Ballina Blog Faqe 56

Bordi rrit sërish çmimin e naftës dhe benzinës

0

Bordi i transparencës ka ndërhyrë sërish te çmimi i karburanteve duke rishikuar me rritje çmimet tavan si për naftën, ashtu edhe për benzinën.

Sipas çmimeve të reja, nafta do të shitet me 215 lekë për litër në tregun e pakicës, ose 6 lekë më shtrenjtë nga çmimi i fundit tavan.

Në tregun e shumicës, nafta do të shitet me 203 lekë. Benzina u rrit me tre lekë në tregun e pakicës, duke shkuar nga 175 lekë për litër në 178 lekë për litër. Ndërkohë, me shumicë benzina do të tregtohet 166 lekë. Bordi thotë se çmimet e vendosura këtë të martë do të jenë në fuqi deri në një vendim të ri dhe se niveli tavan i tyre përcaktohet në bazë të luhatjes në bursat ndërkombëtare, ku pas lajmit për dështimin e raundit të parë të negociatave mes SHBA dhe Iranit tregjet reflektuan me rritje çmimin e naftës.

Ndërkohë, me tavanin e ri nuk aplikohet zbritja e akcizës, që sipas aktit normative të qeverisë ulet me 20 për qind vetëm në rastet kur çmimi tavan i naftës i caktuar nga bordi arrin mbi 220 lekë për litër në tregun e pakicës.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Abuzimi me tenderët, GJKKO dënon me 4 vite burg ish-kryebashkiakun e Finiqit

0

Gjykata e Posaçme dënon me 4 vite burg ish kryetarin e Bashkisë Finiq, Leonidha Hristo.

Dënimi zbriti në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Hristo u shpall fajtor këtë të martë nga GJKKO për veprën penale “shpërdorim detyre”, për abuzim me tendera në vlerën 77 milionë lekë.

Prokuroria e Posaccme gjeti prova, si dhe dëshmi, përgjime e dokumentacione që faktojnë se në Bashkinë e Finiqit gjatë periudhës 2017-2019 u zhvilluan disa procedura fiktive prokurimi, që sipas organit të akuzës u sajua dokumentacioni pasi ishin shpallur fituesit e paracaktuar.

Hristo ka qenë edhe kandidat për kryetar në zgjedhjet e lokale të vitit 2023, me koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’.

Ish zyrtarët e tjerë të Bashkisë , Florian Perin, Stavri Çavo, Lefter Karjanin dhe Lefteria Mekshin po gjykohen në Sarandë, pasi GJKKO ka shpallur moskompetencë për to.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Profil i liderit të ri hungarez Peter Magyar, nga admirues te njeriu që rrëzoi Orban

0

Si fëmijë që rritej në Budapest, Peter Magyar kishte një poster të Viktor Orbán të varur mbi shtratin e tij. Në atë kohë Orban ishte një figurë kryesore e lëvizjes pro-demokratike në vend. Ai ishte mes disa figurave politike që zbukuronin dhomën e tij, tregoi Magyar në një podcast vitin e kaluar, duke lënë të kuptohej entuziazmi i tij për ndryshimet që po përjetonte vendi pas rënies së komunizmit.

Sot, Magyar, 45 vjeç, është forca shtytëse pas një tjetër ndryshimi potencialisht historik në Hungari: largimit nga pushteti të Orban, sundimi 16-vjeçar i të cilit e ka kthyer vendin në një “laborator për iliberalizmin”.

Pak kush mund ta kishte parashikuar ngjitjen meteorike të Magyar dhe partisë së tij Tisza. “Ai ka ndërtuar një lëvizje opozitare me një shpejtësi të jashtëzakonshme,” tha Gábor Győri nga Policy Solutions, një institut kërkimor politik në Budapest. “Kurrë, që nga historia e Hungarisë pas tranzicionit, nuk kemi parë një parti që ngrihet kaq shpejt.”

Ata që e njohin Magyar shpesh luhaten mes admirimit dhe antipatisë. Shumë vlerësojnë lëvizjen e fuqishme që ai ka ndërtuar dhe disiplinën që ka treguar, duke përshkuar vendin dhe duke mbajtur deri në gjashtë fjalime në ditë. Por njëkohësisht e përshkruajnë si një njeri me temperament të shkurtër dhe me një stil që ndonjëherë mund të jetë i ashpër.

Të tjerë mendojnë se ai është njeriu i duhur për këtë moment. “Mendoj se, si të gjithë politikanët, mund të jetë një person i vështirë,” tha Tamás Topolánszky, regjisor që ka ndjekur Magyar për 18 muaj për një dokumentar mbi ndryshimet në shoqërinë hungareze.

Topolánszky e përshkruan Magyar si autentik dhe pasionant, por edhe si dikush që mund të jetë i paduruar. “Mendoj se kjo është diçka që ne hungarezët tani e shohim se ishte e nevojshme për të arritur deri këtu.”

Përmes kamerës së tij, ai e ka ndjekur Magyar teksa shfaqej në qytete dhe fshatra në të gjithë Hungarinë, duke thyer gradualisht apatinë që kishte karakterizuar politikën hungareze për vite. “Energjia në këto tubime ishte diçka që nuk e kam përjetuar kurrë më parë,” tha ai.

Ngjitjen e veçantë të Magyar e shpjegon edhe lidhja e tij e thellë me partinë Fidesz të Orbán. Një pjesë e madhe e jetës së tij është kaluar në rrethet elitare të kësaj partie. Miqtë e tij të afërt kanë përfshirë Gergely Gulyás, shefin e kabinetit të Orbán, ndërsa në vitin 2006 ai u martua me Judit Varga, ish-ministre e drejtësisë nga Fidesz. Ai ka shërbyer si diplomat në Bruksel dhe ka mbajtur poste të larta në institucione shtetërore.

Magyar hyri në qendër të vëmendjes në vitin 2024, kur u zbulua se qeveria e Orbán – e cila për vite kishte ndërtuar imazhin e saj mbi mbrojtjen e familjes dhe fëmijëve – kishte falur një person të dënuar për mbulimin e një skandali abuzimi seksual në një shtëpi fëmijësh. Judit Varga, tashmë ish-bashkëshortja e tij, dha dorëheqjen, ashtu si edhe presidentja Katalin Novák.

Magyar reagoi ashpër në rrjetet sociale, duke akuzuar zyrtarët e Fidesz se po përdornin dy gratë si “kokë turku”, ose siç shkroi ai: “duke u fshehur pas fundeve të grave”.

Ai vazhdoi të fliste publikisht, duke tronditur shoqërinë hungareze si një ish-insajder që po zbulonte mekanizmat e një sistemi që ai e përshkroi si të kalbur. Sipas tij, Fidesz ishte një “produkt politik” i shitur qytetarëve, ndërsa zyrtarët zgjeronin pushtetin dhe pasurinë e tyre në kurriz të qytetarëve të zakonshëm.

Ky mesazh gjeti jehonë të fortë, në një kohë kur shumë hungarezë përballeshin me rritjen e kostos së jetesës, shërbime publike në përkeqësim dhe paga të stagnuara. Pas një proteste me rreth 35 mijë pjesëmarrës në mars 2024, Magyar lançoi lëvizjen e tij politike.

Megjithatë, e kaluara e tij në Fidesz e bën edhe më kompleks profilin e tij. Në dokumentarin “Spring Wind”, kur u pyet: “Me kë je mik tani?”, ai u përgjigj pas një pauze: “Kjo është një pyetje e mirë. Është e vështirë të thuash nëse ke miq të vërtetë në një situatë si kjo.”

Ndërsa shumë qytetarë janë rreshtuar pas tij, një pjesë e votuesve mbeten skeptikë. “Magyar nuk është shenjt, por Fidesz duhet të ikë,” tha Anita, 33 vjeç, në një park në Kecskemét. Ajo e pranoi se vota për Tisza ishte një bast, i lindur nga shpresa se ai do të ishte ndryshe nga të tjerët. “Çdo gjë është më mirë se kjo vdekje e qetë,” shtoi ajo.

Topolánszky e sheh të kaluarën e Magyar si një avantazh: “Ai është një njeri nga brenda që hoqi dorë nga gjithçka – nga përfitimet – për të mos vazhduar më me Fidesz.”

Pavarësisht një fushate dyvjeçare dhe një programi prej 240 faqesh, shumë detaje mbi atë që do të bëjë konkretisht mbeten të paqarta. Kjo është pjesërisht e qëllimshme, pasi ai ka ndjekur një fushatë të kontrolluar për të mos u dhënë material mediave, rreth 80% e të cilave kontrollohen nga Fidesz.

“Ai është një ‘kalë i errët’,” tha Győri. “Ne nuk dimë shumë për të.”

Magyar ka premtuar të rikthejë balancat demokratike, të përmirësojë marrëdhëniet me BE-në për të zhbllokuar fondet e ngrira dhe të luftojë korrupsionin. Ai ka premtuar të heqë varësinë nga energjia ruse deri në vitin 2035 dhe të ndjekë “marrëdhënie pragmatike” me Moskën.

Sa i përket Ukrainës, ai do të vazhdojë të kundërshtojë dërgimin e armëve dhe anëtarësimin e shpejtë në BE, por ekspertët thonë se edhe ndalimi i vetove të Hungarisë do të ishte një ndryshim i madh.

Në çështje të tjera të ndjeshme, si ndalimi i Pride, ai ka zgjedhur të mos pozicionohet. “Ai thjesht nuk flet për këto tema,” tha Győri.

Një nga pikëpyetjet më të mëdha mbetet se çfarë mund të bëjë realisht në pushtet. Gjatë 16 viteve, Fidesz ka mbushur shtetin, median dhe drejtësinë me besnikë, ndërsa ndryshimet kërkojnë një shumicë prej dy të tretash në parlament.

Megjithatë, shumë hungarezë janë bashkuar rreth tij. Sipas deputetit të pavarur Ákos Hadházy: “Kur bëhet fjalë për Peter Magyar, ka edhe pikëpyetje edhe pikëçuditëse. Por shoqëria hungareze e ka pranuar këtë.”/ Përshtatur nga The Guardian

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Eric Adams zyrtarisht banor i kryeqytetit! Ish-kryebashkiaku i New York regjistrohet te njësia nr.2

0

Ish-kryebashkiaku i New York, Eric Adams, është bërë tashmë zyrtarisht banor i kryeqytetit! Pas marrjes së shtetësisë shqiptare, një hap simbolik që pasqyron lidhjen e tij të hershme me komunitetin shqiptar në SHBA, Adams është regjistruar si banor në Njësinë Administrative nr. 2 në Tirana.

Lajmi është bërë publik nga kreu i kësaj njësie, Florian Pullazi, i cili ndau momente nga pritja që i kishte bërë Adams në ambientet e institucionit. Në fotografitë e publikuara, Adams shfaqet i buzëqeshur dhe i afërt, ndërsa përshëndetet me stafin dhe firmos dokumentacionin përkatës.

Figura e Eric Adams është prej kohësh e lidhur me komunitetin shqiptar në Nju Jork, ku gjatë gjithë karrierës së tij politike ka shprehur mbështetje të vazhdueshme. Me një të kaluar si kapiten në Departamentin e Policisë së New York-ut dhe më pas si drejtues i qytetit më të madh amerikan, ai është njohur për angazhimin e tij në çështjet e sigurisë publike dhe komunitetit.

“Eric Adams, banori më i ri i njësisë nr. 2 në Tiranë!  Me kënaqësi mikprita sot në ambientet e njësisë administrative nr. 2 në Tiranë, ish-kryetarin e bashkisë së Nju-Jorkut dhe ish-senatorin e njohur, Eric Adams. Eric Adams është një mik i madh i shqiptarëve – sot, shqiptar me pasaportë – përveçse një politikan i njohur për fokusin tek çështjet e sigurisë publike, si ish-kapiten i Departamentit të Policisë së Nju-Jorkut.  Siç e thotë edhe vetë ai, marrja e shtetësisë shqiptare është edhe reflektim i lidhjes së gjatë dhe të thellë mes qytetit të Nju-Jorkut dhe komunitetit shqiptar në SHBA.  Kënaqësi që, nga sot, e kemi banor të njësisë nr. 2 në kryeqytet”, shkruan Florian Pullazi.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Humbja e Orban/ Qori: Populli hungarez na dha një leksion të mirë! Në Shqipëri kemi qeveri të kalbur dhe opozitë të kompromentuar

0

Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për rrëzimin e Viktor Orban nga pushteti në Hungari pas 16 vitesh. 

Qori tha se populli hungarez i ka dhënë një leksion të mirë edhe shqiptarëve, për sfidimin e autokracisë, ndërkohë që tha se Rama dhe Berisha ishin të dy dashamirës të Orban. 

“Nuk dua të bëj si ekspert i çështjeve hungareze, siç është modë në vendin tonë, ku dalin qindra ekspertë, por me aq sa kam kuptuar, besoj se është rasti i ezaurimit të një pushteti autoritarist, që ka sjellë korrupsion dhe skandale përtej korrupsioni. Është shoqëruar me rënie ekonomike dhe e ka bërë Viktor Orban gjithnjë e më shumë jo popullor. Personazhi që ka fituar zgjedhjet, ka dalë nga partia e Orban dhe ka patur ngjitje të rrufeshme. I përket qendrës së djathtë, ndërkohë Orban është në të djathtën ekstreme.

Humbja e një autokrati është gjithmonë një lajm i mirë, pavarësisht prirjes së tij ideologjike. 

Ajo që më ka bërë përshtypje te opozita hungareze, është që mbështeja ndërkombëtare ndaj Orban, nuk ka patur impakt. JD Vance ka shkuar para ca ditësh dhe ka bërë thirrje që hungarezët të votojnë Orban, por ka dështuar. Me sa duket, populli hungarez nuk ka pyetur as për Trump dhe as për JD Vance. Tani imagjinoni sikur Vance të vijë në Shqipëri para zgjedhjeve dhe të thotë votoni Ramën, del vetë Berisha dhe thotë edhe unë e votoj Edi Ramën. Kjo për të kuptuar karaktein komik të opozitës së vjetër në Shqipëri.

Orban në Shqipëri është nëj figurë konsensuale, e kanë përzemër Berisha dhe Rama. Të dy bashkë i binden në mënyrë servile çdo fuqie që vjen në arenën ndërkombëtare, nuk e kanë për gjë të ndryshojnë qëndrimet e tyre.

Mendoj se populli hungarez na ka dhënë një leksion të mirë, në kuptimin e sfidimit të autoritarizmit. Sundimi i Orban ka patur ngjashmëri me sundimin e Ramës. Hungaria ka patur skandal, ka falur Presidenti persona të përfshirë në një skandal ngacmimi seksual për fëmijët dhe populli ka dalë në protesta masive, qeveria ka kërcënuar me heqje nga puna mësuesit dhe ata kanë rezistuar, çka tregon kurajo qytetare. Asnjë regjim autoritarist nuk është i gjithëpushtetshëm, mund të kesh para, oligarkë, kërcënimet, por shoqëria është shumë herë më e fortë.

16 vite në pushtet janë shumë në një kontekst demokratik. Korruptimi që vjen nga pushteti i gjatë dhe absolut është i pashmangshëm. Kudo ku ka probleme me autoritarizmin, është ndezur një dritë shpresë. Kjo nuk do të thotë se automatikisht do të ndodhë në Shqipëri”, deklaroi Qori. 

I pyetur nga Ylli Rakipi se përse lëvizja e tij dhe partitë e vogla, nuk kanë një sukses të tillë në Shqipëri, Qori tha se nuk mund të krahasohen të dy vendet dhe se fituesi i zgjedhjeve në Hungari ka dalë nga “gjiri i Orban”, ndërsa Shqipërisë i duhet një alternativë e fortë morale. 

“Nuk ka determinizëm historik, përvojat e vendeve nuk përsëriten. Në Hungari ndryshimi erdhi nga nje person që ka dalë nga gjiri i Orbanit. Mund të jetë mundur Orbani por jo detyrimisht orbanizmi. Kur vjen puna te Shqipëria jemi përballë një qeveria të kalbur dhe opozite të kompromentuar. Janë shërnbyes të oligarkëve dhe servilë të faktorit ndërkombëtar.

Berisha dhe Rama votuan me hosana anëtarësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, të inicuar nga nje president i SHBA që kundërshtohet nga brenda SHBA, nga Evropa, pjesa më përparimtare e njerëzitmit. Këtu rreshtohen me të fortin e rradhëz. Kam besim se Shqipërisë i duhet alternativë e fortë morale. Është e vërtetë që nuk patëm ndonjë rezultat shumë të madh, jemi shndërruar në parti parlamentare, por muajit që kanë kaluar na kanë dhënë shumë më tepër popullaritet, njerëzit kanë vlerësuar karakterin tonë dhe qëndrueshmërinë tonë. Jemi të vetëdijshëm që synimet tona kërkojnë transformim të gjerë të shtetit, rrëzimin e një sistemi oligarkik dhe të korruptuar”, tha Qori. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Presidenti Trump propozon Eric Wendt ambasador të SHBA-së në Shqipëri

0

Eric Wendt, nga Kalifornia, është nominuar si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë.

Njoftimi u bë nga Shtëpia e Bardhë. Nëse kalon votimin në senat, Eric Wendt do të jetë pasardhësi i ambasadores Yuri Kim, e cila u largua nga Shqipëria në vitin 2023.  Dy vite më parë, “dështoi” emërimi i diplomatit David J. Kostelancik për postin e Ambasadorit amerikan në Shqipëri, pasi nuk u vota nga disa senatorë republikanë. Edhe një senator i vetëm mund të bllokojë një emërim.

Bllokimet e kandidaturave që kanë nevojë konfirmimi nga Senati janë një praktikë e zakonshme e betejës politike në Uashington.

Kush është Eric Wendt 

Wendt ka shërbyer si oficer aktiv në Ushtrinë Amerikane që nga viti 1986. Që nga viti 1991 është pjesë e forcave speciale si “Green Beret”, duke ndërtuar një profil të fortë si oficer i operacioneve speciale.

Pas sulmeve të 11 shtatorit, ai ka marrë pjesë në disa misione të rëndësishme ndërkombëtare. Ka shërbyer në Indonezi si drejtues ekipi për Komandën e Paqësorit të SHBA-së, si dhe në disa operacione ushtarake, përfshirë operacionin “Liria e Qëndrueshme” në Filipine, operacionin “Liria e Irakut” në Irak dhe operacionin “Liria e Qëndrueshme” në Afganistan.

Përveç detyrave të shumta në struktura drejtuese, ai ka mbajtur edhe pozicione të rëndësishme, përfshirë rolin si ndihmës ushtarak kryesor i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes. Wendt ka komanduar në të gjitha nivelet e forcave speciale, nga njësitë operative të vogla deri te komandat e mëdha rajonale të operacioneve speciale.

Ai flet gjuhën arabe dhe koreane dhe është vlerësuar me një sërë dekoratash ndërkombëtare dhe ushtarake, përfshirë Kryqin e Artë të Nderit të Gjermanisë (për shërbimin në Afganistan), vlerësim presidencial nga Filipinet dhe medalje nga Koreja e Jugut, si dhe disa insigna elitare si distinktivi i sulmeve ajrore, ai i parashutistit të avancuar, distinktivi “Ranger”, ai i forcave speciale dhe ai i këmbësorisë luftarake.

Në nëntor 2017, ai mori detyrën si Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke luajtur një rol kyç në koordinimin e çështjeve të sigurisë në rajon.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Agron Duka: E mbështes Arben Malajn si kandidat të pavarur për Vlorën

0

Kreu i PAA-së, Agron Duka, i ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Danglli në A2 CNN, ka shprehur mbështetjen për ish-ministrin e Financave, Arben Malaj, i cili ka shprehur dëshirën për të kandiduar si i pavarur për kryebashkiak të Vlorës.

Duka u shpreh se nuk sheh një kandidat më të përshtatshëm se Malaj për drejtimin e qytetit.

Unë e kam mik zotin Malaj. Zgjedhjet vendore nuk janë si zgjedhjet parlamentare. Jam realist dhe nuk shoh ndonjë më të zot se Arben Malaj. Nuk ka arsye pse të mos e mbështes,” tha ai.

Nga ana tjetër, Malaj bëri akuza të forta ndaj Ramës dhe Berishë, duke pretenduar se po diskutohet që kryetarët e bashkive të zgjidhen nga këshillat bashkiakë dhe jo drejtpërdrejt nga qytetarët.

Ai u shpreh se dyshja Rama-Berisha po ndjek të njëjtën qasje si në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duke e cilësuar këtë si një goditje ndaj demokracisë.

“Arkivolin e demokracisë shqiptare e bënë në 2008-ën me ndryshimet kushtetuese vëllezërit siamezë Berisha dhe Rama. Kam informacion se po bëjnë të njëjtën gjë edhe për demokracinë vendore dhe do të arrijnë marrëveshje.

Po hidhet në diskutim që kryetarët e bashkive t’i zgjedhë këshilli bashkiak, çka është një deficit demokratik. Në shumë vende të botës edhe anëtarët e këshillit kandidojnë zonë më zonë, jo me lista partie”, u shpreh Malaj.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ervin Salianji: Berisha nuk pranon garë në PD sepse është i dobët, unë e mund!

0

Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, deklaroi se Sali Berisha nuk pranon garë me të në PD, pasi është i dobët dhe i humbet zgjedhjet brenda partisë. 

Salianji tha se nuk do të bëjë parti të re, por do të luftojë brenda PD-së! 

Ervin Salianji: Pse ka rëndësi PD në këtë moment dhe përmirësimi i PD për Shqipërinë? Çdo parti tjetër, do ti duhet koha e vet për të bërë të mundur ndryshimin, kjo i jep oksigjen Edi Ramës. Them, duke qenë se kam një kontribut jo të paktë në PD dhe kam mbështetje, sallat e takimeve, në takimet e mia dhe të Berishës, kanë qenë më shumë njerëz te të miat. Sali Berisha ka kërkuar të hyjnë në garë dhe nuk i hynte njeri. Unë pavarësisht se nuk ka garanci, është një muaj e pak larg garës, nuk ka lista nuk ka asgjë, farsë. Por po them prapë, hajde bëjmë garë me kushtet që cakton ti. Berisha që me statutin e partisë nuk duhet të ishte kryetar dhe nuk duhet të lejohej të kandidonte.
Rama nuk ka marrë asnjëherë më shumë se 48%. Fragmentimi i votës, problemi i opozitës ka sjellë këtë. PD me një lidership të ri e mund Ramën. Kjo nuk e sjell rrotacionin. Deri sot edhe këtij zotërisë në Hungari i thoshin nuk e bën dot. Shoh që ka dy mendime, dy realitete të ndryshme, një në studio që ju i thoni si fakte ky fiton, dhe një realitet tjetër te shoqëria. Nëse fiton dhe e ka të sigurtë, pse nuk bën garë? Sepse është i dobët.

Baton Haxhiu: Pse lodhesh, ne e dimë fundin dhe fillimin e kësaj gare.

Ervin Salianji: Politika nuk është akt dueli momental por është vazhdimësi. Në PD ku unë jam, për shkak të kurajës, guximit, sepse këto i mendojnë shumë të tjerë por nuk i thonë në publik. Nëse nuk ndryshon PD, e kemi të pamundur të mundim Edi Ramën.

Ylli Rakipi: Jam dakord. Së pari duhet përmbysur autokrati i opozitës, që pastaj të përmbyset autokrati i qeverisë. 

Ervin Salianji: Mua mos më kërkoni të hedh investimin tim dhe të bëj parti.

Baton Haxhiu: Ai do të fitojë zgjedhjet lokale, zgjedhjet e tjera.

Ervin Salianji: Në maj PD ka zgjedhje, ta shohim a do të ketë. Nëse ka farsë, vjen diskutim tjetër. Debati publik. Cili është kuptimi i garës? Ka kushte të barabarta.

Baton Haxhiu: Më mirë të mbajë zgjedhjet vet sesa ti legjitimosh ti. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Spiropali komenton rrëzimin nga pushteti të Viktor Orban: Humbja e tij, sinjal për…

0

Ish-ministrja e Jashtme dhe deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve në Hungari, ku votuesit i dhanë fund një periudhe të gjatë në pushtet të Viktor Orbanit.

Përmes një postim në rrjetet sociale, ajo e interpreton këtë zhvillim si një moment me peshë jo vetëm për Hungarinë, por edhe për vetë Europën. Sipas saj, për vite me radhë modeli i qeverisjes së Orbanit ka vënë në diskutim parimet mbi të cilat funksionon Bashkimi Europian, duke theksuar se demokracia nuk lidhet vetëm me shumicën, por edhe me kufizimin e pushtetit dhe respektimin e standardeve.

“Hungaria dhe prova e Europës. Nëse Hungaria hyn në një fazë të re politike, ky nuk është thjesht një ndryshim qeverie. Është një sinjal më i thellë për vetë Europën.

Për shumë vite me radhë, modeli i Viktor Orban ka sfiduar një nga parimet themelore të Bashkimit Europian; që demokracia nuk është vetëm votë, por edhe standard, jo vetëm shumicë, por edhe kufizim i pushtetit”, shkruan Spiropali, teksa më tej është ndalur edhe te rezultati i zgjedhjeve, duke e parë atë si dëshmi se edhe në sisteme të konsoliduara ekziston hapësirë për ndryshim dhe për një reagim të gjerë qytetar. Ajo vlerëson se ky zhvillim tregon se shoqëritë kanë ende kapacitet për të rikthyer balancat dhe për të kërkuar institucione funksionale.

Në të njëjtën kohë, ish-ministrja e konsideron këtë moment si një sinjal më të gjerë për Europën, duke nënvizuar se besimi te vlerat demokratike mund të rikonfirmohet edhe në kohë sfidash.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ish-ministri Arben Malaj: PS po shkon drejt fundit, po e gërryen korrupsioni

0

Ish-ministri socialist, Arben Malaj, ka një qasje kritike dhe njëkohësisht alternative ndaj zhvillimeve politike aktuale në vend, me fokus të veçantë te situata brenda PSsë dhe ambicia e tij për të kandiduar në Bashkinë e Vlorës.

Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, me tone të forta, Malaj ngre alarmin për një parti që, sipas tij, ka humbur identitetin demokratik, është zhytur në korrupsion dhe është kthyer në një strukturë të centralizuar, ku mendimi ndryshe nuk ekziston më. Duke vënë në shënjestër drejtimin e Edi Ramës, Malaj flet për “kapje të shtetit”, manipulim të votës dhe një klimë frike që, sipas tij, po mban në këmbë pushtetin. Nga çështja “Balluku”, tek apatia qytetare dhe mungesa e protestave, ai flet për një panoramë të errët të realitetit politik, ndaj sipas tij, një qeveri tranzitore, por jo e partive politike mund të kthejë besimin e shqiptarëve te vota e lirë. Paralelisht, ai paraqet kandidimin e tij si një akt mirënjohjeje dhe përgjegjësie ndaj Vlorës, duke premtuar një stil drejtimi më të hapur, më njerëzor dhe më të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Z.Malaj, si e shihni klimën aktuale brenda Partisë Socialiste?

PS ka sfida shumë të mëdha, së pari për të kaluar nga një parti e kryetarit, në një parti të anëtarëve të saj. Pa e fituar këtë sfidë të brendshme, PS-ja do të venitet në misionin e saj si një forcë politike demokratike dhe qeveritë e saj do të jenë përherë e më të prekura nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, siç po ndodh aktualisht.

A ka sot PS-ja hapësirë për mendim ndryshe apo dominon një model i centralizuar vendimmarrjeje?

Fatkeqësisht jo. Mendimi ndryshe dhe liria e mendimit të lirë janë shkelur rëndë që ditën e parë që Edi Rama mori drejtimin e një prej partive më demokratike në vend, duke hequr kështu edhe një model referues pozitiv dhe inspirues, për të cilin ka nevojë ambienti shoqëror dhe politik shqiptar. Vdekja klinike e mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe u bë me ndryshimet kushtetuese në 2008, ku u vërtetua edhe vëllazëria siameze e Ramës me Berishësn.

PS shkon në zgjedhjet e ardhshme lokale me një faturë të madhe mbi supe, atë të korrupsionit qeveritar. Sipas jush, sa do ta dëmtojë atë në zgjedhje?

Po, shembulli konkret është Vlora, ku pjesëmarrja në votime si për zgjedhjet parlamentare, edhe për bashkinë është e paimagjinueshme dhe e papranueshme, përveç faktit se sa shumë është rritur zhgënjimi dhe mosbesimi tek ‘Rilindja’.

Si e shpjegoni mbështetjen e vazhdueshme që PS-ja i jep Belinda Ballukut, pavarësisht se është marrë e pandehur nga SPAK dhe ka akuza të forta për afera korruptive?

Vlerësoj se edhe vetë znj.Balluku nuk duhet të pranojë të keqtrajtohet nga Rama në emër të besnikërisë. Patjetër, gëzon prezumimin e pafajësisë, por ka raste në politikë që politikanët i bëjnë një shërbim vendit duke bërë një ose dy hapa pas. Pa pranuar fajësinë pa vendim gjyqi, por duke investuar për kredibilitetin publik edhe pa mandat publik si ministre apo deputete, edhe përgjegjësi për të mos vonuar apo bllokuar perspektivën evropiane të vendit të saj.

A rrezikon kjo situatë besueshmërinë e PS-së në sytë e qytetarëve?

Patjetër. Rama fiton jo nga sukseset ekonomike, por nga sukseset e jashtëzakonshme të ndikimit abuziv dhe patronazhistëve në kërcënimin dhe vjedhjen e votave. Populli shqiptar ka një shprehje shumë domethënëse për mbretërit lakuriq: “Nuk mbulohet dot dielli me shoshë”. Diellin verbues të korrupsionit, kapjes së shtetit dhe babëzisë nuk e mbulon dot asnjë shoshë oborrtare.

Cila është zgjidhja sipas jush, sa imediat është rotacioni politik në Shqipëri?

Fillimisht duhet një qeveri tranzitore, por jo e partive politike. Kjo rikthen besimin se vota nuk do të vidhet, krijohet shpresë dhe angazhimi i kërkuar politik i shumicës së shqiptarëve dhe vlonjatëve.

Pse shqiptarët nuk ngrihen kundër qeverisë, pavarësisht abuzimit të qeveritarëve me taksat e tyre?

Këtë e qartëson një profesor i Yale University, i cili thekson se: “Kur votuesit humbasin besimin se vota e tyre sjell ndryshim, autokratët vijnë në pushtet pa tanke”. Ndaj thelbi i fushatës sime në Vlorë është të rritim pjesëmarrjen. Nuk ka qeveri, sado hajdute dhe e kriminalizuar të jetë që mund të mbytë vullnetin e qartë të disa qindra mijëra votuesve. Fitoren time e synoj në rritjen e ndërgjegjësimit të votuesve vlonjatë. Masivizimi i tyre në votime mbyt në mënyrë demokratike çdo skemë hajdute të votave.

Në këtë mjedis politik, ju keni shpallur kandidaturën për garën e kryebashkiakut të ri të Vlorës. Sa reale është ambicia juaj në këtë rast dhe çfarë ju motivon konkretisht?

E plotë, e qartë, e panegociueshme për të bërë hap pas. Mirënjohje e thellë e përditshme dhe e përhershme si edhe deri sot për Vlorën dhe vlonjatët, që më kanë inspiruar, mbështetur dhe promovuar në rrugëtimin e vështirë njerëzor, publik, akademik dhe politik.

Pse ky vendim si kandidat i pavarur, ndërkohë që angazhimi juaj politik ka qenë prej vitesh në PS?

Kur një derë u mbyll më 2013-ën, patjetër portat/horizonti i pakufizueshëm i Vlorës e lehtësojnë këtë angazhim të përkushtuar. U jam mirënjohës gjithë socialistëve, por në asnjë rast nuk do të konkurroja, për asnjë post publik, me logon e lyrosur të rilindasve të babëzitur. Kjo është një vijë e kuqe që nuk do ta shkel kurrë. Po e ripërsëris: kurrë nuk do të jem kandidat i ‘Rilindjes’ së babëzitur, të korruptuar dhe të kapur nga interesa të pista jo vetëm personale.

A keni pasur bisedime me PS që të merrnit mbështetjen e saj për ambicien tuaj?

Jo, sepse nuk është më PS-ja.

Çfarë doni të thoni se nuk është më PS-ja?

‘Rilindja’ në thelbin e saj aktual nuk ruan më asnjë vlerë të PS-së si parti demokratike e fjalës e mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe.

Cilat kanë qenë reagimet pas deklaratës suaj për garën e Vlorës?

Shumë pozitive. Po ju them vetëm një fakt: në momentin që e bëra prezent këtë ambicie pozitive, detyruese dhe mirënjohëse ndaj Vlorës, e kanë parë këtë postim rreth 178 mijë veta. Kam mesazhe shumë inkurajuese dhe të sinqerta nga personalitete dhe të rinj të diasporës. Ndjej respekt kur kaloj rrugëve të Vlorës. Unë jam bashkërritur me Vlorën dhe vlonjatët e kjo më krijon premisë pozitive për këtë konkurrim.

Çfarë keni konkretizuar deri tani lidhur me garën për Vlorën?

Nuk dua kurrë t’i lodh vlonjatët me një vit fushatë para nisjes së saj zyrtare, siç bën Rama. Fushata ime do të jetë derë më derë, mirënjohëse, pozitive, paqësuese dhe bashkëpunuese. Larg sulmeve dhe akuzave shpifëse. Fushata zyrtare do të jetë vetëm brenda afatit njëmujor që përcakton Kodi Zgjedhor, por puna ime për të njohur problematikën, zgjidhjet për problemet e pazgjidhura prej dekadash ka filluar. Një grup ekspertësh, pa asnjë preferencë specifike politike, kanë filluar të angazhohen për prioritetet dhe sfidat konkrete të Vlorës.

Cilat janë avantazhet tuaja në këtë garë?

E para, është dhënia fund modelit të arrogancës së qeverisjes. E dyta, një model zhvillimi jo duke betonizuar Vlorën, por me vizionin afatgjatë të ‘Vlora2’, duke e mbajtur edhe të gjelbëruar Vlorën aktuale dhe jo kulla në çdo cep të saj. Duhet të orientohemi drejtë te modeli ‘Milano1’ dhe ‘Milano2’. E treta, dhe më thelbësore, do t’i shërbej Vlorës me integritet të lartë dhe të patregtueshëm. Këtë të fundit e vërteton me një fakt. Edhe se unë kisha një familje të madhe me nëntë fëmijë, edhe pse kam mbajtur pozicione të larta politike dhe qeverisëse, asnjë prej vëllezërve dhe motrave të mia, ndryshe nga kolegët e babëzitur, nuk ka përfituar asnjë qindarkë fonde nga buxheti i shtetit. Me të njëjtin integritet do të konkurroj dhe do t’i shërbej Vlorës. Do të konkurroj dhe do të përfundoj çdo mandat publik dhe politik duke jetuar në të njëjtën shtëpi modeste në Vlorë.

Çfarë mungon sot në drejtimin e Bashkisë së Vlorës?

