Wednesday, May 6, 2026
Ballina Aktualitet Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet...

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi

0
5

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi.

Pëllumbi ka lindur më 14 dhjetor 1936 në Korçë dhe është cilësuar si një nga figurat me ndikim në zhvillimet politike të vendit gjatë periudhës së tranzicionit pas viteve ’90. Ai ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në vitet 2002–2005, duke luajtur një rol të rëndësishëm në jetën parlamentare të asaj periudhe.

Përveç angazhimit politik, Servet Pëllumbi njihej edhe si akademik dhe profesor i sociologjisë, me një kontribut të gjatë në fushën e studimeve sociale dhe formimit universitar në Shqipëri. Ai ka qenë gjithashtu një nga figurat e hershme të Partisë Socialiste, ku ka mbajtur role të rëndësishme gjatë karrierës së tij politike.

Gjatë jetës së tij, Pëllumbi është vlerësuar me disa dekorata shtetërore, mes tyre edhe Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, akorduar nga ish-Presidenti Alfred Moisiu, për kontributin e tij në jetën publike dhe institucionale të vendit.

Ditën e sotme po mbahet ceremonia mortore në nderim të ish-Kryetarit te Kuvendit Servet Pëllumbi.

Homazhet do të zhvillohet nga ora 09:30 pas mbërritjes së arkmortit në sheshin Skënderbej dhe vendosja në hollin e TOB.

Në orën 12:00 do të jenë homazhet zyrtare ndërsa 30 minuta më vonë do të jetë ceremonia e përcjelljes. Më tej bëhet me dije se do të mbahen dy fjalime.

Në orën 13:00 do të kryhet nisja drejt varrezave të Sharrës e cila do të jetë banesa e fundit për ish-kryeparlamentarin Pëllumbi. Shoqërimi do të kryhet sipas protokollit shtetëror.

Zjarr Tv Ad