Ballina Blog Faqe 60

Paqja SHBA-Iran, Bordi i Transparencës ul çmimin e naftës!

0

Pas arritjes së armëpushimit mes SHBA dhe Iranit, Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimit të naftës në vend. Nafta është ulur me 4 lekë, nga 224 lekë në 220 lekë ndërsa çmimi i benzinës mbetet i pandryshuar, 181 lekë/litri.

“Bordi i Transparencës në datë 8 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 220 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 208 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 181 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 8 ora 15.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

U padit për shpifje nga punonjësi i burgut të Peqinit, GJKKO shpall të pafajshëm Flamur Nokën

0

Gjykata e Posaçme ka dhënë pafajësi për deputetin e Partisë Demokratike Flamur Noka, i kallëzuar për shpifje dhe fyerje nga një punonjës i burgut të Peqinit, Gjergji Vishkuli.

Ky i fundit e akuzonte Sekretarin e Përgjithshëm të PD lidhur me një denoncim që Noka kishte bërë në rrjetet sociale ku akuzonte punonjësit e burgut se ishin angazhuar në fushatën elektorale për zgjedhjet e  11 majit në mbështetje të Partisë Socialiste. Deputeti demokrat nuk ishte i pranishëm në seancë por u përfaqësua nga avokatja Eda Grimçi. Kjo e fundit deklaroi se edhe SPAK kërkoi pafajësi për demokratin, pasi kishte bërë një denoncim publik dhe jo shpifje, teksa shtoi se denoncimi u provua pasi Sara Mila doli më e votuara në Elbasan, dhe se prokuroria e këtij qyteti, ka nisur një hetim për të verifikuar pretendimet e Nokës

Flamur Noka do të denonconte se Burgu i Peqinit ishte kthyer si një ndërmarrje e të shumëkërkuarit të drejtësisë Suel Çela dhe se ky i fundit e përdori burgun si një shtab zgjedhor të kandidates së PS-së, Sara Mila.

Sipas Nokës, efektivët e burgut përmes presioneve për largime nga puna kërkonin votën për PS-në.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

BIRN: Korrupsioni e ka vrarë ekonominë. Çështja AKSHI dhe “Balluku” simbol i korrupsionit sistemik në qeverisje

0

Kryeministri Edi Rama, në përpjekjen e tij për të bërë fushatë zgjedhore pa zgjedhje si dhe me shpresën se do të mund të rekuperojë diçka nga imazhi i kryetarit të një force politike në të cilën korrupsioni është sistemik, deklaroi së fundmi se “e refuzonte me neveri” sugjerimin se drejton një parti dhe një qeveri të korruptuar, dhe se vendi, sipas dyshimit apo bindjes së shumë njerëzve, është nën kthetrat e korrupsionit sistemik zhvatës. Ai dha një argument aspak bindës për këtë, kur tha se “po të ishte rritur korrupsioni, nuk do rritej ekonomia”.

Dihet botërisht se korrupsioni, në formën e mungesës së etikës apo moralit mes shoqërisë së gjerë, përbën një pengesë madhore për zhvillimin njerëzor dhe zhvillimin ekonomik, sepse korrupsioni qeveritar sjell “keqalokim të burimeve”, ndërsa ai shoqëror sjell mungesë korrektese në zbatimin e kontratave apo marrëveshjeve, duke ulur rendimentin e punës. Me pak fjalë, korrupsioni shkatërron stokun kapital, qoftë në formën e aseteve fizike, qoftë në formën e njohurive profesionale.

Problemi është që, ndonëse korrupsioni ka një rol goxha të rëndësishëm në frenimin e zhvillimit, natyrisht që nuk është faktori i vetëm që vë në punë apo pengon zhvillimin ekonomik. Korrupsioni, ai i qeverisë, dhe ai i popullsisë më gjerësisht, nuk është i njëtrajtshëm.

Nëse e pranojmë logjikën e kryeministrit, atëherë mund të themi se mes viteve 1993 dhe 2008, Shqipëria pati rritje ekonomike mestare prej 6.5% në vit, ndërsa nga viti 2009 deri në vitin 2025, rritja mesatare ekonomike ka qenë 3% (të dhënat janë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar). Mos vallë kjo do të thotë që, në periudhën 15 vjeçare që pasoi rënien e komunizmit në Shqipëri kishte dy herë më pak korrupsion nga sa ka sot?! Ndërsa, në periudhën 16 vjeçare nga viti 2009 deri më sot ka dyfish më shumë korrupsion?!

Korrupsioni natyrisht që nuk është një gjë që mund të matet, siç matet (me një dozë jo të vogël hamendësimi) ecuria e ekonomisë. Ne nuk jemi në gjendje të dimë me saktësi se sa korrupsion kishte gjatë qeverisë demokrate (1992-1997) apo asaj socialiste, (1997-2005) apo asaj PD+LSI apo PS+LSI sikurse edhe pas vitit 2017, kur socialistët kanë qeverisur vetëm dhe nuk kanë më alibi për korrupsionin.

Ne dimë se kishte kontrabandë nafte dhe krim dhe trafik qeniesh njerëzore dhe korrupsion me lejet për kioska në periudhën menjëherë pas rënies së komunizmit. Ne dimë fort mirë se kishte korrupsion gjatë kohës së qeverisjes socialiste pasuese apo asaj demokrate. Dhe dimë gjithashtu që, për shkak se ekonomia është rritur, buxheti që mund të vjedhin pushtetarët ka ardhur gjithashtu në rritje. Ne dimë se në vitin 2002, në një takim të njohur mes socialistëve, ata akuzuan njëri-tjetrin mbarë e prapë për korrupsion, ndërsa një socialist ishte ai që deklaroi se partia ka marrë tiparet e “principatave mesjetare” për të përshkruar korrupsionin në formë celulash.

Dimë gjithashtu që, kur Sali Berisha, i cili pati ardhur në pushtet më 2005 me një platformë anti-korrupsion, kur u pyet për korrupsionin, deklaroi opinionin e tij se “korrupsioni është lubrifikant”, një domosdoshmëri për të vënë në punë një makineri. (Vini re parabolën që e imagjinon shtetin si një mjet mekanik, një lloj makinerie disi e ndryshkur, të cilën, qytetari, e vë në punë duke i hedhur pak ryshfet).

Dimë gjithashtu që Rama shpalli jo shumë kohë më parë se anti-korrupsioni është “një ilaç më i keq se sa sëmundja”. (Këtu parabola shkon në nivel grotesk duke e krahasuar qeverisjen me një trup të domosdoshëm, i cili, po të goditet nga SPAK, na shkakton një tragjedi edhe ne të tjerëve, të cilët, nuk e kemi të mundur të jetojmë pa të).

Rritja ekonomike është gjendja natyrore e njerëzimit. Ekonomia rritet për shkak se njerëzimi aftësohet. Njerëzit mësojnë dhe shtojnë njohuritë e veta për mënyrën se si mund të bëjnë më shumë punë, dhe rrjedhimisht të prodhojnë më shumë mallra apo shërbime, përkundrejt një sasie më të vogël pune. Rritja ekonomike është përpjekje e përbashkët e të gjithë njerëzimit ndërsa, korrupsioni qeveritar është një përpjekje e përbashkët e një numri relativisht të vogël njerëzish, konkretisht, zyrtarët e korruptuar.

Korrupsioni është një term i përgjithshëm që jo gjithmonë përputhet me realitetin. P.sh., kur Berisha fliste për korrupsionin si lubrifikant, pothuajse njëzet vjet më parë, ai po sugjeronte, në mënyrë të pasaktë, se bëhej fjalë vetëm për atë që në gjuhën popullore quhet bakshish. Bakshishi është një shumë parash që jepet si shpërblim për t’i bërë gjërat shpejt. Pra, nëse të duhet një vulë a firmë shteti, dhe shteti është makineria e ndryshkur që lëviz ngadalë, qytetari e përshpejton pak këtë duke i hedhur një bakshish për lubrifikant. Kjo është e ndryshme nga ryshfeti, në të cilin, qytetari paguan për të marrë diçka që nuk i takon, fjala vjen, paguan policin rrugor që t’i shpëtojë ndëshkimit me gjobë. Por në kohën e Berishës kishte edhe një fenomen tjetër që nuk binte në asnjë nga këto kategori. Ishte fenomeni i njohur gjerësisht i policëve të rrugores, të cilët, në një sistem korrupsioni piramidal, paguanin për të siguruar një vend pune dhe pastaj zinin pritë për të zhvatur çdo kalimtar të mundshëm për të rekuperuar paratë e ryshfetit që kishin paguar për vendin e punës. Ky nuk hyn te bakshishi,  nuk hyn as te ryshfeti por e ka një emër tjetër, quhet zhvatje. Dhe natyrisht që parabola e lubrifikantit nuk ndihmon shumë për shpjegim.

Këto lloje korrupsioni janë lojëra fëmijësh në krahasim me disa lloje të tjera korrupsioni. Një lloj p.sh., njihet në gjuhën e popullit si “trau i doganës” pavarësisht se nuk  ka lidhje me doganën dhe pikat e kalimit kufitar. Populli madje ka krijuar edhe një barsoletë për këtë të treguar te hipoteka e Tiranës, me një bej që mblodhi taksat për të ndërtuar një urë, vendosi taksë për kalimin e urës dhe në një pikë të caktuar, luajti mendsh dhe urdhëroi përdhunimin e secilit prej fshatarëve që kalonte urën (përveç pagesës së taksës) për të parë se sa mban populli. Trau i doganës ndryshon nga lubrifikanti apo nga zhvatja për faktin e thjeshtë se çdo pushtetar ndërton dhe shumëzon trarët e vet. Dhe ndërsa trarët shumohen, siç janë shumuar gjatë viteve në Shqipëri, me koncesione, monopole, oligopole, tenderë, dogana, hipoteka, AZHBR, AKU, IKMT, APT, etj, fshatari që në rastin e parabolës së Berishës duhej të paguante lubrifikant, është rraskapitur në atë pikë sa merr arratinë dhe ikën në një vend më normal si, fjala vjen, Gjermania.

Çështja me qeverinë aktuale nuk është që ka korrupsion sepse korrupsion ka gjithandej. Pyetja është nëse ky korrupsion është individual apo është sistemik. Rasti AKSHI dhe çështja “Balluku” dukshëm tregojnë se korrupsioni është sistemik. Dhe normalisht që një korrupsion sistemik nuk lejon që ekonomia të lulëzojë, siç mundet të lulëzojë, në rastin e Shqipërisë. Shqipëria është vendi që mund dhe duhet të rritet me 6 apo 7% në vit, të rritet për dy apo tre dekada me këtë normë për të arritur nivelin ekonomik të një vendi si Kroacia, Rumania apo Polonia. Me 3% rritje ekonomike vendi mbetet prapa. Grafiku më poshtë tregon se pse.

Të dhënat janë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe janë në dollarë. Aktualisht, PBB për frymë e Polonisë është 32 mijë dollarë ndërkombëtarë më e lartë se sa e Shqipërisë. Në vitin 2030, parashikohet të jetë 38 mijë më shumë. E ashtuquajtura rritje ekonomike për të cilën Rama mburret dhe të cilën e jep si argument se pse vendi “nuk ka korrupsion”, duket se ekziston vetëm në deklaratat e Ramës./BIRN

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Spital privat brenda spitalit shtetëror”, Rama paralajmëron tarifa për turistët e huaj

0

Kryeministri Edi Rama tha se është këshilluar që të ndërtohet një spital privat brenda spitaleve shtetërore në vend, në mënyrë që të ndihmohen mjekët financiarisht.

“Ne kemi mjekë shumë të mirë, të thonë çfarë të duan, por këtë gjë e kam konstatuar në biseda me jo pak të huaj që kanë pasur praktika të përbashkëta. Kemi mjekë dhe infermierë shumë të mirë., Problemi ynë është menaxhimi, sepse nuk e kemi traditë”, tha Rama gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Lezhës, përcjell A2.

“Duke diskutuar me nja dy grupe shumë të mëdha për të hyrë në marrëdhënie menaxhimi, të dy pavarësisht nga njëri-tjetri, thonë që është kyç që të ndërtohet brenda spitalit, një spital privat, për mjekët e spitalit. Dhe të jetë pjesë e sistemit të punës së mjekëve të spitalit, në mënyrë që t’u japim mundësinë që ta kenë spitalin si vendin ku janë bashkëpronarë dhe të kenë një kapacitet të ardhurash që varion në bazë të performancës”.

“Plus e dyta është që ne duhet patjetër të fillojmë të vendosim tarifa për turistët”, shtoi kryeministri.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Tensione në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, banorët kundër impianteve fotovoltaike

0

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Bulqizës u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, pasi u rikthye për t’u mbajtur pas dështimit të seancës së parë për shkak të mungesës së kuorumit.

Që në nisje, u vu re një klimë e ngarkuar, e cila u përshkallëzua më tej me praninë e disa banorëve të zonës së Gjoricës së Poshtme, të cilët kishin ardhur për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projekteve të planifikuara për shfrytëzimin e tokave pyjore dhe kullosore.

Banorët u shprehën hapur kundër çdo vendimi që parashikon dhënien në përdorim të këtyre tokave për ndërtimin e impianteve fotovoltaike.

Sipas tyre, këto projekte përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetesën e komunitetit lokal, pasi prekin kullotat e përbashkëta që përdoren për blegtorinë dhe ndikojnë negativisht edhe në aktivitetet bujqësore. Ata theksuan se humbja e këtyre sipërfaqeve do të sillte pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për familjet që varen nga këto burime.

Gjatë mbledhjes, banorët ndërhynë disa herë, duke kërkuar transparencë dhe përfshirje në vendimmarrje, ndërsa akuzuan institucionet vendore për mungesë konsultimi paraprak. Tensionet u rritën edhe më shumë kur ata refuzuan të largoheshin nga salla, duke e bërë të vështirë vijimin normal të diskutimeve nga anëtarët e këshillit.

Një nga momentet më të tensionuara të mbledhjes ishte edhe përplasja mes anëtarëve të opozitës dhe drejtuesve të këshillit për kërkesën e shkarkimit të sekretarit të Këshillit Bashkiak, Klodian Reçi. Këshilltarët e opozitës ngritën akuza të drejtpërdrejta ndaj Reçit për korrupsion, tejkalim kompetencash dhe shkelje të procedurave ligjore, veçanërisht në mënyrën se si janë organizuar dëgjesat publike për dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore. Pikërisht për këtë arsye, opozita kërkoi që mocioni për shkarkimin e sekretarit të hidhej menjëherë në votim, përpara se të niste shqyrtimi i rendit të ditës. Por kërkesa u refuzua nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Arben Çupi, i cili argumentoi se çështja nuk mund të trajtohej në atë moment dhe se do të shtyhej për mbledhjen e radhës.

Në reagimin e tij, Klodian Reçi mohoi akuzat dhe deklaroi se gjatë dëgjesave të organizuara banorët kishin shprehur kundërshtimin e tyre, ndërsa sipas tij nuk ishin mbledhur as firma mbështetëse dhe as dokumente që të tregonin dakordësi të komunitetit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

SHBA-të dhe Irani bien dakord për armëpushim 2-javor, hapet Ngushtica e Hormuzit

0

SHBA-të dhe Irani ranë dakord për një armëpushim dyjavor mbrëmjen e ditës së djeshme, i cili përfshinte një rihapje të përkohshme të ngushticës së Hormuzit, pas një ndërhyrjeje diplomatike të minutës së fundit të udhëhequr nga Pakistani, duke anuluar një ultimatum nga Donald Trump për Iranin që të dorëzohej ose të përballej me shkatërrim të gjerë.

Njoftimi i Trump për marrëveshjen e armëpushimit erdhi më pak se dy orë para afatit të presidentit amerikan për të bombarduar termocentralet dhe urat e Iranit, në një veprim që studiuesit e ligjit, si dhe zyrtarët nga shumë vende, kishin paralajmëruar se mund të përbënte krime lufte.

Trump njoftoi se një marrëveshje armëpushimi ishte ndërmjetësuar përmes Pakistanit, kryeministri i të cilit, Shehbaz Sharif, kishte kërkuar paqen dyjavore në mënyrë që “të lejonte diplomacinë të vazhdonte rrugën e saj”.

Trump shkroi në një postim se “në varësi të pranimit të Republikës Islamike të Iranit për HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURTË të Ngushticës së Hormuzit, unë pajtohem të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh”.

Në një postim më vonë, presidenti amerikan e quajti të martën “një ditë të madhe për paqen botërore”. Ai tha se SHBA-të do të “ndihmonin me rregullimin e trafikut” në ngushticën e Hormuzit dhe se “do të fitohen para të mëdha” ndërsa Irani fillon rindërtimin.

Kryeministri i Pakistanit kishte thënë më parë se armëpushimi i rënë dakord mbulonte çdo front, përfshirë Libanin.

Procesi i armëpushimit u mbulua nga pasiguria pasi Irani publikoi dy versione të ndryshme të planit 10-pikësh që synonte të ishte baza për negociata dhe të cilin Trump e quajti një “bazë e zbatueshme mbi të cilën do të negociohej”.

Pakistani ka ftuar SHBA-në dhe Iranin në bisedime në Islamabad të premten. Teherani tha se do të merrte pjesë, por Uashingtoni ende nuk e ka pranuar publikisht ftesën.

Trump tha se ai besonte se SHBA-ja dhe Irani mund të negocionin mbi propozimin 10-pikësh që do të lejonte që një armëpushim të “finalizohej dhe të konsumohej nga palët”.

“Ky do të jetë një ARMPUSHIM i dyanshëm! Arsyeja për ta bërë këtë është se ne tashmë i kemi përmbushur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake, dhe jemi shumë larg një Marrëveshjeje përfundimtare në lidhje me PAQEN Afatgjatë me Iranin dhe PAQEN në Lindjen e Mesme”, u shpreh presidenti.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, lëshoi ​​një deklaratë menjëherë pas njoftimit të Trump duke thënë se Irani kishte rënë dakord për armëpushimin. “Për një periudhë dy-javore, kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit do të jetë i mundur nëpërmjet koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit”, shkroi ai.

Çmimet e naftës ranë dhe aksionet në tregun e bursave u rritën, ndërsa një armëpushim dyjavor në Lindjen e Mesme shkaktoi një rritje të lehtësimeve, të nxitur nga shpresat se rrjedhat e naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit mund të rifillonin.

Pavarësisht armëpushimit të përkohshëm, sulmet vazhduan në të gjithë rajonin në orët pas njoftimit të Trump. Para afatit, sulmet ajrore goditën dy ura dhe një stacion treni në Iran dhe SHBA-të goditën infrastrukturën ushtarake në Ishullin Kharg, një qendër kyçe për prodhimin iranian të naftës.

Ky ndryshim i papritur i qëndrimit do t’i lejojë Trumpit të tërhiqet, ndërsa lufta e SHBA-së në Iran është zvarritur për pesë javë me pak shenja se Teherani është gati të dorëzohet ose të heqë dorë nga kontrolli i tij mbi ngushticën, një kanal që shërben për një të pestën e furnizimit global me energji.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Diella mediton për punët e Shqipërisë

0

Nga Lutfi Dervishi

Diella u ul të meditojë. Jo gjatë. Sa për një status. U frymëzua nga motoja më e fundit e Diellit. Në fakt, për moto, Diellit nuk ia ha qeni shkopin

“Vetëm për para”,
“S’ka kohë për pushim”,
“Shqipëria që duam”,
“Deputeti që duam”,
“Policia që duam”,
“Shqipëria 2030”.

Por moto e ditëve të fundit e emocionoi edhe vetë Diellen.

“Punët e Shqipërisë”! Gjeniale! E thjeshtë si procedurat e “paketës së Maleve”, e thellë si gropa në Dragostuje, e rëndë si dosja e Akshi-t në SPAK.
Diella kaloi në komandën search dhe gjeti një listë punësh, që siç thuhet shpesh në Shqipëri janë “drejt finishit”.

1. Rruga Tiranë–Durrës, kantier që po ja (s)kalit nervat shqiptarëve. Plot 38 km e gjatë.

2. Rruga e Ndroqit. 38 km, por nuk duhet harruar që ka mbaruar 70 % e fazës së parë prej 2 km.

3. Hekurudha Tiranë- Rinas – Durrës, zëre se ka përfunduar që në 2024 kur ju premtua Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von der Leyen.

4. Tuneli i Murrizit, një kryevepër inxhinierike shqiptare dhe dëshmi e ndërtimit të kapitalizmit, duke u mbështetur 100% në forcat tona. Është kaq e sigurtë sa nuk ka nevojë për kolaudim!

5. Ujë i pijshëm 24 orë çdo javë.

6. Ura Velipojë- Ulqin, që lidh imagjinatën me diplomacinë.

7. Korridori Blu, një projekt ide kaq e bukur sa është mëkat ta prishesh duke e ndërtuar.

8. Korridori 8, drejt kilometrit të fundit, me ca pengesa në Dragostuje.

9. Bypass-i i Elbasanit, zëre se ka nisur.

10. Fondi sovran i naftës së Shpiragut, që po bën të mundur përballimin e pasojave të luftës në Iran.

Diella ndaloi. Mori frymë thellë, si para një konference shtypi që i di pyetjet që do t’i bëhen.
“Me gjithë këto punë,” tha, “populli duhet të tregojë pak më shumë mirënjohje. Minimumi, të propozojë anulimin e zgjedhjeve. Qeveria ka punë më të rëndësishme sesa të fitojë zgjedhjet, duhet të fitojë kohë. Zgjedhjet janë humbje kohe, aq më tepër kur dihet se kush fiton”.

Madje, shtoi me një realizëm të admirueshëm:

“Me gjithë këto punë, hallall edhe ndonjë korrupsion elitar. Nuk mund të kërkosh perfeksion në çdo sektor.”
Pastaj kaloi në “reflection mode”. Dhe aty i doli e qartë:

ky vend nuk ka nevojë për shumë drejtues. Ka nevojë për një. Një kryebashkiak.
Kur kaloi te krahasimet europiane, sepse çdo reflektim serioz kërkon një bazë të dhënash, u bind plotesisht.

“Shqipëria ka rreth 2 milionë banorë.” Pra afërsisht sa një bashki e madhe europiane.

Për shembull edhe vetë Vienna perandorake, me gjithë operat dhe tramvajet, rrotullohet rreth këtij numri. Budapesti, me Danubin në mes dhe turistët mbi të, po ashtu.

Edhe Barcelona, me det, futboll dhe kujtimin e Leo Mesit sa Shqipëria është. Vetë Roma e cila nuk është ndërtuar në një ditë, 2 milionë banorë ka!
Diella e mbylli meditimin me një përfundim që jo vetëm i dukej logjik, por i vetmi i mundshëm dhe pati kujdes ta shprehte me modestinë karakteristike të Diellit.
“Nuk është Shqipëria që ka nevojë të hyjë në BE.

Është BE që duhet të aplikojë për të hyrë në Shqipëri.”

Pastaj shkroi statusin. Mori 1847 like brenda një minute. Mori frymë thellë dhe tha: u kry!

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ngjarja e rëndë në Vlorë, pitbulli kafshon në kokë 4-vjeçaren

0

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Vlorë ku një qen i racës Pitbull ka kafshuar në rrugë një fëmijë 4-vjeçe.

Sipas informacioneve paraprake gjatë këtij incidenti vogëlushja ishte duke lëvizur me gjyshërit. Ka qenë një qytetar ai që ka bërë të mundur largimin e qenit nga fëmija.

Vogëlushi u dërgua me urgjencë drejt spitalit dhe aktualisht ndodhet në sallën e operacionit. Nuk dihet ende gjendja e tij shëndetësore.

“Vajza ishte më nënën me gjyshen dhe gjyshin. Qeni po kalonte atje, u turr dhe i kapi kokën. Vajta e kapa qenin dhe e lidha me zinxhir. Qeni ka tre ditë rrugëve. Vajzën e kafshoi në kokë… shpëtoi, fati i saj dhe që unë ndërhyra në moment. Qeni ka gjithë ditën që vjen vërdallë me një zinxhir.

E kapa qenin dhe e lidha me zinxhir. Fëmija ishte nja 4-vjeçe, erdhi ambulanca dhe e dërguan në spital”, tha Sejko Veliu, punëtor. 

E tronditur dhe ende e traumatizuar, gjyshja e vogëlushes përshkruan frikën dhe panikun që përjetuan gjatë sulmit.

“Kishim dalë buzë detit, e kisha vajzën përdore.  E pashë qenin, bëri sikur iku dhe më pas erdhi dhe iu hodh vajzës”, tha gjyshja e vogëlushes.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Negociatat/ Ku manipulon Rama kur thotë: “Nuk ka bllokim”

0

Edi Rama të dielën dhe më pas ministri i tij i jashtëm, Ferit Hoxha, këtë të hënë, kanë hedhur poshtë në mënyrë indirekte një lajm të botuar në Lapsi.al, sipas të cilit 9 vende të BE-së me në krye Gjermaninë janë bërë pengesë për mbylljen e kapitujve që Shqipëria po negocion me Bashkimin e Evropian.

“Gjithçka që thuhet kur vjen puna te negociatat lidhet me gënjeshtrën e madhe se: ‘ato janë bllokuar’, ‘ato janë ndaluar’, ‘ato janë penguar’. Kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë e përditë e përditë dhe, së shpejti, përsëri, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”, deklaroi kryeministri në podcastin e tij flasim.

Ndërsa shefi i diplomacisë Hoxha u shfaq sot në një intervitë në Euronews, për të bërë një shpjegim më të detajuar dhe në pamje të parë më teknik: “Unë u them me bindje të plotë dhe të padiskutueshme që procesi nuk është bllokuar dhe as nuk është ngadalësuar, por nëse duam të jemi të sinqertë me procesin, duhet të kuptojmë natyrën e procesit. Shqipëria është i pari dhe i vetmi vend që po negocion në këtë aspekt metodologjinë e re.

Janë 92 hendekë të mbushur, dhe përderisa Komisioni Europian është dakord që këto hendeqe janë mbushur mjaftueshëm për të krijuar besimin që Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe të pakthyeshme, meriton t’i jepet OK dhe vazhdon faza tjetër, që është faza e kapitujve.

Procesi ka natyrën e vet, ka kompleksitetin e vet dhe vendet anëtare janë ato që do të vendosin dhe unë e kuptoj shumë mirë që do të kenë pyetje. Ato 9, apo sa kanë qenë, janë vende që bëjnë pyetje, bëjnë pyetje shtesë dhe nuk kanë bllokuar gjë. Më gjeni dhe shkoni dhe pyetini ato vende që thonë se na kanë bllokuar apo jo dhe merrni përgjigje” hodhi dorashkën ai.

Por, pothuajse në të njëjtën kohë kur shefi i diplomacisë fliste, një media që nuk mund të konsiderohet si kundërshtare e qeverisë, Albanian Post, nxori në ballinën e saj një lajm që konfirmonte atë që Lapsi.al kishte thënë pak ditë më parë se raporti IBAR, qëndronte ende në pritje të miratimit. “Sipas një dokumenti zyrtar të Këshillit të BE-së, Grupi i Punës për Zgjerimin (COELA) do të mblidhet më 7 prill në Bruksel, ku në rend dite është përfshirë sërish çështja e Shqipërisë dhe IBAR-it për Grupkapitullin 1 – “Themeloret”, thuhej në artikull.

Pak ditë më parë Lapsi.al mësoi se në diskutimet e datës 1 Prill në COELA, që është një grup pune i Këshillit të Bashkimit Europian, ku përfaqësues të të gjitha shteteve anëtare diskutojnë në nivel teknik dhe politik procesin e zgjerimit, një grup vendesh me Gjermaninë, Luksemburgun, Holandën, Suedinë, Austrinë, Finlandën, Poloninë, Greqinë dhe Bullgarinë anëtare të Bashkimit Europian kanë ngritur disa çështje që rrezikojnë avancimin me negociatat.  Në artikull gjithashtu theksohej se Komisioni Evropian ka hapur dritën jeshile për Shqipërinë, duke dhënë mendim pozitiv për të vijuar me mbylljen e kapitujve, por se në këtë pikë, në mbledhjet e kohëpaskohëshme të COELA-s për aprovimin e raportit IBAR, një pjesë e vendeve anëtare nuk bien dakord. 

Atëhere pyetja shtrohet: si qëndron e vërteta? Mos vallë kanë të drejtë Rama dhe ministri Hoxha kur pohojnë me gojën plot se nuk ka bllokim?

Në fakt, ashtu sikurse pyet në mënyrë manipulative shefi ynë i diplomacisë, asnjë vend nuk ka thënë publikisht se i ka ndërprerë, i ka ngrirë, apo bllokuar negociatat me Shqipërinë. Duke përdoruar si kërkesë më të fortë mospengimin e SPAK-ut për Ballukun, por edhe shqetësime të tjera si të drejtën e pronës, apo klimën e biznesit, ato thjeshtë nuk kanë qenë në një mendje me qeverinë e BE-së (Komisionin) për ti mundësuar Shqipërisë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave.

Pra, askush prej tyre nuk thotë procesi u ndërpre, ama fakti është se qeveria e Tiranës nuk po mundet ta arrijë rezultatin që priste kryesisht se po e sakrifikon atë në emër të ish/zvkryeministres që akuzohet për shpërdorimin e 1.1 miliardë eurove. Pikërisht me këtë fakt manipulon edhe Rama kur thotë për negociatat, se është gënjeshtër të pretendosh se: ‘ato janë bllokuar’, ‘ato janë ndaluar’, ‘ato janë penguar’.

Askush nga vendet që nuk kanë pranuar ta miratojë raportin IBAR nuk do e bëjë një deklaratë të tillë. Por ama, sjellja e tyre mbetet e pandryshueshme. Ato rrezikojnë të mos e miratojnë raportin e Komisionit Evropian, për sa kohë Balluku i shmanget drejtësisë, duke lënë kështu të pambyllura të gjithë kapitujt e negociatave./lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Berisha i mbylli ‘derën’ Binajt, Alimehmeti lë të hapur mundësinë e kandidimit për Bashkinë e Tiranës

0

Anëtari i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike dhe ish-kandidati për deputet, Ilir Alimehmeti, lë të hapur mundësinë për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, ndërsa ka përjashtuar në mënyrë kategorike garën për poste të tjera drejtuese brenda partisë.

Në një intervistë në Top News, Alimehmeti u shpreh se nuk do të jetë kandidat as për kryetar të Partisë Demokratike dhe as për postin e Sekretarit të Përgjithshëm.

“Jo për të dyja, as për kryetar dhe as për poste të tjera,” theksoi ai, duke shtuar se në politikë është më shumë njeri i veprimit sesa i deklaratave.

Megjithatë, kur u pyet për një kandidim të mundshëm për Bashkinë e Tiranës, ai nuk e përjashtoi këtë mundësi, duke theksuar se procesi varet nga mënyra se si do të organizohen garat brenda PD-së.

Alimehmeti bëri të ditur se aktualisht po shqyrtohet statuti i partisë, çka do të përcaktojë nëse do të aplikohet sistemi i primareve apo një formë tjetër përzgjedhjeje të kandidatëve.

“Për Tiranën duhet një vendim shumë politik dhe nuk do të jetë e thjeshtë”, u shpreh ai, duke nënvizuar se objektivi i tij ka qenë gjithmonë i njëjtë dhe mbetet i pandryshuar.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx