si dhe ato të një numri aktivistësh që kishin publikuar rregullisht materiale nga protestat.

Mbyllja pothuajse e njëkohshme e llogarive ngriti dyshime se ato mund të ishin shënjestruar përmes raportimeve të koordinuara, të cilat kishin shkaktuar më pas ndërhyrjen e sistemeve të moderimit të Instagramit.

Aktivistët e prekur dhe Shehaj akuzuan qeverinë se qëndronte pas një fushate të tillë, ndërsa ekspertë të teknologjisë të intervistuar nga BIRN paralajmëruan se mekanizmat e moderimit të platformave mund të manipulohen përmes raportimeve masive.

Nuk ka megjithatë prova që lidhin qeverinë shqiptare me mbylljen e llogarive dhe Meta nuk iu përgjigj pyetjes nëse vendimet e gabuara ishin shkaktuar nga një fushatë e koordinuar raportimesh.

Pezullimet sollën reagim edhe në Parlamentin Europian, ku eurodeputeti dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane, Sandro Gozi, kërkoi shpjegime nga Meta dhe ngriti çështjen pranë Komisionit Europian.

Gozi i kërkoi Komisionit që incidenti të shqyrtohej në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe respektimit të lirisë së shprehjes dhe pluralizmit politik.

“Kur dhjetëra llogari të opozitës dhe aktivistëve të lidhur me të njëjtën lëvizje proteste zhduken pothuajse njëkohësisht, nuk mund ta trajtojmë thjesht si një problem teknik,” deklaroi Gozi.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë të premten akuzat se qeveria kishte gisht në mbylljen e llogarive, ndërsa sulmoi edhe politikanët europianë që ngritën shqetësime mbi incidentin.

“Ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me çaktivizimin apo kufizimin e ndonjë llogarie në rrjetet sociale dhe as nuk zotërojmë kapacitetet teknike për të kryer një operacion të tillë,” shkroi Rama në platformën X.

Kryeministri i cilësoi akuzat si “propagandë të ulët” dhe kritikoi ashpër reagimin e përfaqësuesve të Partisë Demokratike Europiane, të cilët kishin publikuar një imazh që sugjeronte lidhjen e qeverisë me mbylljen e profileve.

“Si mund ta quajnë veten demokratë këta agjitatorë, ndërkohë që publikojnë një insinuatë vizuale kaq të turpshme?” shkroi Rama, duke e cilësuar “të mjerueshme” që një akuzë e tillë vinte nga njerëz që, sipas tij, “paraqiten si demokratë europianë”./BIRN

Fushë Arrëzi kundër Reformës Territoriale: Nuk duam bashkim me Pukën!

0

Në Fushë-Arrëz nisën konsultimet publike me qytetarët, lidhur me propozimin e mazhorancës socialiste për shkrirjen e kësaj bashkie me Pukën. Që ditën e parë të publikimit të draft-propozimit, banorët e Fushë-Arrëzit kundërshtuan, me arsyetimin se do të vështirësohet marrja e shërbimeve për ta.

Në diskutime mori pjesë edhe Frat Andreas Walterman, i cili shërben në Fushë-Arrëz prej afro 20 vitesh. Frati françeskan thotë se fshatrat e Fushë-Arrëzit janë braktisur masivisht, për shkak të mungesës së vëmendjes nga shteti, ndërsa shkrirja e bashkisë do të sillte përkeqësim të kushteve edhe në qytet.

Qytetarët e Fushë-Arrëzit e konsiderojnë si dënim shkrirjen e bashkisë, pasi do t’iu duhet të udhëtojnë kilometra të tëra nga fshatrat më të largët drejt Pukës, për plotësimin e nevojave administrative. Njëzëri qytetarët thanë se nuk është koha për ndasi politike mes tyre, por bashkërisht duhet të ngrihen kundër këtij propozimi.

Pak javë më parë, kryetarët e Njësive Administrative dhe kryepleqtë e të gjithë fshatrave të Fushë-Arrëzit zhvilluan një kuvend të përbashkët, në kundërshtim të propozimit që i është dërguar Parlamentit për votim. Po ashtu, janë mbajtur edhe disa protesta, në qytetin që drejtohet nga një kryetar i djathtë.

A do ta takoni Donald Trump? Berisha përgjigjet para nisjes në SHBA

0

Kreu i PD Sali Berisha është shprehur se vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Para nisjes drejt SHBA, Berisha deklaroi se shkon në Amerikë me të njëjtën bindje që kishte në mars të vitit 1991.

“Nisem për në SHBA po me atë bindje si në mars të 1991 se vendi i madh i lirisë do mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët në përpjekjet e tyre për tu çliruar nga diktatura autoritare e bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Prania juaj këtu dëshmon se ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë. Në rrafshin tim unë shkoj dhe takoj miqtë e tij u them “Unë erdha”.

I pyetur nëse do të takojë Donald Trump, Berisha duke qeshur tha: Jo nuk do ta takoj.

Një mesazh kishte edhe për Edi Ramën: “Për padronen i them se “po niset si padrino dhe po arrin si Ramaduro”

Shqetësimi për algoritmin/ Zhduken llogaritë që promovuan protestën e flamingove në rrjetet sociale

0

Shtatori ka nisur me një zhvillim të çuditshëm për protestën e flamingove: disa prej zërave më aktivë të saj po zhduken njëri pas tjetrit nga rrjetet sociale. Presioni që pak ditë u pa në bulevard nga forcat e policisë, tani kaloi në rrjetet sociale, atje ku “flamingot” kishin deri tani një avantazh të qartë ndaj aktiviteteve pa ngjyrë të pushtetit.

Rasti më flagrant është ai i Agron Shehajt, kryetarit të Mundësia dhe deputetit të Kuvendit i cili humbi llogarinë me rreth 150 mijë ndjekës në Instagram, pikërisht në një periudhë kur një pjesë e madhe e aktivitetit të tij në rrjet ishte përqendruar te protesta. Shehaj kishte publikuar vazhdimisht pamje dhe materiale nga tubimet, në një përpjekje për ta njehsuar mesazhin e tij politik me kërkesat e protestuesve. Vetëm pak ditë më parë në llogaritë e rrjeteve sociale kishte pasqyruar edhe ndërhyrjen e dhunshme të policisë ndaj Dritan Goxhajt.

Mbyllja e profilit të Shehajt është e pazakontë dhe nuk mund të ketë ardhur nga zyrat qëndrore të Meta për një arsye shumë specifike. Llogaria e Shehajt ishte e verifikuar, me dokument identifikimi, ishte profil publik i një deputeti, e lidhur me Facebook-un dhe e mbrojtur me mekanizmat e sigurisë së platformës. Ai ka bërë tashmë një ankesë pranë zyrave qendrore të Meta-s, por ende nuk ka një shpjegim se përse dhe mbi çfarë baze i është mbyllur llogaria.

Po të ishte vetëm Shehaj çështja nuk do të kishte këto përmasa. Gjasat janë që ka ndodhur një sulm i planifikuar në rrjetet sociale për disa nga zërat që amplifikuan mesazhin e protestës në rrjetet sociale për muaj me radhë.

Gjatë së njëjtës ditë, pjesëmarrës të protestës denoncuan se janë bllokuar edhe llogaritë e Jurgen Shpendit, Erikleo Cepës, Genti Prognit dhe Ari Shadyt, të gjithë aktivë në publikimin e materialeve nga protesta.

“Katër zëra më pak në Instagram, por mijëra arsye më shumë për të folur”, shkruhet në një mesazh që po qarkullon mes protestuesve.

“Mund të mbyllni llogari, por nuk mund të mbyllni gojën e një brezi që ka vendosur të mos heshtë. Nuk frikësohemi, nuk tërhiqemi dhe nuk ndalemi. Sa më shumë të përpiqeni të na heshtni, aq më fort do të dëgjohet zëri ynë”.

Përveç tyre janë edhe disa faqe të tjera në rrjetet sociale që tani janë zhdukur. Fillimisht këto kishin nisur aktivitetin si faqe memesh, por më pas, duke parë që interesi i qyetarëve ishte i lartë, disa prej tyre sollën momente nga protesta që nuk gjendeshin në asnjë prej mediat kryesore në vend. Të gjitha këto, mëngjesin e kësaj të enjteje janë zhdukur.

Se çfarë ka ndodhur konkretisht me këto llogari duhet ende të sqarohet nga Meta. Nuk ka, të paktën deri tani, një provë konkrete që i lidh mbylljet me qeverinë, por kur brenda një kohe kaq të shkurtër goditen disa profile që kanë një emërues të përbashkët, protestën e flamingove, atëherë dyshimet për një valë raportimesh të koordinuara bëhet legjitime.

Beteja për rrjetet sociale nuk është një temë e re në diskursin e Edi Ramës. Prej javësh kryeministri flet i shqetësuar për “algoritmin”, pikërisht në një periudhë kur protesta e flamingove ka marrë në Instagram, TikTok dhe platformat e tjera një ekspozim që mediat tradicionale nuk ia kanë dhënë në të njëjtën masë.

Gjatë muajit qershor, kur protesta ishte në kulmin e saj, Rama shprehej se realiteti tashmë përcaktohej nga algorimi dhe se në thelb të tij ishte gënjeshtra.

“Nuk jemi më në një marrëdhënie sociale, politike, demokratike, por jemi në një laborator ku në kohë reale algoritmi, virusi i realitetit, simbolika dhe gënjeshtra prodhojnë një realitet paralel, që është bërë e vërteta“, shprehej ai.

Edhe ditët e fundit Rama i është kthyer algoritmit si pjesë të problemit. Kryeministri publikoi një video të Yuval Noah Hararit me komentin “shkurt dhe qartë për algoritmin”, ku shpjegohej sesi platformat favorizojnë përmbajtjen që prodhon reagim, veçanërisht frikë, zemërim dhe urrejtje. Edhe në prononcime të tjera Rama ka këmbëngulur se algoritmi nuk shpërblen domosdoshmërisht të vërtetën apo nuancën, por atë që prodhon më shumë angazhim.

Në fakt, problemi politik për Ramën është më i thjeshtë se ekuacionet komplekse mbi algoritmet e rrjeteve sociale. Protesta arriti të krijojë në Instagram, në Tik Tok dhe në Facebook një kanal komunikimi që nuk varet nga televizioni, pronari i medias apo hierarkia e një redaksie. 

Videot e protestës morën qindra mijëra shikime dhe reagime dhe, për një periudhë të caktuar përmbysën raportin e forcave në një terren ku makineria e komunikimit të qeverisë kishte qenë prej vitesh jashtëzakonisht dominuese.

Ky realitet i ri, ku mediat tradicionale dolën jashtë loje, ndërsa ekranet e celularëve u dominuan nga djem dhe vajza të rinj që kërkonin një përmbysje të madhe politike, e bën çështjen e  llogarive të mbyllura në rrjetet sociale shumë më serioze se një konflikt mes disa përdoruesve dhe Instagramit.

Kontrolli mbi median në Shqipëri tashmë është fakt. Metodat perfeksionohen vit pas viti: marrëdhënia me pronarët, reklamat, koncesionet, lejet, interesat ekonomike dhe aksesi te pushteti. 

Rrjetet sociale e nxorrën bllof këtë formulë të kontrollit të informacionit. Një telefon dhe një llogari me disa mijëra ndjekës mund ta shpërfaqëin dhunën policore shumë më larg sesa një kronikë e censuruar në televizion. Në mes, nuk ka një pronar televizioni për t’i telefonuar dhe as drejtor lajmesh për t’u bindur. Komunikimi është direkt mes qytetarit dhe platformës.

Prandaj, nëse pas mbylljeve të fundit qëndron një vendim për t’i zhdukur zërat që mbështesin protestën, atëherë kemi kaluar nga modeli i njohur i kapjes së medias në një formë shumë më të drejtpërdrejtë të censurës. Jo aq të sofistikuar, por më banale: kur nuk kontrollon dot atë që thotë kundërshtari, përpiqesh t’i mbyllësh gojën me dhunë./Lapsi.al

E rëndë te 313 në Tiranë, Dumani godet me grusht policin e burgjeve

0

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në ambientet e paraburgimit Nr. 313 në Tiranë, ku pikërisht në sektorin e sigurisë së lartë, ku janë izoluar disa nga bashkëpunëtorët e Drejtësisë, ka ndodhur një përplasje fizike mes vrasësit me pagesë Nuredin Dumani dhe policit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Rexhep Sina.

Ngjarja është regjistruar në mesin e muajit gusht 2026, brenda ambienteve të paraburgimi.

Polici, Rexhep Sina, ka bërë denoncim në Policinë e Burgjeve, duke çuar që Prokuroria e Tiranës të regjistrojë një dosje penale për akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës” dhe “Kanosjes për shkak të detyrës”.

Bashkëpunëtori i SPAK, Nuredin Dumani, ka goditur fizikisht punonjësin e policisë, që ishte ngarkuar nga vetë Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve për garantimin e sigurisë fizike të të penduarit, Nuredin Dumani.

Ende nuk dihet me saktësi se cili ka qenë motivi i këtij konflikti që ka çuar Nuredin Dumanin në goditjen e punonjësit të policisë./Syri

Edicioni i 7 i “Festa e Këngës Shqiptare”, Drini Drishti rrëmben kupën e “Çmimit të Publikut”

0

Mbrëmë, në Flumen Park, u zhvillua edicioni i 7-të i “Festës së Këngës Shqiptare”, organizuar nga mjeshtri Gjergj Leka.

Mes artistëve pjesëmarrës ishte edhe Drini Drishti, i cili u ngjit në skenë me këngën “Shqipja dhe Muzika”. Performanca e tij u vlerësua maksimalisht, duke i siguruar Çmimin e Publikut. Trofeu u përcaktua përmes votimit të këngëtarëve pjesëmarrës, artistëve Big dhe publikut, duke e bërë këtë çmim edhe më të veçantë për Drinin.

Ky ishte suksesi i radhës për Drinin, i cili e mbylli këtë mbrëmje me një tjetër trofe dhe emocione të paharrueshme.

Drini ka marrë pjesë në Festivalin e 63-të të Fëmijëve në RTSH me këngën “Dua”, me muzikë dhe tekst të Ismet Drishtit dhe orkestrim të Shpëtim Saraçit.

Pjesë të rrugëtimit të tij artistik, Drini ka edhe motrën e tij Ajrin.

Ajri Drishti është një talent në botën e muzikës. Ajo ishte këtë vit fituese e çmimit të kategorisë “Të Vegjlit” në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë me këngën “Nuk Kam Ku Luj”. Kënga “Nuk Kam Ku Luj” është me muzikë dhe tekst të Ismet Drishtit dhe orkestrim të Ilir Zogës.

Lidhur me suksesin e dy fëmijëve, gazetari i njohur Ismet Drishti nuk i kursen batutat: “Jam autor i këngës, i muzikës dhe i këngëtarëve…”

Saga e përgjakshme e Mirditës, 9 vite përplasje dhe viktima: nga Saimir Jaku te ekzekutimi i sotëm i Viktor Bardhit

0

Vrasja e 69-vjeçarit Viktor Bardhi këtë të enjte në Mirditë dyshohet të jetë vijimësi e një kalvari të gjatë konfliktesh që janë mbyllur me shumë viktima.

E fundit përplasje plumbash mes fiseve ishte vrasja e nipit të Viktor Bardhit, Kristiani i cili u ekzekutua në janar 2025, ngjarje për të cilën u shoqërua edhe nipi i Kastriot Reçit.

9 shtator 2016

Gjithçka ka nisur më 9 shtator 2016, mes fiseve Reçi e Gjini në Rrëshen, konflikt që do të pasonte shumë viktima. Atë ditë u vra Saimir Jaku, ish-drejtor i linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE. Ai u qëllua për vdekje me kallash kur pinte kafe në lokal.

28 prill 2017

Më 28 prill 2017 u vra në Romë të Italisë, Gasper Reçi, 43 vjeç. Sipas autoriteteve dyshohej se vrasja e Gasper Reçit të vinte si hakmarrje për ekzekutimin e Saimir Jakut.

6 shtator 2017

Nuk kaloi shumë dhe më 6 shtator 2017 në Belgjikë, u vra Kreshnik Gjini, nipi i Saimir Jakut. Dyshimet e policisë belge ishin se ngjarja vinte si hakmarrje për vrasjen e Gasper Reçit në Itali. Gjini u vra në komunën e Forestit të Belgjikë, nga persona të maskuar, të cilët qëlluan drejtë tij dhe humbi jetën menjëherë. Familja Bardhi dhe Gjini, njihen për miqësitë me njëra- tjetrën.

13 gusht 2019

Në sy të dy fëmijëve u ekzekutua më 13 gusht 2019 Armando Gjini, i njohur me emrin Tonin Gjini. Ai u qëllua disa herë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij përballë katedrales. Viktima ishte person i njohur në qytetin e Rrëshenit, kjo edhe për shkak të arrestimit të tij në vitin 2018 dhe vendosjes së eksplozivit në makinë pak kohë para vrasjes.

7 janar 2020

Kastriot Reçi u ekzekutua me armë zjarri përpara lokalit të tij në qendër të Rrëshenit, teksa rihapi plagën e vjetër të hakmarrjes në Mirditë në fillim të 2020-ës. Emri i tij ishte lakuar prej kohësh për trafikim droge, edhe pse në fakt nuk ishte skeduar asnjëherë. Reçi u ekzekutua në një plan të mirëorganizuar me një plumb të vetëm në zemër, me snajper, që dyshohet vrasës me pagesë. Pasi takon një grua e cila mbante përdore një fëmijë në shëtitoren e qytetit, qëllohet dhe bie menjëherë në tokë.

15 shtator 2020

Mbi urën e Nisharakut në Tiranë u tentua më 15 shtator 2020 eliminimi fizik i Preng Gjinit. Në makinën me të cilën udhëtonte i ishte vendosur një sasi tritoli 400 gramë C4, në pjesën e përparme, me shpërthim të kontrolluar në distancë. Atentati që atëherë u dyshua se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve, por në deklaratën e bërë nga vetë Gjini më vonë e mohoi.

15 dhjetor 2020

Anton Keli u ekzekutua më 15 dhjetor 2020 duke zbritur nga makina në Rrëshen. Pasi u qëllua lëvizi në këmbë për disa metra, hyri në një markat i plagosur. Ka qenë shitësja ajo që ka lajmëruar policinë dhe ambulancën, por nuk mundi të mbijetojë. 51-vjeçari u qëllua me pistoletë nga një distancë e afërt dhe një nga plumbat e preku gjoks. Keli ishte kushëriri i Armando dhe Preng Gjinit. Vrasja e tij dyshohet se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve Gjini dhe Reçi.

26 shtator 2023

Martin Bardhi u qëllua me breshëri plumbash në lokalin e tij në shtator. Ai ndodhej në tavolinë me 3 të afërm të tij, kur 2 autorë të maskuar zbritën nga një mjet dhe qëlluan me breshëri kallashi. Një muaj para se të vritej, Martin Bardhi kishte dalë nga paraburgimi i Lezhës, i arrestuar për një tentativë për të vrarë Saimir Reçin, nipin e Kastriot Reçit.

13 janar 2025

Kristian Bardhi allias Marku u ekzekutua në aksin Fier-Vlorë pasditen e 13 janarit 2025. Autorët që dyshohet se kanë qenë 3, i kanë zënë pritë në mbikalimin e Novoselës dhe më pas e qëlluan më shumë se 13 herë me armë pistoletë.

Klodiana Spahiu emërohet ministre e Shëndetësisë

0

Deputetja Klodiana Spahiu emërohet ministre e shëndetësisë, duke zëvendësuar Evis Salën e cila deklaroi dorëheqjen një ditë më parë në mbledhjen e qeverisë.

Spahiu merr rolin pas njoftimit të djeshëm të dorëheqjes së Evis Salës nga Ministria e Shëndetësisë.

Klodiana Spahiu ka lindur më 22 maj 1973 në Durrës. Ajo ka përfunduar studimet për Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1997. Një vit më vonë nisi specializimin në Kardiologji pranë QSUT “Nënë Tereza”, të cilin e përfundoi në vitin 2002.

Gjatë karrierës së saj mjekësore, Spahiu është specializuar në disa fusha të kardiologjisë, përfshirë ekokardiografinë, PU-EKG dhe Eko-Dopplerin e karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Fakulteti i Mjekësisë “Agostino Gemelli”, në Romë.

Në vitet 2003-2004 ka ndjekur studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, ndërsa në vitin 2005 është specializuar në Kardiologjinë Invazive, përfshirë kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës, në Spitalin “Santa Chiara” në Pisa të Italisë.

Në vitet 2012-2014 ka përfunduar masterin profesional në Menaxhim Shëndetësor.

Karriera e Spahiut është zhvilluar edhe në sistemin publik shëndetësor. Ajo ka punuar si mjeke në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT, ndërsa gjatë viteve 2003-2009 ka ushtruar profesionin e kardiologes në Spitalin e Durrësit, ku më pas është emëruar edhe drejtore.

Krahas profesionit të mjekut, Spahiu ka pasur edhe një angazhim të gjatë akademik. Në vitet 2002-2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2006 ka qenë pedagoge e jashtme e fiziologjisë në Universitetin Privat “UFO” në Tiranë.

Prej vitit 2008 ka qenë docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Ajo mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.

Përtej karrierës në mjekësi dhe akademi, Klodiana Spahiu ka një përvojë të gjatë në politikë. Ajo është deputete e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 2009 dhe gjatë viteve ka qenë pjesë e disa komisioneve e nënkomisioneve parlamentare, si dhe e grupeve të miqësisë.

Me një karrierë që ndërthur mjekësinë, menaxhimin shëndetësor, akademinë dhe politikën, Spahiu vjen në krye të Ministrisë së Shëndetësisë në një moment të ndryshimit të drejtimit të dikasterit.

Rama paralajmëron deputetët socialistë: Kush fut njerëz në punë, do ndiqet penalisht

0

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se pjesa e mbetur e mandatit, do t’i dedikohet, reformimit të qasjes së shtetit me qytetarët dhe zgjidhjen e problematikave apo pakënaqësive.

Si njërën prej këtyre, Rama ka evidentuar, të menduarit se në administratë punësohen vetëm persona që kanë lidhje apo kontakte me qeveritarë apo zyrtarë.

“Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti në telefon për të futur njeri në punë, të jetë vepër penale”, tha kreu i qeverisë e ndër shtoi se secili prej deputetëve socialistë, do të jetë i detyruar ta votojë.

“Po ndërtojmë me Adean dhe ekipin, një Shkallë të Meritës që nuk është një tjetër portal i administratës, por është një hapësirë për një marrëveshje të shtetit me qytetarët lidhur me karrierën në shtet që fitohet, nuk dhurohet. Nëse një i ri beson se për të hyrë në administratë duhet të njohë dikë, ky është problem. Nëse të gjithë besojnë që sot në administratë hyjnë vetëm ata që kanë një akses politik apo klientelist, kjo është një tragjedi. E vërteta është shumë më e larmishme dhe shumë larg të dy këtyre ekstremeve. Është në mes.

Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti në telefon për të futur njeri në punë, të jetë vepër penale. Do ju shoh të gjithëve në sy dhe do ju kërkoj të votoni. Çdo mesazh i çuar: fute këtë, shife atë, të konsiderohet vepër penale. Një deputet që bën këtë, nuk është i denjë për të përfaqësuar ata të tjerë që nuk kanë akses, që nuk janë pjesë e rrënjëve të tarafit të tij, apo shokë fëmijërie. Vepër penale. Shkalla e meritës duhet të krijojë një arkitekturë të qartë, grada të bëhet pasuri profesionale e njeriut, jo pronë e postit që mban sot apo e qeverisë që vjen nesër. Në anketimin e administratës publike, ka një të dhënë që duhet t’u mbetet të gjithëve sot”, tha Rama.

Pista kryesore/ Vrasja 65-vjeçarit në Mirditë, drejtori i Policisë Lezhë: Kemi një të shoqëruar

0

Një i shoqëruar në polici pas vrasjes së 65-vjeçarit në Mirditë. Kështu tha drejtori i policisë Lezhë Ermal Muça në një prononcim për mediat.

“Rreth orës 08:55 jemi njoftuar për një ngjarje të rëndë, vrasjen e një shtetasi në makinën e tij.

Rreth 20 minuta më vonë kemi gjetur një makinë të djegur. Kemi një të shoqëruar”, tha drejtori i policisë Lezhë Ermal Muça.

Dyshohet se autori ose autorët kanë ruajtur lëvizjet e Viktor Bardhit dhe mendohet se arma e zjarrit ka qenë me selenciator.

Viktor Bardhi është vëllai i Martin Bardhit, i cili u ekzekutua më 26 shtator 2023 në Rrëshen. Vrasja e sotme rikthen në vëmendje edhe historikun e përplasjeve të rënda mes familjeve Bardhi dhe Reçi në Mirditë.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.

Në vendngjarje, grupi hetimor ka sekuestruar disa gëzhoja, ndërsa paraprakisht dyshohet se autorët kanë përdorur një armë me silenciator, e cila mund të jetë dëmtuar gjatë të shtënave.

Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon kontrollet në zonë për të identifikuar autorët dhe për të gjetur gjurmë që mund të çojnë në zbardhjen e atentatit.

Ndërkohë pista kryesore e hetimeve lidhet me hakmarrjen, pasi në tre vitet e fundit janë vrarë edhe dy persona të tjerë të fisit Bardhi.  Bëhet fjalë për Martin Bardhin, i ekzekutuar në Rrëshen në vitin 2023, dhe Kristjan Bardhin (Marku), i vrarë në Novoselë të Vlorës.

Njoftimi i Policisë:

Mirditë/Informacion paraprak Rreth orës 09:00, në fshatin Ndërfushas, është gjetur i pajetë në automjetin e tij, shtetasi V. B., rreth 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarje.