Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka zbuluar se është duke shkruar një libër.
Rama njoftoi se ky libër ka lidhje me fjalët e sofrës së iftarit dhe se i gjithi do të jetë për kënaqësinë e gjuhës shqipe.
Ky do të jetë libri i dytë i kreut të qeverisë. I pari me titullin “Kurban”, u botua në vitin 2011, kur Rama humbi zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.
Pjesë nga fjala e Ramës sot në podcast:
Jam dashnor i përkushtuar i gjuhës shqipe, e ndjej dhe më pëlqen të shkruaj. Madje në rastet e rralla kur më është dhënë mundësia të takohem me Ismailin pjesa që më tërhiqte me shumë ishte kur arrija që të fusja në bisedë për gjuhën.
Se natyrisht ai e zotëronte shqipen në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo që më pëlqente shumë është kur ai bënte krahasimin me rusishten.
Unë nuk kam mundësi të rri të ulem të shkruaj siç kam shkruar “Kurbanin”. Më pëlqen shumë që të shkruaj copëza, që lidhen me punën, fjalimet. Po përgatis tani një libër me fjalët e sofrës së iftarit, thjesht për kënaqësinë e shqipes, jo për ndonjë arsye tjetër dhe për natyrisht dëshirën që ti shoh në një libër disa gjëra që i kam shkruar me shumë dëshirë.