Rama i ka keqtrajtuar të zgjedhurit e popullit të Vlorës duke i nënvleftësuar dhe deri duke i poshtëruar edhe publikisht. Rama e ka reduktuar funksionin e kryetarëve të bashkive deri në nivelin e drejtorëve të ndërmarrjeve komunale të paraviteve ‘90. Administrata publike e bashkisë keqtrajtohet, sikur detyrimi i saj të jetë vetëm të bëhen patronazhistë sybesnikë të palodhur për vjedhje të votave. Shumë prej tyre përzgjidhen nga sistemi i “patronazhistëve” pa minimumin e ndjesisë dhe përgjegjësisë ndaj Vlorës. Mos harroni shkarkimin me urdhër të Ramës të 24 administratorëve të bashkisë.

Cili do të jenë vizioni juaj për Vlorën?

Premtoj dhe garantoj se do të zhduk modelin makiavelist të drejtimit të Vlorës në bashki, institucione, agjenci dhe ndërmarrje publike. Rama qeveris me filozofinë makiveliste: “Më mirë të më kenë frikë sesa të më duan”. Në çdo angazhim timin publik, akademik dhe politik, mbi 40 vite udhëhiqem gjithnjë nga filozofia: “Më mirë të më duan sesa të më kenë frikë”.

Do ta reduktoj ndjeshëm arrogancën e frikës në çdo aspekt që shfaqet. (i) Tatimet, taksat dhe çdo institucion tjetër në varësi të bashkisë nuk do të paraqitet më për asnjë kontroll fizik në asnjë biznes. Analiza kundër informalitetit dhe mospagimit të taksave do të bëhet me analizë risku nga zyra. Edhe ballafaqimi do të bëhet në zyrat e taksave dhe bashkisë. (ii) Policia Bashkiake nuk do të ketë më makina dhe qëndrime fodulle nga xhamat e makinave, por do të operojë me këmbë ose biçikleta, duke i dhënë respekt maksimal çdo vlonjati dhe çdo turisti. (iii) Asnjë kontroll i zhurmshëm nëpër restorante dhe hotele gjatë sezonit ku tremben klientët, ky do të jetë një kujtim i hidhur nga e kaluara. (iv) Ndërmarrjet e bashkisë me humbje do të ristrukturohen rrënjësisht, duke vlerësuar çdo specialist dhe punëtor, por duke bërë ndërhyrjet e nevojshme që këto ndërmarrje të mos grabisin asnjë qindarkë të tatimpaguesve. (v) Praktika e turpshme e heqjes së aksesit në ujë apo bllokimi i ashensorëve në fillim të sezonit do të ndalohet menjëherë. Çdo vlonjat vendas dhe i ardhur, çdo turist vendas apo i huaj nuk do të përballet më me këtë arrogancë imponuese, prerjen e ujit dhe bllokimin e ashensorëve. Administratorët, nëse tolerojnë këto dy shkelje të dinjitetit njerëzor, rrezikojnë të humbasin vendin e punës. (v) Patronazhistët e ndërmarrjeve publike, duke filluar nga ujësjellësi, të rritur ndjeshëm në numër vetëm për të imponuar apo vjedhur votat, do të përballen me ligjin dhe shkeljen e Kodit të Etikës së çdo punonjësi të bashkisë dhe ndërmarrjeve publike e institucioneve të saj. Çdo projekt, përfshi këtu edhe Sazanin, i cili në qoftë se ka marrë të gjitha lejet sipas legjislacionit shqiptar për të investuar në Vlorë, nuk mund të pengohet. Kjo, sepse kostot janë shumë të rënda për tatimpaguesit shqiptarë. Çdo projekt i miratuar do të ndihmohet edhe nga Bashkia Vlorë, që të bëhen sa më parë funksionalë, të krijojnë vende pune dhe të ardhura. Mos harroni, rasti i pallatit “Basha”: i hedhur në erë me dinamit po u kushton shqiptareve 15 milionë euro, ndërsa rasti “Bechetti” rreth 150 milionë euro.

Njëherësh me ju, edhe Erion Braçe ka shprehur ambicien për Bashkinë e Tiranës. Si e shihni mundësinë e tij…?

Personalisht e kam mbështetur historikisht lirinë e mendimit të lirë, lirinë e mendimit ndryshe dhe sidomos angazhimin e tyre në sfidat e PS-së, të cenuara rëndë nga modeli i babëzisë së ‘Rilindjes’. Erionin e kam mbështetur publikisht kur kandidoi dhe fitoi ndjeshëm në zgjedhjet parlamentare. Erioni i ka lënë të hapura mundësitë të jetë kandidat në emër të PS-së, por ka theksuar se nëse PS nuk e kandidon, ai do të konkurrojë edhe i pavarur. Mundësitë apo pamundësitë për këtë ambicie mund t’i qartësojë vetëm Erioni, sikurse po bëj unë sot, duke rikonfirmuar se do të kandidoj si kandidati i pavarur në Vlorë.

A është ai një kandidat që bashkon apo përçan brenda PS?

Çdo garë që ka qëllime pozitive, asnjëherë nuk përçan, përveç tremb një pjesë të lidershipit të PS-së, që mund të bëjnë gjithçka për ta penguar.

Kush mendoni se ka më shumë gjasa të jetë kandidati zyrtar i PS-së për Tiranën?

Ndjesë, nuk mund të bëj analiza të brendshme kur kam shumë vite që jam më shumë se shumë larg nga prapaskenat dhe poshtërsitë e brendshme të një pjese të lidershipit të ‘Rilindjes’.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx