Dhimitraq Ziu është komanduar si Drejtor i Policisë së Tiranës. Vendimi është firmosur nga kryepolici i ri, Ardi Veliu, i cili ia la postin Ziut, deri në momentin e emërimit. Pak orë pasi Ardi Veliu mori postin e Drejtorit të Përgjithshëm, ai firmosi komandimin e Dhimitraq Ziut si kryepolic të Tiranës. Kësisoj, Ziu zëvendëson Veliun, pasi ky i fundit shërbeu për afro një vit si Drejtor i Policisë së Tiranës, pas largimit të Ervin Hodajt. Komandimi i Ziut në krye të bluve të kryeqytetit, do të zgjasë deri në momentin kur një oficer karriere të emërohet në këtë post. Prej më shumë se një viti Ziu ka mbajtur postin e zv/Drejtorit për Rendin në Policinë e Tiranës dhe përgjatë kësaj kohe është vërejtur shtim i prezencës së policisë, sa herë që ka pasur informacione për prishje të rendit dhe sigurisë.
Arta Marku: Elbasani zonë e nxehtë, grupet krminale prezente në jeten publike
Elbasani rezulton pikë e nxehtë e grupeve kriminale tashmë të sofistikuara, moderuara dhe prezente në jeten publike të qytetit duke investuar në tregun privat dhe punët publike. Kjo është njëra nga deklarimet e Prokurores së Përgjithshme Arta Marku nga takimi që zhvilloi sot në Prokurorinë e Elbasanit. Një mesazh i fortë ky drejtuar prokurorëve nga të cilët ka kërkuar që në bashkepunim me policine e shtetit duhet të bëjnë analiza të përbashkëta në lidhje me cështjet e pezulluara, të identifikojnë pikat e dobëta të tyre, veprimet që mund te cojnë në identifikimin e autorëve dhe të rifillojnë hetimet duke shtuar kapacitetet profesionale në funksion të zbulimit dhe ndëshkimit të autorëve. Marku ka shkuar në Elbasan për përurimin e ndertesës së re të prokurorisë së Elbasanit dhe për analizën vjetore të këtij institucioni.
Zgjedhjet në FSHF, Fino nuk njeh rezultatin
Me përfundimin e procesit të votimit, që rikonfirmoi Armand Dukën si kreun e FSHF-së për një mandat të pestë, rivali i tij Bashkim Fino deklaroi se e priste këtë rezultat, e për këtë arsye nuk mund të ishte i zhgënjyer. Sipas tij, ky ka qenë një proces i parregullt për shkak të listës së delegatëve. “Po të mos ishin shoqatat dhe klubet ilegale, do ishte një garë më e ndershme”, theksoi Fino në daljen e parë pas përfundimit të numërimit për kreun e ri të FSHF-së. Deputeti i Partisë Socialiste, gjithsesi nuk dorëzohet dhe deklaron se çështjen do ta ndjekë në rrugë ligjore, duke e dërguar në gjykatë, e më pas, nëse do e shihte të arsyeshme edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, (CAS), në Lozanë të Zvicrës. “Ky ishte një proces i parregullt, që fillon nga votimi i 12 shoqatave ilegale të paregjistruara në gjykatë. Diferenca prej 14 votash është rezultat i këtyre 12 shoqatave dhe klubeve ilegale. Ekipe si Olimpiku, Vlora apo edhe Fieri nuk janë pjesë e futbollit dhe vendosja e delegatëve ishte guri edhe arra në thes. Këta votuan, e kjo tregon edhe diferencën që bëri që Duka të fitojë në këto zgjedhje. Do të vijojmë me procesin gjyqësor për të mirën e futbollit shqiptar. Do të respektojmë gjykatat tona, por çështja mund të shkojë edhe në FIFA, e pse jo deri në CAS-in e Lozanës”, theksoi Fino. Në fund, deputeti Bashkim Fino theksoi se ai vet nuk e përdori politikën në këtë garë, madje akuzon se ishte kundërshtari i tij, ai që e bëri diçka të tillë.
Adelina Tahiri në pritje të fëmijës së parë
Rreth një muaj më parë Adelina Tahiri i dha fund beqarisë në një dasmë private me biznesmenin Serjoza Markov. Lajmi u bë publik nga një foto e këngëtares në Instagram por duke ruajtur privatësinë e duke mos publikuar asnjë foto të partnerit të saj. Mirëpo thuhet se në jetën e Adelinës ka një tjetër të re. Sipas “Gazeta Shqiptare” këngëtarja është në pritje të fëmijës së parë ndërsa bashkë me bashkëshortin e saj janë parë në ambientet e spitalit gjinekologjik në Shkup. Adelina edhe më parë është përfolur për shtatzaninë e saj, ndërsa e ka mohuar një gjë të tillë.

Marku porosit prokurorinë e Elbasanit: Hetoni personat me precedent kriminalë
Kryeprokurorja e përgjithshme, Arta Marku, ka kërkuar nga organi i akuzës së Elbasanit që të hetojë në mënyrë efikase të shkuarën dhe të të tashmen e personave me precedent kriminalë. Marku gjithashtu ka kërkuar hetim edhe për pasuritë që dukshëm kanë ardhur në mënyrë të paligjshme. Deklaratat Marku i bëri teksa mori pjesë në analizën vjetore të prokurorisë së Elbasanit që u zhvillua nga ora 11:20-12:20. Marku ka nënvizuar se pavarësia e prokurorit nuk do të thotë pavarësi nga ligji. Në analizën vjetore merrnin pjesë kreu i prokurorisë Elbasan Ardjan Nezha dhe prokurorët e tjerë. Marku mbërriti në prokurori rreth orës 10:00. Gjatë kësaj kohe një qytetar ka kërkuar ti shprehë nje shqetesim por ajo nuk ndaloi. Vazhdoi të ecte drejt derës kryesore. Vizita e Markut u finalizua me një kokteil që prokuroria e Elbasanit kishte organizuar për përurimin e godinës së re të organit të akuzës.
Armand Duka, rizgjidhet në krye të FSHF
Armand Duka është presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit. Armand Duka është rizgjedhur për herë të pestë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit pas votimit të mbajtur ditën e sotme në Asamblenë e 7 të Përgjithshme Zgjedhore. Në raundin e parë të votimit, asnjëri nga 3 kandidatët nuk mundi të merrte 2/3 e votave. Ne raundin e dyte Duka mori shumicen e votave. Ne raundin e pare asnjëri prej kandidatëve nuk arriti të marrë 44 votat e vlefshme për të qenë presidenti i ri i Federates Shqiptare të Futbollit. Duka ka marrë 39 vota Bashkim Fino 22 vota 4 vota janë shpallur të pavlefshme.
Trump kërkon një paradë madhështore ushtarake. Demokratët: Je diktator!
Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar Pentagonin të organizojë një paradë madhështore ushtarake në Uashington. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ia kërkoi këtë zyrtarëve të lartë të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në javën e fundit të janarit, pasi siç raportohet ishte mahnitur nga parade e “Ditës së Bastijës” në Francë vitin e kaluar. Shfaqjet militare në Uashington, zakonisht janë përdorur për të celebruar fitore në fund të ndonjë lufte. Për këtë ka ardhur edhe një reagim nga opozita e Trump. Demokratët e krahasojnë planin për shfaqjen e fuqisë ushtarake me ato që organizohen nga vende autokratike. “Çfarë shpenzimi i kotë! Trump vepron më shumë si diktator se sa si president. Amerikanët meritojnë më shumë”, ka shkruar në tuiter politikani demokrat Jim McGovern. Ndërsa një kongresmen tjetër nënvizoi se kërkesa e Trump është ofenduese pasi nuk është në stilin e SHBA-së që të ndërmarrë organizime të tilla. Plani fillimisht është zbuluar nga Uashington Post, përpara se të konfirmohej nga zëdhënsja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders. “Presidenti Trump është mbështetës i madh i anëtarëve të shërbimit madhështorë të Amerikës, të cilët rrezikojnë jetët e tyre çdo ditë për të mbajtur vendin tonë të sigurtë”, theksoi ajo. Ndërsa më tej shton: “Ai i kërkoi Departamentit të Mbrojtjes të organizojë një event, në të cilin të gjithë amerikanët mund të tregojnë vlerësimin e tyre”. Sipas mediave amerikane, Pentagoni tashmë është vënë në punë dhe po diskuton për detajet e paradës ushtarake. Megjithatë një datë e sakte se kur do të zhvillohet nuk dihet ende. Uashington Potst nënvizon se për këtë event po diskutohet për 3 data të ndryshme që janë: 28maji, dita ku përkujtohen të rënët në gjithë luftrat; 4 korriku, Dita e Pavarësisë që është festa kombëtare më e rëndësishme; dhe 11 nëntori, Dita e Veteranëve.
Rama shigjeton hipotekat, denonconi në 3 min dhe janë të mbaruar
Kryeministri, Edi Rama, nxiti edhe njëherë qytetarët të bëhen pjesë e platformës së bashkëqeverisjes dhe të denoncojnë problemet që i shqetësojë. Duke numëruar 2500 raste të zgjidhura që prej prezantimit të saj, Rama tha se mjaftojnë 3 minuta kohë për të zgjidhur çështje që zvarriten prej vitesh. Deklaratat Rama i bëri në konferencën kombëtare për reformimin e shërbimeve të administratës.
Rama: Është domosdoshmëri që njerëzit të kenë sot mundësi të marrin atë që takon pa pritur që kjo reformë, ky operacion të përfundojë dhe të japë të gjitha rezultatet në katër vite. Sot çdokush duhet të ketë forcën që të reagojë dhe marrë atë që i takon kur gjen përpara një parazit apo grabitqar që pengon të drejtën e tij. Pjesa e dokumentave që hiqen është njëra anë e medaljes, problemi është me dokumentat që mbeten kush është sjellja e shtetit. Me titullin e pronësisë që është një dokument që mbetet nuk mund te hiqet kush është sjellja e shtetit. Për këtë arsye ne sot kemi këtë panel të fundit që i dedikohet platformës së bashkëqeverisjes si një tjetër përpjekje për tu thënë qytetarëve se platforma e bashkëqeverisjes është reale, funksionon. Mjafton që ti të marrësh mundimin tre minuta dhe në vend që të kërkosh mik, të japësh lekë, të presësh që zgjidhja të vijë nga rrugë të vjetra, thjesht dhe vetëm të besosh se ti e zgjidh vetë problemin tënd për tre minuta duke futur mikun më të madh, qeverinë e Shqipërisë, duke futur mikun më të lartë Ministrin apo Ministren përkatëse në qeveri sipas sektorit ku ti po kërkon të drejtë. Sot ne kemi mbi 2500 raste konkrete si këto 5 raste këtu që provojnë këtë që them unë. Sot kemi 35 punonjës hipotekash që janë në derën e prokurorisë, nuk i ka dërguar auditi, KLSH, një hetim administrativ nga Ministria, i ka dërguar ai numër qytetarësh që kanë reaguar, kanë ngritur krye tek Shqipëriaqëduam.al. Për të gjitha rastet kur titulli i pronësisë i ka takuar qytetarëve është marrë titulli i pronësisë, ama është hetuar kush ua ka penguar me vite. Dhe të gjithë ata që me kanë penguar janë larguar nga detyra dhe janë për hetim.Ta provojnë në gjykatë pse e kanë penguar, se janë parazitë apo grabitqarë? Në të dy rastet, shtetit dhe administratës nuk i duhen. Në rastin kur janë parazitë le të vazhdiojëntë kërkojnë të ndërtojnë jetën e tyre jashtë dyerve të shtetit, kur janë grabitqarë le të shkojnë aty ku e kanë vendin. Këtë e provon prokuroria dhe gjykata.
Rama tha se kjo platformë është një mesazh i qartë për të gjithë punonjësit në Hipoteka.
Rama:Nga Amerika me tre minuta kanë arritur të zgjidhin atë që nuk kanë arritur ta bëjnë me vite. Ky është një mesazh i qartë për ata që janë akoma në zyrat e Hipotekave, ata nuk duhet të ruhen tanimë se thjesht mund ti shkojnë në kontroll, ata duhet të ruhen edhe nga një grua e pafuqishme që thjesht nuk dënojnë ta presin. Ti marrin ato tre minuta kohë dhe ti je i vdekur, je i mbaruar, nuk të mban më në karrige asgjë, nuk ka parti që të mban më, nuk ka mundësi, nuk ka kushëri që të mban më aty.
Duka e Fino nuk ka fitues në raundin e parë, përballen në një raund të dytë
Asnjëri prej kandidatëve nuk ka arritur të marrë 44 votat e vlefshme për të qenë presidenti i ri i Federates Shqiptare të Futbollit. Procesi mbahet në hotel “Adriatik” në Durrës dhe pritet të ketë një raund të dytë dhe përballë do të jenë vetëm Bashkim Fino e Armando Duka, pasi kandidati tjetër, Hala nuk arriti të marrë asnjë votë raundin e parë.Nuk ka fitues në raundin e parë për zgjedhjen e kreut të ri të Federatës Shqiptare të Futbollit. Presidenti aktual Armand Duka mori 39 vota ndërsa rivali i tij më i afërt Bashkim Fino u votua nga 22 anëtarë . Kandidati i tretë, Shpëtim Hala nuk mori asnjë votë. Rreth 4 vota dolën të pavlefshme. Duhen 44 vota per te fituar.
Gjirokastër, i burgosuri për përndjekje i arratiset policisë para gjykatës
Një 24 vjeçar i ndaluar nga Policia e Sarandës u ka shpëtuar forcave të policisë pak minuta para se të hynte në sallën e gjyqit. Ngjarja ka ndodhur në Gjykatën e Apelit Gjirokastrës, kur Saimir Ahmeti, 24 vjeç, i akuzuar për “përndjekje” është larguar me shpejtësi në momentin kur njëri prej efektivëve të policisë që e shoqëronte për në sallën e gjyqit ka tentuar ta prangosë.
