Mazhoranca socialiste ka rrëzuar kërkesën e PD për ngritjen e një Komisioni Hetimor për veprimtarinë e kompanisë shtetërore “KAYO”.
Kërkesa e opozitës është diskutuar në Konferencën e Kryetareve, pas pretendimeve të ngritur nga PD lidhur me aktivitetin e kompanisë, kjo edhe pas publikimit të audiopërgjimeve nga ish zv. kryeministri Arben Ahmetaj.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi në Konferencën e Kryetarëve se kompania KAYO ka shpenzuar rreth 34 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe kërkoi transparencë mbi mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve, kontratat dhe aktivitetin e kompanisë.
“Janë shpenzuar 34 milionë euro. Kështu na thatë edhe për inceneratorët, por doli që paratë digjeshin në shesh. Kemi kaq kohë që kërkojmë informacion në Ministrinë e Mbrojtjes. Nuk jepet informacion. Refuzon ministri dhe për këtë i jam drejtuar Kryetarit të Kuvendit. Çfarë duhet të bëjmë ne, të futemi në ministri dhe të marrim dokumentatat? Për këtë arsye duhet komisioni hetimor, sepse ai i nënshtrohet Kodit Penal nëse nuk jepet informacion.
Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç të mësojmë dhe të njohim kontratat e lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private. Si e gjeti KAYO individin Ron Yefet? Cila është CV-ja që ka ky njeri, veç faktit që është mik i Edi Ramës? Si përfiton ky njeri në vetëm 6 muaj 34 milionë euro? Ne jemi të hapur për objektin e hetimit. Na thoni çfarë doni të rregullojmë. Ngritja e komisionit hetimor nuk ka nevojë për lejen tuaj, këtë na e jep Kushtetuta. Ne mund vetëm të diskutojmë objektin e hetimit”, tha Bardhi.
Nga mazhoranca, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla argumentoi se kërkesa nuk plotëson kriteret për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
Sipas arsyetimit të paraqitur, objekti i kërkesës është tepër i gjerë dhe përfshin çështje të ndryshme, pa përcaktuar në mënyrë të qartë faktet konkrete, veprimet apo mosveprimet që duhet të hetohen.






