Kuvendi me 122 deputetë, Kume: Puna mund të vazhdojë normalisht

0
20

Shterimi i listave të Partisë Demokratike në të gjitha qarqet ka sjellë që parlamenti i Shqipërisë të jetë me 122 deputetë. Ish kreu i KQZ Kristaq Kume sqaron se 18 vendet vakante në Kuvend nuk mund të zëvendësohen, ndërsa thekson se punimet e Kuvendit mund të vijojnë normalisht.

Parlamenti i Shqipërisë nuk do të ketë 140 deputetë siç e parashikon kushtetuta,  pasi listat e kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike kanë shteruar në të gjitha qarqet, duke lënë 17 vende bosh në kuvend.

Me djegien në bllok të 58 mandateve të opozitës së bashkuar, 17 mandatet parlamentare të LSI janë zëvendësuar të gjitha, ndërsa Kandidati i fundit në listën e Tiranës nga Partia Demokratike, Ramazan Gjuzi ka dorëzuar të hënën në KQZ formularin e dekriminalizimit, por kjo mund të shtojë me 1 mandat numrin e deputetëve në kuvend.

Por për ish-kreun e KQZ, Kristaq Kume, karriget e mbetura bosh në kuvend, nuk cënojnë punën e këtij institucioni.

Kume: Kuvendi i Shqipërisë mund të vazhdojë punë, i ka të gjitha kapacitetet ligjore për të marrë vendime dhe për të realizuar reforma, sepse ka më shumë se 84 veta, për të realizuar dhe reforma kushtetuese sepse ka më shumë se 93 veta.

Sipas ish kreut të KQZ, zgjidhje nuk është as shpërndarja e parlamentit nga presidenti.

Kume: Precedenti që do të prodhojë do të jetë i padëshirueshëm. Nëse ndodh një gjë e tillë atëhere ne mund të ndodhemi teorikisht përpara situatave kur zgjedhjet të bëhen në mënyrë të vazhdueshme dhe asnjëherë mos të kemi kuvend që të mblidhet si i tillë.

Kume thotë se këto karrige do të mbeten bosh, ndërsa theksoi se kriza politike nuk mund të zgjidhet në zgjedhje, por në tryezën e dialogut.

 

Zjarr Tv Ad