Jola Hysaj, ish-sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, është emëruar në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Hysaj u largua nga Partia Demokratike në muajin mars të këtij viti, pas një periudhe angazhimi në strukturat drejtuese të selisë blu, ku mbante detyrën e sekretares për Marrëdhëniet me Publikun.
Ajo njoftoi dorëheqjen nga posti i saj dhe largimin nga partia pas një serie zhvillimesh dhe vendimmarrjesh brenda partisë, të cilat sipas saj nuk respektojnë parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një forcë politike demokratike.
Në një postim të gjatë në Facebook, Hysaj ka konfirmuar se është emëruar në krye të AKT-së dhe se është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama, ndërsa ka zbuluar edhe bisedën që ka zhvilluar me të.
Hysaj shkruan se Rama i ka thënë se nuk dëshiron që ajo të bëhet socialiste, por që ta çojë më lart institucionin që do të drejtojë.
Më tej, ajo thekson në postimin e saj se është demokrate, por nuk është me Partinë Demokratike.
Postimi i plotë:
Përshëndetje, meqë kam marrë shumë pyetje në ëhatsap nga miq ja përgjigja ime.
Po jam emëruar drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Jam shumë falenderuese për besimin dhe uroj ta justifikoj plotësisht.
Po e kam takuar Edi Ramën. Fjala që më mbeti në mend ishte: Nuk dua të bëhesh socialiste, dua të çosh më lart institucionin që ngriti Zana Çela.
Po jam demokrate, por nuk jam me Partinë Demokratike. Jam me partinë e Shqipërisë turistike.
Uroj të respektoni lirinë dhe zgjedhjen time për të bërë një punë të re në një sektor ku kam punuar shumë vite.
Gjithkush është i lirë të spekullojë dhe thurrë teori konspirative. Por kush më njeh e di që unë i pres drutë shkurt.
Kaq kisha nga ana ime. Kush do më urojë punë të mbarë e falenderoj! Kush do më shajë dhe mallkojë e ngushëlloj.






