Gazetari Mentor Kikia, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, deklaroi se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk funksionojnë më si organizata politike demokratike, por si prona private të kryetarëve të tyre.
Sipas Kikias, dominimi i dy partive të mëdha nuk vjen nga mbështetja reale qytetare, por nga mënyra se si është ndërtuar ligjërisht sistemi. “PS dhe PD po dominojnë skenën politike me ligj dhe jo me meritë”, u shpreh ai.
Gazetari theksoi se për 35 vite tranzicion, vendi ka ndërtuar kultin e individit rreth figurave politike, por jo institucione dhe shtet funksional. “Partitë sot drejtohen me grusht të fortë. Ato janë kthyer në prona të kryetarëve, sepse nuk ka ligj që garanton demokracinë brenda partive politike”, tha Kikia.
Ai u ndal edhe te bashkimi i opozitës, duke ngritur pikëpyetje mbi qëllimin e tij real. “Pyetja kryesore është: cili është objektivi? Nuk mjafton largimi i një kryeministri dhe aq më pak zëvendësimi i tij me një ish-kryeministër”, deklaroi gazetari.




