Ballina Blog Faqe 9174

RAMA REPLIKON ASHPËR QYTETARIN, KY I FUNDIT NUK FAL: JE AKTOR I MIRË, NUK TA DALIM DOT

0

Qeveria ka mbërritur ditën e sotme në qytetin e Laçit ku po organizon takimin e rradhës me qytetarët për të prezantuar arritjet si dhe për të biseduar me të pranishmit problematikat që hasin, ndërkohë që një qytetar ka replikuar bindshëm fjalët e Ramës. Pasi ka marrë mikrofonin, qytetari ka akuzuar qeverinë se ka rritur çmimin e ujit, ndërkohë që edhe tubat e tij i kanë larg, ndërkohë që ky reagim i tij ka acaruar disi Ramën, i cili ka shpërthyer duke i përsëritur disa herë qytetarit se ai është i papunë, prandaj i duket se i është rritur uji.
Qytetari: Pensionistët kanë paguar, pa pushim pa ndërprerje, se iku Saliu, se erdhi Saliu se u bënë piramidat se nuk u bënë piramidat. Dritat janë mall. Uji nuk është taksë, është mall. Ankohen për rritjen e taksave ata që nuk paguajnë taksa. Duke qenë një aktor i mirë komunikimi nuk ta dalim dot unë dhe të tjerët këtu.
Rama: Të është rritur ndonjë taksë ty?
Qytetari: Mirë që është rritur, unë dua tubin ta kem afër. Po flas për tubin, s’di taksë që është rrit.
Rama: Shumë falemnderit. Ka ndonjë tjetër që i është rritur taksa? Se është bërë, rrej rrej rrej sa të bëhet e vërtetë. Ti zotëri je i papunë dhe më thua se të është rritur taksa…ti je i papunë…nuk paguan asnjë taksë. Ne kemi rritur taksa për ata që kanë më shumë, qofshin kompani…pra taksa për ata që kanë më shumë. Ne të oligarkëve kemi rritur taksa për oligarkët që ndërtojnë në Tiranë dhe paguajnë shumëfish taksa, sesa ata që ndërtonin po të njëjtët deri dje. Kemi rritur taksën për të gjithë ata si puna ime apo atyre pas meje që kanë rroga të larta. Dhe kemi ulur taksën për të gjithë rrogat nën 600 mijë lekë. Nëse ka këtu punonjës në shtet apo privat mund ta dëshmojnë këtë.
Pastruesja e kryeministrisë paguante më shumë se kryeministri. Sot është e përmbysur skema. Dëgjoj këta ekspertët e Facebook….kush merr rrogë 300 mijë lekë nuk paguan asnjë taksë. Mbi fillon në mënyrë progresive

SHERR NË KOMISIONIN E MEDIAS, OPOZITA BRAKTIS MBLEDHJEN

0

Sherr në Komisionin e Medias ku është thirrur në një seancë dëgjimore ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar. Deputetja e PD, Albana Vokshi ka ngritur tonet ndaj Kumbaros ndërsa ka bërë thirrje që Teatri mos shembet. Për këtë ka ndërhyrë deputeti i PS Fidel Ylli i cili ka pretenduar se kolegia demokrate ka fyer ministren e Kulturës.
Fidel Ylli: Ti e ofendove ministren!
Albana Vokshi: Në cilën pjesë?
Ylli: I the çmendur, çfarë nuk i the!
Vokshi: Ti nuk e paske dëgjuar fare! I thashë që ta shpjegonte.
Ylli: Mbaj qëndrimin tënd! Ti i thua njerëzve të çmendur!
Vokshi: Kjo është çmenduri! Të shkatërrosh trashëgiminë kulturore dhe të pastrosh paratë e drogës.
Menjëherë deputetët e PD janë çuar në këmbë duke e deklaruar të mbyllur mbledhjen.
Vokshi:Ju presim të gjithëve te teatri në orën 7.

Izet Haxhia mbërrin sonte në Rinas nga Turqia

0

Ish-truproja e ish-kryeministri Sali Berisha, Izet Haxhia, do të ekstradohet sot në mbrëmje nga Turqia.
Burimet kanë bërë me dije se në Rinas do të jenë dhe forcat e rendit për ta shoqëruar atë në burgun 313 ku do të qëndrojë në vijimin e procesit gjyqësor ndaj tij. Haxhia është dënuar me 25 vite burg në mungesë nën akuzën e pjesmarrjes në vrasjen e Azem Hajdarit. Ndërkohë prej vitesh ka qëndruar në Turqi, duke akuzuar se procesi ndaj tij ka qenë i manipuluar. Për këtë ai jo pak herë ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Burimet kanë bërë të ditur se Izet Haxhia ka pranuar ekstradimin në Shqipëri pas diskutimeve me Ministrinë e Drejtësisë.

Rama premton se brenda majit çelet kantieri i rrugës së Arbrit

0

Kryeministri Edi Rama deklaron se brenda majit do të çelet kantieri i rrugës së Arbrit. Nga Lezha Rama premtoi se rrugët që do të ndërtohen, edhe në kuadër të programit 1 miliardë për rindërtim, do të jenë të standardedeve europiane.
Edi Rama: Brenda majit çelim kantierin e rrugës së Arbrit. Do të fillojë dhe nuk do të ndalet më puna deri kur të ketë mbaruar përfundimisht aksi strategjik i asaj rruge që do e bëjë Dibrën zonë të integruar me Tiranën, dhe nga ana tjetër do të çelë një potencial shumë të madh për zhvillimin e agroturizmit në të gjithë atë krah që lidh Tiranën me Dibrën.

Rruga Shëngjin Velipojë shihet si aks prioritar i qeverisë.
Edi Rama: Rruga strategjike Shëngjin-Velipojë është aks prioritar sepse hap hapësirë të re me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizimit dhe krijon një lidhje shumë më të shpejtë ndërkohë që sot shkohet për 1 orë e 30 minuta. Gjithashtu jep akses të shpejtë dhe shumë të bukur për gjithë pjesën e turistëve që janë matanë kufirit.

Projektet e tjera
Edi Rama: Rruga Milot-Balldren do të nisë besoj në shtator. Thumanë-Kashar do të bëjë të mundur komunikimin mes Lezhës, Shkodrës dhe atyre që vijnë nga Kosova të jenë me standarde të tjera. Rrugët do të jenë rrugë të standardeve të mirëfillta ku nuk do të ketë më historira se kush do kalojë më përpara dhia apo mercedezi, lopa apo kamioni.

Rama kishte dhe një mesazh për ndarjen veri jug.
Edi Rama: “Ato që vazhdojnë të bëjnë teorinë e tmerrshme të ndarjes së veriut me jugun dhe në mënyrë të vazhueshme dhe shumë hileqare përpiqen të na lënë ne faturën e një imazhi sikur jemi më pak të interesuar për veriun po ju them se pjesa më e madhe e programit 1 miliardë për rindërtim është nga Tirana e lart sepse përfshin tre vepra madhore të cilat i takojnë këtyre territoreve dhe kjo flet vetë. Ndërkohë që me programin 1 miliardë do të ketë vetëm një aks që do të financohet në pjesën e poshtme që është aksi që shkon nga dalja e Vlorës deri në tunelin e Llogarasë. Rama ishte në Lezhë sot paradite për prezantimin e projekteve për zhvillimin rajonal të Lezhës.

Korçë 34-vjeçari dhunohet në Komisariat, policia e mohon

0

Një 34-vjeçar akuzon Policinë e Korçës se e ka dhunuar atë gjatë shoqërimit si të dyshuar për një sërë vjedhjes. Mariglen Muka nga fshati Kamenicë rrëfen ndodhinë. “U paraqita në Komisariatin e Korçës rreth orës 9 të mëngjesit, sepse më telefonoi inspektori i zonës. Mendova se më kërkonin për dokumentat e makinës. Më shoqëruan në një prej zyrave të Komisariatit, ku më morën në pyetje për disa vjedhje në fshat dhe kërcënimin nëpërmjet telefonit”, thotë ai. 34-vjeçari thotë se është i pafajshëm dhe kur ka mohuar akuzat para policisë është fyer e goditur me grushta. “Kur mohova akuzat, polici që më mori në pyetje më fyu dhe më pas më goditi me grushta dhe shkelma në kokë dhe pjesën e barkut. Nga goditjet humba ndjenjat. Pasi u përmenda më çuan në një tjetër zyrë dhe erdhi një mjek më bëri një qetësues sepse kisha shqetësime”, rrëfen Muka. Ai është lënë i lirë rreth orës 15:00 dhe më pas familjarët e kanë shoqëruar për në spital. 34-vjeçari thotë se do të denoncojë policin që e ka dhunuar. “Do të bëj denoncim për policin që më dhunoi. Kur u dhunova prezent ishte edhe inspektori i zonës, por ai nuk më goditi”, deklaron ai. Ndërkohë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka filluar verifikimet për policin që dhunoi 34-vjeçarin dhe për inspektorin e zonës. Burime konfidenciale nga Policia e Korçës thonë se dy efektivët kanë mohuar të kenë ushtruar dhunë mbi 34-vjeçarin, edhe pse në fytyrën e tij pasojat e janë të dukshme.

Prokuroria e Durrësit për grabitjen e postierit: Nuk kishte materiale Sekret Shtetëror

0

Prokuroria e Durrësit deklaron se nuk ka pasur asnjë sekret shtetëror në çantë e postierit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës që u grabit sot nga dy persona. Në nje reagim lidhur me ngjarjen, organi i akuzës thotë se nga përmbajtja e akteve të marra nuk cenohet hetimi për ndonjë nga çështjet dhe nuk ka patur materiale të cilat klasifikohen si Sekret Shtetëror. “Lidhur me rastin ju informojmë që kjo ngjarje ka ndodhur sot rreth orës 10:30, ku punonjësi i postës së Prokurorisë Durrës ka qenë objekt i sulmit nga persona të pa identifikuar. Po kryhen veprimet hetimore me përparësi për verifikimet e rastit, në bashkëpunim me Drejtorin e Policisë të Qarkut Durrës. Duam të theksojmë se nga përmbajtja e akteve të marra nuk cenohet hetimi për ndonjë nga çështjet dhe nuk ka patur materiale të cilat klasifikohen si Sekret Shtetëror. Për momentin në mirëkuptimin tuaj për shkak të hetimit që po kryhet dhe sekretit te tij nuk mund të japim më shumë të dhëna”, mbyllet reagimi i prokurorisë Durrës. Dy persona ende të paidentifikuar sulmuan sot postierin pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe i morën disa materiale që ai kishte tërhequr nga posta. Postieri mësohet se ka qenë duke lëvizur në këmbë nga posta qendrore drejt prokurorisë së Durrësit që ndodhet rreth 100 metra me tutje në kohën kur është sulmuar pranë sheshit “Pranvera”. Burimet thonë se ngjarja është vënë re nga punonjës të postës dhe kalimtarë por që asnjë nuk ka reaguar përballë autorëve edhe për shkak se mësohet se gjithçka ka ndodhur brenda një kohë shumë të shkurtër. Autorët që sipas burimeve mbanin veshur kapele dhe syze të errëta janë larguar me shpejtësi në këmbë.

Grabitet postieri i prokurorisë së Durrësit

0

Dy persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar postierin pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe i kanë marrë disa materiale që ai kishte tërhequr nga posta. Ngjarja është shënuar rreth orës 10:30 – 11:00 në lagjen nr 11 në afërsi të postës së Durrësit. Policia e Durrësit informon se po kryhen veprimet e duhura për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Njoftimi i policise: Më datë 08.05.2018, rreth orës 10:30- 11:00, në lagjen Nr.11, në afërsi të Postës në Durrës, shtetasi I.K., me punë korrier pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës është sulmuar nga dy persona të paidentifikuar , të cilët i kanë marrë disa materiale që i kishte tërhequr nga Posta. Nga ana jonë po punohet intensivisht dhe po kryhen të gjitha veprimet e duhura hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës me qëllim identifikimin e autorëve, kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Nuk dihet se çfarë konkretisht kishte në çantën e postierit këtë të martë. Burime të Ora News thonë se në praktikën zyrtare në prokuroritë e rretheve, posta sekrete përmban dy lloj dokumentesh. Përgjithësisht materialet sekrete prokurorive të rretheve i shkojnë me postë ose nga SHISH, ose transkripte të përgjimeve që sjell Prokuroria e Përgjithshme.

Ja qyteti me më shumë borxhe dhe ai me më pak

0

Banorët e Tiranës nuk ngurrojnë për të marrë një hua, si për të blerë një shtëpi, apo edhe për qëllime konsumatore, si makina, riparim shtëpie, blerje elektroshtëpiakesh, apo edhe telefonash celularë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për stokun e kredisë për individë sipas rretheve, të përpunuara nga Monitor për numër banorësh, tregojnë se huaja për banor në kryeqytet është 884 euro, gati tre herë më e lartë sesa qyteti i dytë që vjen më pas në listë, Durrësi. Në total, në Tiranë individët kanë për të kthyer në banka 101 miliardë lekë hua, ose rreth 780 milionë euro, sipas të dhënave që i referohen tremujorit të parë të vitit 2018. Rreth 70% të kësaj shume e zë huaja për blerje banesash (624 euro për frymë), që shënon një rritje të qëndrueshme vit pas viti. Kryeqyteti shqiptar po zhvillohet me shpejtësi dhe tregu i banesave është gjallëruar vitet e fundit, duke u reflektuar dhe në shtimin e borxheve që qytetarët kanë marrë për të pasur një shtëpi të vetën. Ai mirëpret dhe një numër të lartë banorësh që vijnë nga rrethet e tjera. Tiransit nuk kursehen as për huanë konsumatore, e cila arrin në 214 euro për banorë dhe është sa dyfishi i qytetit të dytë që vjen pas në renditje, që është sërish Durrësi. Në vend të dytë, durrsakët kanë 338 euro kredi për banor, 60% e të cilës ka shkuar për blerje banese. Të tretën janë vlonjatët me 244 euro për frymë, ku sërish 60% e kësaj shume ka shkuar për të blerë një apartament. Më pas vijnë shkodranët me 221 euro për frymë, 57% e të cilës është për blerje banese. Pas tyre vijnë banorët e Lezhës, Fierit dhe Elbasanit, me përkatësisht 183, 152 dhe 152 euro për frymë. Të njohur si nikoqirë, korçarët nuk zhgënjejnë as në këtë rast. Ata janë më dorështrënguarit për të marrë një kredi, duke pasur nivelin më të ulët të huadhëniës për individë për frymë, prej 142 eurosh, që është 6 herë më e ulët sesa e banorëve të kryeqytetit. Ndërsa qyteti, banorët e të cilët marrin më shumë kredi konsumatore është Elbasani, me 42% të totalit të huasë që shkon për blerje makinash, apo qëllime të tjera përveç shtëpië. Në total, në fund të tremujorit të parë 2018, stoku i kredive që individët kishin marrë në banka ishte 170 miliardë lekë, ose rreth 1.3 miliardë euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Me baza vjetore, stoku i huasë për individë është rritur me 5.2%, ku efektin më të madh e ka dhënë Tirana.

Presidenti Ilir Meta dhuron gjak

0

Në Shqipëri 600 persona talasemikë vijojnë përpjekjet e tyre të përditshme për tu furnizuar me gjak. Në kushtet kur spitalet nuk mbulojnë dot përmes bankave të gjakut nevojat, institucione, organizata individë në dhurimet vullnetare ndihmojnë këtë kategori pacientësh. 8 maji është dita botërore e talasemisë dhe zyrtare dhe punonjës të presidencës bashkë me një organizatat italiane dhuruan gjak. Nevojë për akt të tillë solidar kanë 7% e popullësisë ndaj presidenti Meta kërkoi të mposhtej indiferenca dhe të gjithë të kontribojnë për të dhuruar gjak. “Të dhurojmë gjak si akt humanizmi dhe solidariteti për personat të cilët kanë më shumë nevojë për të. Të gjithë së bashku të mposhtim indiferencën dhe të ndërtojmë solidaritetin për të dhuruar gjak për ata që kanë nevojë”, u shpreh Ilir Meta. Lufta ndaj talasemisë dhe dhurimi i gjakut është një problem jo vetëm i vendit tonë. Federata Ndërkombëtare e Talasemisë në të cilën përfshihen 91 shtete, vijon përpjkejet e saj për të gjetur metoda të reja për trajtimin dhe kurimin e talasemikëve, pjesa me e madhe e të cilëve janë fëmijë, por edhe adoleshentë e adult.

Komisioni i Disiplinës, dënime drastike për Flamurtarin

0

Komisioni i disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka publikuar masat administrative për incidentet e ndodhura fundjavën e kaluar në fushat e futbollit shqiptar.

Vendimet e plota nga Komisioni i Disiplinës:
1. Lojtari i KF “Lushnja”, Brunild Pepa, për sjellje jo sportive ndaj lojtarit kundërshtar, në bazë të Nenit 48/1/d) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
2. Zyrtari i KF “Laci, Gentian Mezani, paralajmërohet se në rast përsëritje të mospjesëmarrjes në konferencën për shtyp pas ndeshjes, do të jetë subjekt i Kodit të Disiplinës Sportive sipas nenit 13 të KDS.
3. “Flamurtari” F.C, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të Nenin 51; 64/c; 65/1 dhe 65/2 të KDS, dënohet me gjobë në masën 1.000.000 (një milion) lekë dhe zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve ne fushe asnjanese.
4. Zyrtari i “Flamurtari” F.C , Ardi Behari, për diskriminim ndaj zyrtarëve të ndeshjes duke perdorur fjalë dhe xheste denigruese, në bazë të nenit 57/1/a) të KDS, pezullohet për 5 (pesë) ndeshje nga aktiviteti. Në aplikim të Nenit 20 të KDS i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin përreth fushës.
5. Zyrtari i “Flamurtari”F.C, Luan Bircaj, për protesta ndaj vendimeve te zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1.a) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në aplikim të Nenit 20 të KDS i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin përreth fushës.
6. Zyrtari i “Flamurtari” F.C,Sinan Idrizi, për sulm ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/b) dhe 49/3 të KDS, dënohet me 18(tetëmbëdhjetë) muaj pezullim nga aktiviteti dhe gjobë në
masën 200.000 (dyqindmije lekë). Në aplikim të Nenit 20 të KDS i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin përreth fushës.
7. Zyrtari i“Flamurtari” F.C, Ardian Ciruna, për sulm ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2.b) të KDS, dënohet me 18(tetëmbledhjetë) muaj pezullim nga aktiviteti. Në aplikim të
Nenit 20 të KDS i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin
përreth fushës.
8. Zyrtari i “Flamurtari” F.C ,Ardian Luka, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/a) të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në aplikim të Nenit 20 të KDS i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin përreth fushës.
9. Zyrtari i KF “Besëlidhja”,Andi Jaku, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1.a) të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti
10. Lojtari i KF “Tërbuni”,Josefin Ujka , për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1.a) të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
11. Zyrtari I KF “Tërbuni” Oltjon Kërnaja, paralajmërohet se në rast përsëritje të shkeljeve te tjera disiplinore , do të dënohet sipas dispozitave që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive.
12. KF “Vllaznia B”,në bazë të nenit 13 të KDS, paralajmërohet se në rast përsëritje të voneave ne fillimin e lojes apo shkeljeve te tjera disiplinore , do të dënohet sipas dispozitave që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive.
13. Lojtari i KF “Tomorri”, Mikel Kaloshi, për provokim te publikut, në bazë të Nenit 53/1 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
14. Lojtari i KF “Tomorri”,Gëzim Hoxha, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1.a) të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.