Banorët e Poliçanit u ngritën në protestë për të kundërshtuar propozimin e ri të reformës së re administrativo-territoriale. Gjatë protestës në qendër të qytetit, banorët kanë djegur publikisht teserat e Partisë Socialiste, duke shprehur revoltë ndaj qeverisë që prej vitesh e kanë mbështetur me votë.
Djegia e teserave të PS-së u kthye në simbolin e pakënaqësisë së qytetarëve, të cilët akuzojnë qeverinë se po i mohon qytetit të tyre të ardhmen.
Me pankarta në duar, banorët përcollën mesazhe të forta si: “Poliçani nuk preket”, “Mos na vrisni të ardhmen”, “Harram i paçi votat e Poliçanit” dhe “Deputetë dele, mos e votoni reformën”.
Gjatë protestës, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erion Zylyftari, njoftoi publikisht dorëheqjen e tij nga posti, duke e cilësuar vendimin për prekjen e bashkisë si një padrejtësi dhe “një turp të madh ndaj qytetarëve”.
Banorët kanë firmosur gjithashtu një peticion ku kërkojnë që Poliçani të ruajë statusin e bashkisë më vete, duke paralajmëruar se çdo ndryshim i tillë do të ketë pasoja për zhvillimin e qytetit dhe brezat e ardhshëm.






