Ballina Blog Faqe 92

Tragjedi në Itali, familja shqiptare shuhet nga monoksidi i karbonit

0

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Itali, ku katër anëtarë të së njëjtës familje shqiptare kanë humbur jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit në banesën e tyre në zonën e Luccës.

Mediat italiane bëjnë me dije se kanë humbur jetën babai Arti Kola, 48 vjeç, nëna Jonida Kola, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre, djali Hadjar Kola, 22 vjeç, dhe vajza Xhesika Kola, 15 vjeçe. 

Dyshohet se shkaku i ngjarjes ka qenë një defekt në kaldajën e shtëpisë, që ka çliruar gazin vdekjeprurës brenda banesës. 

Një i afërm i familjes, vëllai i kryefamiljarit, ka shkuar në banesë pasi nuk merrte përgjigje në telefon. 

Ai ka njoftuar autoritetet, të cilat pasi kanë hyrë në shtëpi kanë gjetur katër trupat pa jetë. 

Personi i pestë është shpëtuar, por ndodhet në gjendje kritike në spital, pasi edhe ai u intoksikua nga monoksidi i karbonit. 

Gjatë ndërhyrjes janë helmuar lehtë edhe dy efektivë të policisë që hynë në banesë për të dhënë ndihmën e parë, por ata janë jashtë rrezikut për jetën, shkruan A2 CNN.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e darkës, pasi në banesë u gjet tavolina e shtruar, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi shkakun e tragjedisë. 

Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë së zonës, i cili shprehu tronditjen për humbjen e katër jetëve, duke e cilësuar ngjarjen si një dramë për gjithë komunitetin.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Rama në Izrael me avionin privat të sekuestruar nga ish-miliarderi i kriptovalutave

0

Gjatë vizitës 3-ditore në Izrael midis datave 25-27 janar, kryeministri Edi Rama udhëtoi vajtje e kthim me një avion privat, dikur në pronësi të themeluesit të bursës së kriptovalutave FTX, e cila falimentoi në mënyrë spektakolare në nëntor 2022.

Avionët privatë reaktivë për distanca të gjata, të cilët përdoren nga elitat globale të biznesit dhe politikës, nuk janë thjesht mjete udhëtimi. Ata shërbejnë si një metaforë e hendekut midis njerëzve të pasur dhe të pushtetshëm dhe pjesës tjetër të shoqërisë, e cila pret me durim në terminal për të marrë aeroplanin e linjës.

Në Shqipëri, dikur një vend i izoluar dhe ende i varfër – ku vetëm një grup i vogël njerëzish udhëtonte jashtë vendit për dekada – simbolika e përdorimit të një aeroplani privat është më e fortë, në mënyrë të veçantë kur këto udhëtime bëhen nga zyrtarë publikë si kryeministri Edi Rama, shpesh larg syve kureshtarë të publikut.

Udhëtimi i fundit i liderit jetëgjatë shqiptar në vizitën shtetërore tre-ditore në Izrael me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, u realizua nëpërmjet avionit ‘Bombardier Global 5000’, dikur në pronësi të Sam Bankman Fried, një sipërmarrës amerikan i dënuar për mashtrim dhe pastrim parash.

Kjo nuk është hera e parë që Rama përdor një avion privat për udhëtimet e tij zyrtare. Për vite me radhë, ai shfrytëzoi një Airbus A319-100 të konfigurimit VIP nga kompania e flamurit ‘Air Albania’, i pagëzuar me emrin ‘Ismail’, në nder të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Bej Vlora.
Përfaqësues të mazhorancës argumentojnë se përdorimi i një “avioni qeveritar” për udhëtime zyrtare nga kryeministri lidhet me “dinjitetin” e shtetit shqiptar dhe përfaqësimin e tij në arenën ndërkombëtare.

Kritikët e Ramës nga radhët e opozitës mendojnë të kundërtën, ndërsa theksojnë se dinjiteti që gëzon një zyrtar publik – qoftë brenda apo jashtë vendit – nuk lidhet me luksin e mjeteve të transportit të përdorura prej tij.

“Dinjiteti i vendit tonë, fatkeqësisht, cenohet përditë e më shumë nga një kryeministër dhe një qeveri e korruptuar dhe e papërgjegjshme, që kohët e fundit u kanë hyrë edhe aventurave gjeopolitike për hir të interesave të ngushta politike,” tha Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë.

I pyetur nga BIRN, Rama e lidhi përdorimin e një avioni privat për udhëtimin e tij në Izrael me çështjen e sigurisë.

“Udhëtimi në Izrael ka pasur edhe elemente të mirëkuptueshme sigurie të veçantë dhe transporti ka qenë pjesë e këtyre elementëve,” tha ai, nëpërmjet një zëdhënëseje. “Shpenzimet nuk janë mbuluar nga qeveria shqiptare,” shtoi Rama, pa specifikuar se kush i kishte mbuluar ato.

Qeveria e Izraelit nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN nëse ishte ajo që e kishte paguar fluturimin e kryeministrit shqiptar për në Tel Aviv.

Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA), i tha BIRN se falimentimi i Air Albania erdhi si rrjedhojë e faktorëve të jashtëm të tregut dhe menaxhimit të dobët të kompanisë.

Ai theksoi se shumë vende i subvencionojnë kompanitë ajrore të “flamurit”, duke u siguruar fluturime pa konkurrencë në disa destinacione, pasi i konsiderojnë ato shtylla të rëndësishme të zhvillimit të turizmit.

“Ndërsa Air Albania u la të konkurronte në një treg shumë të ashpër – ku prezentë janë Wizz Air dhe Ryanair – dhe u detyrua të punonte në një situatë të vështirë,” tha Vathi. “Menaxhimi ishte anadollak, pa vizion dhe pa koncepte,” shtoi ai, ndërsa theksoi se “pati mungesë vizioni për të krijuar një kompani të suksesshme.”

Ndryshe, kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, fajëson qeverinë për falimentimin e kompanisë ajrore të flamurit.

“E konsideroj, së paku, politikisht përgjegjës Edi Ramën,” tha ai, ndërsa rikujtoi se vite më parë kryeministri e trumbetonte themelimin e saj si histori suksesi.

Qori ishte gjithashtu kritik për përdorimin e fluturimeve “charter” nga Kryeministria.

“Përdorimi i çarterave privatë është shpërdorim i shpenzimeve nga buxheti i shtetit vetëm për hir të komoditetit të lëvizjes së një kryeministri, i cili në parim, duhet të ishte kryeshërbyesi i popullit, por në fakt përditë e më shumë ka një stil jetese luksoz, në sinkron me autokratët e të shkuarës dhe të tashmes nëpër botë,” tha ai.

“Luksi është antitezë e demokracisë, e cila, aty ku lulëzon, shkon bashkë me thjeshtësinë në paraqitjen publike të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe me kursimin e shpenzimeve qeveritare,” shtoi ai.

Edhe Xhemollari ishte i mendimit se përdorimi i fluturimeve private nga qeveria shqiptare nuk i bënte nder reputacionit të kryeministrit.

“Justifikimi i [kreut të Kuvendit Niko] Peleshit për ‘përfaqësim dinjitoz’, apo ai i kryeministrit për të reklamuar kompaninë ajrore, tashmë të falimentuar, janë hije propagande për të justifikuar luksin e udhëtimeve me avionë privatë,” tha ai.

“Dinjitoze për një vend të varfër si Shqipëria do të ishte nëse do të udhëtonte si çdo qytetar i kësaj republike, me avionët që përdorin ata që paguajnë taksat në këtë vend, e jo si baron droge apo si drejtues i vendeve diktatoriale,” përfundoi Xhemollari./BIRN

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ish-Presidenti Alfred Moisiu shtrohet në QSUT

0

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, është dërguar me urgjencë mesditën e djeshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), pas komplikacioneve shëndetësore.

Burime spitalore bënë të ditur se ish-kreu i shtetit është paraqitur në spital me vështirësi në frymëmarrje. Menjëherë pas mbërritjes, ai është shtruar në repartin e Reanimacionit pranë Klinikës së Kardiologjisë, ku ndodhet nën monitorim intensiv nga stafi mjekësor.

Sipas informacioneve spitalore, për momentin parametrat jetësorë të zotit Moisiu janë stabël. Mjekët janë duke vlerësuar situatën në dinamikë për të përcaktuar momentin e përshtatshëm për të kryer një ndërhyrje të nevojshme.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Arrestohet drejtoresha e Mirela Kumbaros/ ‘Një shërbëtore pa dinjitet’ – Nga Auron Tare

0

Nga Auron Tare

Sa e turpshme, kur të arrestojnë, nuk të arrestojnë as me emrin tënd, por me emrin e atyre që të kanë përdorur. Këto fjalë më erdhën në mendje sot në mëngjes, ndërsa në telefon më mbërritën disa mesazhe me titullin: “Arrestohet drejtoresha e Mirela Kumbaros”. Një titull që u shfaq për pak ne mediat kryesore dhe më pas u hoq me shpejtësi., sikur dikush të kishte dhënë urdhër që emri i bashkëpunëtores më të afërt të ministres të fshihej nga çdo titull.

Në fakt, zonja e arrestuar nuk është një emër i panjohur për ata që njohin fushën e Trashëgimisë Kulturore. Në vitin 2014, nga një ish punonjëse sporteli në Bashkinë e Tiranës, pa ndonjë profil profesional apo kualifikim të spikatur, u përpoq të siguronte një vend pune në administratën e re. Nuk u konsiderua nga askush deri sa papritur, u katapultua nga ministrja e atëhershme e Kulturës në një nga postet më të rëndësishme për kulturën kombëtare: Drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Në këtë detyrë, ajo u shndërrua në firmëtaren e bindur të çdo vendimi që i kërkohej, leje për prishjen e vilave historike në funksion të pallateve, për rrafshimin e Teatrit Kombëtar duke e shpallur “pa vlerë”, për ndërtimin e një kafeje në Akropolin e Butrintit, për heqjen e monumenteve nga lista e mbrojtjes dhe për shumë vendime të tjera që kanë dëmtuar rëndë zinxhirin e trashëgimisë kulturore.

Me zellin e një shërbyeseje pa personalitet institucional, firmoste çdo kërkesë që i vinte, duke u kujdesur njëkohësisht edhe për përfitimet e veta. Për “besnikërinë” e treguar, ajo udhëtoi pas ministres Kumbaro në çdo ministri ku kjo e fundit u emërua, kësaj here si Drejtoreshë e Mjedisit, duke firmosur leje, licenca dhe vendime që favorizonin shkatërrimin e mjedisit. Asnjëherë nuk u njoh si një administratore në shërbim të komunitetit, të taksapaguesve, të trashëgimisë kulturore apo të mjedisit, detyra që i ishin besuar në emër të interesit publik.

E përfolur për përfshirje aktive në shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, për vendime të dëmshme ndaj mjedisit, e hetuar për një projekt të BE-së mbi monitorimin e cilësisë së ajrit, sot ajo ndodhet e arrestuar për fshehjen e mbetjeve të rrezikshme.

Ky është një nga personazhet që kanë administruar dhe “mbrojtur” trashëgiminë tonë kombëtare, mjedisin tonë dhe së fundmi edhe cilësinë e arsimit në Shqipëri. Sot, për zonjën në fjalë, një fund pa lavdi por edhe nje sherbetore pa dinjitet.

Shenim sqarues redeaksional: Arta Dollani, ish drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, e besuar e Mirela Kumbaros u arrestua sot pasi akuzohet se shpërdoroi detyrën lidhur me skandalin e kontrabandës së mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Sali Berisha: Më 10 shkurt do largojmë armikun e regjimit të egër

0

Sali Berisha u pyet gjatë konferencës nga gazetarët për protestën e 10 shkurtit para kryeministrisë.

Ai u shpreh se opozita do dëgjojë kërkesën dhe zërin e qytetarëve dhe do i përgjigjet duke zënë sheshin, pas skandaleve të fundit qeveritare, kryesisht dosjet e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe AKSHI-t

Teksa nënvizoi se edhe Gjykata Kushtetuese po përdoret për “t’i pirë gjakun shqiptarëve”, e komanduar nga kryeministri Edi Rama, e vetmja rrugë për qytetarët ka mbetur sheshi sipas tij, deri në rrëzimin e armikut të egër.

“Gjithnjë e më i madh është numri i qytetarëve që kërkojnë një gjë të tillë. Unë i siguroj ata se kërkesën e tyre e konsideroj shumë të drejtë dhe se ajo në rastin më të parë të mundshëm do të zbatohet. Pra, ata janë qytetarë të përgjegjshëm, që duan të përballen me këtë shtet të degraduar, të degjeneruar në shkallë ekstreme. Po si mundet një gjykatës Kushtetues të mos ndjenjë përgjegjësinë ligjore. Të mos ndjejë përgjegjësi para qytetarëve, por të bëhet strofulla e fundit e hajdutit të tij”, tha ai.

Duke ngritur shqetësimin për situatën e aktualitetit, politikës dhe faktorëve socialë-ekonomike, Berisha theksoi se: “Vetëm fjala e qytetarëve ka ngelë këtu dhe unë kam bindje se këtë betejë qytetarët do ta fitojnë. Nuk janë të paktë ata që po shkelmojnë mbi dinjitetin e tyre, ata që si shushunja po u thithin gjakun çdo ditë. Por prapë guximi qytetar, ndershmëria dhe morali qytetar është qindra herë më i fuqishëm se ata.  Kështu që e kam deklaruar dhe e deklaroj, tani kemi një objektiv, largimin e këtij armiku të egër të qenies së shqiptarëve”, tha Berisha.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Shehaj takon fermerin që u përplas me Ramën: Fondet për bujqësinë përfundojnë vetëm te miqtë e qeverisë

0

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj është takuar nga afër me fermerin nga Divjaka i cili pak ditë më parë pati një përballje me kryeministrin Edi Rama, i cili injoroi zërin e këtij qytetari në takimin e organizuar nga Ministria e Bujqësisë për skemën e mbështetjes kombëtare për vitin 2026.

“Sot erdha të takoj fermerin nga Divjaka, sepse m’u duk e papranueshme që Kryeministri i vendit nuk denjoi as ta dëgjonte njeriun e punës së ndershme dhe me arrogancë e urdhëronte: Ulu, ulu!”, shprehet Shehaj.

Gjatë takimit, fermeri i quajtur Lili ngriti zërin për shqetësimet me të cilat përballen fermerët sot në lidhje me mungesën e mbështetjes, fondeve por edhe problemit të çmimeve me të cilat vijnë në Shqipëri produktet e importit duke bërë që mallrat e fermerëve shqiptarë të mbeten stok apo të hidhen pa pasur mundësinë të dalin në treg.

“Erdha ta dëgjoj Lilin. Dhe përmes kësaj bisede, ta dëgjojnë të gjithë hallin e tij që në fakt është halli i qindra fermerëve që shohin mundin e tyre të shkojë dëm, ndërsa fondet e BE-së për bujqësinë përfundojnë te miqtë e qeverisë”, shprehet Shehaj.

Në bisedën me kreun e Partisë Mundësia, fermeri shpjegon se fondet e Bashkimit Europian 80% e tyre janë marrë nga pushtetarë dhe vetëm disa fermerë kanë përfituar prej tyre për shkak të njohjeve që mund të kenë pasur.
“– Këto IPARD e këto, kush i mbështet ato do i marrin. Nuk do i marr unë.
– S’do i marrësh ti? Pse s’do i marrësh ti?
– Jo, i thashë unë kryeministrit: shikoje listën e AZHBR-së, 80% e kanë pushtetarët.
– 80% të fondeve të IPARD-it?
– Dhe 20%, në qoftë se mund të jetë ndonjë fermer, do të jetë spondalist, “se të kam mik ty apo kam ate” spondalisht mund të jetë ndonjë fermer.
– 80% janë pushtetarë?
– Pushtetarët.

– Pushtetarët.
Ja, the ti këtë, çfarë tha Rama.
– “Ule zërin, ulu” thoshte. “Ule, ule!”

Kreu i Mundësia, Agron Shehaj e vlerësoi me respekt guximin e fermerit për t’ja thënë të vërtetën në sy kryeministrit të vendit, për shqetësimet reale me të cilat përballen sot qytetarët. Ndërsa ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët të mos dorëzohen dhe të mos tremben nga arrogance e pushtetarëve, por të ngrenë zërin për atë që i mundon në jetën e tyre të përditshme.

“Kryeministri ka halle të tjera dhe s’ka kohë për fermerët, por ky zotëri meriton respekt. Sepse guxoi, u ngrit dhe tha të vërtetën e tij.

Këtë duhet të bëjnë të gjithë!”, thekson Shehaj.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Zbardhen mesazhet e Benet Becit dhe Evis Berberit: Çfarë mund të themi ne me dy klasë shkolle

0

Dy muaj më herët Benet Beci, asokohe ADM i KESH, dhe Ervis Berberi, me detyrë drejtori i Agjencisë dhe Eficencës së Energjisë, kishin filluar bisedimet për paracaktimin e tenderit me vlerë rreth 700 mijë euro.

Pjesë e grupit të bisedimeve për këtë procedurë prokurimi ishin Benet Beci, Ervis Berberi, Adela Ruko dhe Dritan Dakoli. Sipas dosjes hetimore të siguruar, biseda e parë bëhet me datën 29.10.2019, ora 18:47:59; shtetasi Evis Berberi i ka dërguar shtetasit Benet Beci, me detyrë Administrator i KESH, SMS me tekstin: “Përshëndetje Visi, jam nesër kur mund të takohemi”. Ndërsa rezulton se shtetasi Benet Beci e ka telefonuar shtetasin Evis Berberi në aplikacionin “WhatsApp” ditën e nesërme.

Sipas gazetarit Edison Vatnikaj, pasi Beci ka komunikuar me Berberin, ky i fundit ka biseduar me Dritan Dakolin, e ndërsa me anë të një mesazhi Dakoli i thotë Benet Becit: “U nisa për 10 min besoj se kam aty”.

Sipas burimeve, ka dyshime se mes Becit, Dakolit dhe Berberit të jetë zhvilluar një takim ku tema e diskutimit ka qenë pikërisht tenderi në fjalë. Kjo përforcohet edhe më shumë pasi më 31 tetor Dritan Dakoli i ka dërguar Evis Berberi materialin në formatin “Eord” me emërtimin “Kërkesat për kualifikim CMA – masterplan KESH”.

Ky material është i njëjtë me materialin që një ditë më pas, në datën 01.11.2019, Evis Berberi ia ka përcjellë shtetasit Benet Beci.

Në këtë dokument gjendet drafti i kritereve të përgjithshme të kualifikimit dhe kritereve të veçanta të kualifikimit, kritere të cilat janë përdorur më pas në procedurën e prokurimit me nr. REF-46463-12-18-2019, me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik”.

Menjëherë sapo i ka përcjellë shtetasit Benet Beci dy materialet e mësipërme, i ka dërguar mesazhet shtetasit Benet Beci me tekst: “Kërkesat janë paraprake. Se pret ca detaje nga Harvard”. Benet Beci i është përgjigjur me dy SMS, ku njëri rezulton i fshirë dhe nuk evidentohet përmbajtja, ndërsa tjetri ka tekstin: “Ok flm Visi”.

Në datën 07.11.2019, Dritan Dakoli i dërgon shtetasit Evis Berberi materialin me emërtimin “Electricity Workstream Deliverables 2019-2020” me tekstin: “Harvardi për KESH. Më thanë, hidhi një sy. I thashë, këtë e kanë bërë profesorët, çfarë mund të themi ne të shkretët me dy klas shkollë?”. Evis Berberi i përgjigjet me SMS me tekstin: “Hahaha, kush ta çoi”.

Sipas gazetarit Vatnikaj, Dritan Dakoli i shkruan shtetasit Evis Berberi tekstin: “Ai cuni Harvardit. Me atë që flasim”. Ketij mesazhi, shtetasi Evis Berberi i përgjigjet me tekstin: “Ok super, po ja nis”. Në datën 18.11.2019, Dritan Dakoli i dërgon Evis Berberi mesazhin me tekstin: “Sqiten gjo cunat e KESH”, ndersa shtetasi Evis Berberi i kthen përgjigjen: “Të them unë, po e bëjnë gati”.

Në datën 03.12.2019, Dritan Dakoli i shkruan Evis Berberi: “Vllai, si të kam? Ky tërmeti na shkundi nga të gjitha anët. Ato nuk çelen gjë? Mos presin të shkoj unë?”, ndërsa Evis Berberi i përgjigjet: “Jooo, po e nxjerrin”. Në datën 10.12.2019, Evis Berberi i dërgon SMS shtetasit Dritan Dakoli, me tekst: “Fol me Reiden se mos bën poça për kriteret”. Dritan Dakoli i përgjigjet: “Po boni poça, ja gjej dikë besoj”.

Në dosje del edhe Adela Ruko, gruaja e Evis Berberit, e cila i dërgon një foto bashkëshortit të saj në në kqyrje paraprake, që nuk fiksohet, por që pas SPAK ka arritur ta sigurojë si provë në kqyrjen e kompjuterave të sekuestruar./oranews.tv

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Dosja “Kurum”/ Dhjetëra mijëra ton mbetje u zhdukën pa gjurmë në Elbasan

0

Nga Dorian Kodra

Me 33 fletë-arresti të firmosura, 26 për burg dhe 7 për arrest shtëpie, prokuroria e Durrësit i dha fund hetimeve që nisën për 2800 ton mbetje të rrezikshme të prodhuara nga Kurum International në Elbasan dhe u nisën me anije drejt Tajlandës duke përdorur dokumenta të falsifikuara.

Por dosja që ka siguruar Lapsi.al jo vetëm provon se ato 2800 ton mbetje ishin të rrezikshme, por nxjerr në dritë një skandal të përmasave të frikshme, shumë herë më i madh se ai që denoncoi “Basel Action Network”, organizata mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara.

Nga hetimet del se Kurum prodhoi qindra mijëra tonelata mbetje në vitet e fundit, që u menaxhuan në mënyrë kriminale, madje disa dhjetëra mijëra prej tyre humbën pa gjurmë në Elbasan.

Faktet tregojnë se 2800 ton mbetjet e nisura drejt Tajlandës ishin vetëm maja e ajsbergut. Sepse në realitet tonelatat me mbetje të rrezikshmë në Shqipëri magazinohen në mjedise të papërshtatshme, trafikohen me dokumenta të falsifikuara, madje edhe zhduken pa lënë asnjë gjurmë.

Zyrtarja më e lartë e arrestuar është ish-drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Mjedisit, Arta Dollani. Në media ajo përflitet si një nga njerëzit e besuar të ish-ministres Mirela Kumbaro, por është e lehtë të kuptohet se lidhjet e biznesmenëve që merren me transportin e mbetjeve të Kurum shkojnë shumë më lart. Nuk është rastësi që ata veprojnë në një mjedis të pakontrolluar, ku shteti nuk ekziston dhe ku ligji përkulet duke toleruar një treg kriminal të transportit të mbetjeve.

Në faqen 70 të dosjes, prokuroria shkruan se Agjencia Kombëtare e Mjedisit “rezulton se nuk ka kryer inspektime në përputhje me ligjin pranë shoqërisë Kurum International sha, Alliance Resource shpk, Sokolaj shpak dhe ESM APO” Për pasojë, vazhdojnë hetuesit, është lejuar grumbullimi, transportimi dhe më pas kontrabandimi e mbetjeve të rrezikshme, të cilat “sipas të dhënave të administruara nga Prokuroria, në të paktën 4 vitet e fundit janë transportuar me qindra mijëra tonelata në vit“.

Sasia gjigande me mbetje që përmendin prokurorët është tronditës, por tregon përmasat e vërteta të paligjshmërisë në këtë fushë.

Në letër rezulton se kompania turke Kurum International ka prodhuar vetëm 1000 ton mbetje të rrezikshme, por sqaron prokuroria e Durrësit “nga të dhënat rezulton se ka tregtuar vetëm tek Sokolaj shpk nëpërmjet 4 faturave në vitin 2023 dhe 2024 mbi 4122 Ton mbetje te rrezikshme”. Kjo përplasje shifrash me 4 mijë herë më shumë se sa deklarohej, është dëshmi se sa larg ka shkuar abuzimi me dokumentat shtetërorë.

Ekspertimi kimik mjedisor i përmendur në aktet e prokurorisë sillet kryesisht në dy përbërje të materialit tregtar, një përzierje tipike e pluhurit të furrës elektrike të çelikut, EAF dust, e cila përmban metale të rënda, oksid hekuri apo oksid zinku.

Vlen të citohet një dëshmi brenda uzinës e një personi të quajtur Rami Bunga, i cituar si specialist pranë zyrës së mjedisit te Kurum International. Ai shpjegon se prodhimi i oksidit të zinkut, “për 4 ose 5 vitet e fundit ka qenë rreth 25.000 deri në 30.000 ton”. 

Sasitë e mëdha që prodhohen çdo vit tregojnë se rasti i denoncuar i Tajlandës ishte thjesht një destinacion ku u ndez sirena.

Mbi këtë sfond, Prokuroria ka ngritur akuza për drejtues të Kurum International, të kompanive që merreshin me transportin e lëndëve kimike dhe për zyrtarë të Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Doganës, Autoritetit Portual dhe operatorit të terminalit.

Në të njëjtën kohë, sipas strukturës së dosjes, tre kompani dalin si nyje ku mbetjet kalonin përpara se të humbnin gjurmët ose të dilnin jashtë, Alliance Resource sh.p.k., Bajrami N sh.p.k., Sokolaj sh.p.k..

Sokolaj sh.p.k. është kompania që falsifikoi dokumentat për 2800 ton mbetje të rrezikshme që ishin nisur drejt Tajlandës por sipas prokurorisë së Durrësit, kjo ishte një skemë që zbatohej prej vitesh.

Faturat e gjetura në kompaninë Kurum dëshmonin për prodhimin e mbetjeve të rrezikshme, por në fund të procedurave, nga porti i Durrësit rezultonte se eksportohej mbetje e parrezikshme. Faturat manipuloheshin rrugës, por për të kuptuar sasitë e mëdha që ka eksportuar kjo kompani jashtë vendit prokuroria ka sekuestruar disa kontrata.

Në njërën prej tyre, që vlen të citohet në faqen 40 të dosjes thuhet: “Në kërkesën e datës 19.08.2022, Sokolaj shprehet se bazuar në kontratën me gjeneruesin e mbetjeve Kurum International sh.a., angazhohet ti blejë mbetjet me kod 10 02 07*, me sasi vjetore 25.000 ton në vit, me vend origjine Kurum, Elbasan.”

Bëhet fjalë për sasi mbetjesh të rrezikshme të cilat ishin stok pranë kompanisë Kurum në Bradashesh të Elbasanit. Prokuroria vazhdon: “Sokolaj nuk rezulton të ketë Autorizim për eksportim të mbetjeve të rrezikshme… për periudhën 2022,2024”.

E njëjtë është skema edhe tek kompania Alliance Resource sh.p.k. Vetëm se tek kjo kompani janë gjetur sasi të mëdha në stok në kushte të papështatshme për t’u ruajtur.

“Përveç faktit që nuk ka disponuar dokumentacionin, sasia e mbetjeve është gjendur në stok, ndërkohë që subjekti marrës i mbetjeve të rrezikshme ka detyrën e trajtimit të tyre dhe jo të magazinojë sasi të mëdha mbetjesh duke i lënë të patrajtuara duke shtuar efektet e rrezikut të lëshimit të gazrave toksikë në mjedis e në ajër” thuhet në dosje.

Hetuesit kanë kryer kontrolle në ambjentet e Alliance, por thonë se kompania nuk ka paraqitur dokumentacion provues se çfarë ka ndodhur me këto mbetje, si janë trajtuar, nëse janë transportuar a shitur tek të tretë, apo janë eksportuar.

Dyshimet janë se Kurum dhe Alliance “kanë shkelur legjislacionin për menaxhimin e mbetjeve duke i transferuar mbetjet tek të tretët në sasi shumë të mëdha, me kosto të ulët për të shmangur kostot e asgjësimit” thotë dosja.

“Bajrami N”, dhjetëra mijëra ton mbetje të zhdukura pa gjurmë

Por ndërsa dy kompanitë e tjera kishin synim t’i nxirrnin mbetjet jashtë vendit për t’u trajtuar, një krim akoma më i rëndë duket të jetë konsumuar nga një kompani tjetër “Bajrami N” sh.p.k. Kjo kompani përmendet në dosje për sasi të mëdha mbetjesh të parrezikshme, kryesisht skorje që janë zhdukur pa gjurmë.

Hetuesit kanë gjetur tre kontrata me gjithsek 40 mijë ton mbetje, të cilat kjo kompani synonte t’i trajtonte me impiant betoni dhe t’i përdorte si stabilizant të rrugëve.

Hetimet listojnë shifra të tilla si “ka shitur 15996 ton… 16253 ton… dhe 10359 ton”, por që shoqërohet me humbje të gjurmës, “nuk ka asnjë informacion… ku janë depozituar këto mbetje, dhe si janë trajtuar… nuk ka asnjë regjistër”.

Nga fashikulli i prokurorisë, kompania Bajrami N shpk del si “vrima e zezë” e hetimit, ku dhjetëra mijëra tonelata me mbetje janë zhdukur pa lënë gjurmë.

“Bajrami N” sh.p.k. ka lidhur kontratë me shoqërinë “Kurum International sh.a.” por shoqëria “Bajrami N” sh.p.k. nuk disponon leje për përpunimin/trajtimin e skorjeve… Asnjëri prej kodeve 100201 dhe 100202 nuk përfshihet në lejet mjedisore të kësaj shoqërie. Nga të dhënat e administruara nuk ka asnjë informacion se çfarë procesi pune ka ndodhur, ku janë depozituar këto mbetje, dhe si janë trajtuar pasi nuk ka asnjë regjistër të deklaruar mbi to” citohet prokuroria e Durrësit.

Institucioni që duhet të ishte gardiani i këtij tregu delikat dhe me pasoja të rënda për mjedisin, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, përshkruhet si një hallkë jofunksionale në tregun e mbetjeve të Kurum.

Drejtuesja e AKM, Arta Dollani akuzohet se “nuk e ka përmbushur detyrën… nuk ka kryer vlerësime të plota… dhe rezulton se nuk e ka monitoruar zbatimin e kritereve të lejes”. Në një tjetër pasazh, prokuroria thotë se “nuk ka kryer inspektime në përputhje me ligjin” pranë subjekteve kryesore, Kurum International, Alliance Resource sh.p.k., Sokolaj sh.p.k., dhe ESM APO”.

Autoriteti Kombëtar i Mjedisit duket se ka kërkuar informacion vetëm “pasi është bërë publik rasti i eksportimit”, në Tajlandë, por më parë “nuk ka kryer asnjë lloj verifikimi në terren”.

Megjithatë kjo është fotografia e bllokimit të një mekanizmi të vogël, siç është Autoriteti Kombëtar i Mjedisit. Prokuroria e Durrësit është përqëndruar te ky mekanizëm, duke lënë jashtë dështimin e aparatit të madh shtetëror, si një organizëm që zgurdullon sytë vetëm kur skandali del në media, përpëlitet pak kur ndërhyn prokuroria, por rikthehet sërish në gjumë me idenë se çudia më e madhe tre ditë zgjat.

Mungesa e vullnetit politik për të korrigjuar atë që po ndodh me mbetjet u pa kur plasi skandali i anijeve të nisura drejt Tajlandës. Fillimisht dy ministret, Belinda Balluku e Infrastrukturës dhe Mirela Kumbaro, ish-ministre e Mjedisit mohuan faktin se mallrat janë të rrezikshem duke dalë garant për ngarkesën në kontenierë në një deklaratë të përbashkët.

Akoma më rëndë ishte në fjalimin në parlament kryeministri Edi Rama. Fajin për mbetjet e rrezikshme që prodhohen dhe trafikohen, ai ia faturoi mediave dhe opozitës, me pretendimin se skandali u shpik nga kokat e sëmura që janë prekur nga “psikopatologjitë”, të atyre që shkruajnë “fletërrufe” dhe të atyre që udhëhiqen nga “fantazi malinje”, që kanë për qëllim “helmimin e shqiptarëve” përmes burimeve dixhitale.

“A është kryer eksport i mbetjeve të rrezikshme? Sipas të dhënave të bëra me dije publikisht, në çdo deklaratë, e në çdo dokument të paraqitur nga subjektet private, si pjesë e procedurave të eksportit, është shumë e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme” u shpreh kryeministri në parlament.

Por tani që mbetjet jo vetëm dolën të rrezikshme, por që u provua se pjesë e fajit ishte administrata shtetërore, tani që dhjetëra mijëra tonelata me mbetje u zhdukën pa lënë gjurmë, qeveria me siguri do të heshtë. Sepse në rastin më të mirë është bashkëpuntore e biznesmenëve me paaftësinë e saj, në rastin më të keq është bashkëpuntore e tyre me korrupsionin e saj./Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Sefa: PD ulet me Ramën dhe pastaj del në protestë

0

Juristi Indrit Sefa, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se Partia Demokratike “duhet të pranojë që ka një mospërputhje midis aksionit të saj politik dhe asaj se çfarë do të bëjë”.

“Lidershipi i PD-së po e vuan presionin publik, duke i thënë që ti ulesh në tavolinë me Edi Ramën dhe këtej bën edhe protestë. PD-ja sot ka të gjithë të drejtën për shembull të thotë që mazhoranca ka bërë shkelje të rregullores së Parlamentit kur nuk voton heqjen e imunitetit të zonjës Balluku. Le ta votojë kundra. Ka shumicën e votave, ta votojë kundra. Kjo është e drejta e mazhorancës. Unë po të them që opozita sot ka një mossens midis aksionit të saj politik që ka të bëjë me aksionin e protestave dhe aksionin legjislativ që e ka detyrim kushtetues për ta bërë”, tha Sefa.

“Për mua, opozita dhe mazhoranca duhet të ulen në tavolinë sepse aty bëhen ligjet. Mazhoranca nuk mund të jetë represive. Ajo e ka zgjedhur rrugën e vet. PD-ja, sot në këtë situatë të vështirë që është, që nuk i imponohet dot kësaj mazhorance, ka një detyrë akoma më të madhe dhe detyra është t’i fitojë zemrat qytetarëve shqiptarë. Në këtë concept, PD-ja duhet të jetë në institucionet e shtetit shqiptar. Të japë një alternativë të besueshme me kandidatura, me burime njerëzore të besueshme. Opozita nuk po e bën se nuk mund të bësh edhe këtë, edhe të jesh në shesh”, shtoi Sefa. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Salianji takim me demokratët në Fier: Lidershipi e do PD-në “për ta mjelur si lopë”

0

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji, zhvilloi mbrëmjen e djeshme një takim me demokratët në qytetin e Fierit. Gjatë fjalës së tij, Salianji nuk i kurseu akuzat ndaj lidershipit të Partisë Demokratike.

Ne duam që të bëjmë një parti Demokrtatike siç e duan demokratët dhe jo siç e do Edi Rama, se atij intereson që PD të rrijë në vend kështu si është sot, se ne demokratët as nuk i kemi, por as nuk i përdorim dot si përdor Rilindja. Ne nuk kemi pushtetin e saj absolut. Nuk kemi as bandat, por ne kemi në dorë që partinë tonë ta bëjmë ashtu siç duan demokratët, ashtu siç po e kërkojnë demokratët në çdo cep të Shqipërisë, sepse po e theksoi që Partia Demokratike po qëndron ashtu siç e do Edi Rama.”, deklaroi Salianji.

Sepse ndryshimi miq, keni të drejtë që kanë frikë, por ndryshimi nuk ndërtohet me frikë, por duke pasur guxim, duke pasur garë dhe duke bashkuar edhe brezin e ri dhe duke e bërë. Ndryshimi miq është thelbësor për të qenë fitues. Është i pashmangshëm dhe nuk e ndal dot askush. Ndryshimi është përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi ne nuk e shmangim as përpara Edi Ramës, as përpara atyre që e duan PD-në ta mjelin si lopë për interesat e tyre. Ne duam një PD që të mos jetë qaramane”, tha mës të tjerash Salianji.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx