Wednesday, July 15, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Një tender i dyshimtë prej 4.5 mln euro nga Bashkia e Lushnjës

Një tender i dyshimtë prej 4.5 mln euro nga Bashkia e Lushnjës

0
19
Zjarr Televizion Adccccc

Bashkia e Lushnjës ka shpallur fituesin e tenderit për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit të disa fshatrave, duke skualifikuar katër ofertat më të lira në garë. Procedura e prokurimit, e cila kishte një fond limit prej 4.7 miliardë lekësh (rreth 4.5 milionë euro), ka përfunduar me përzgjedhjen e një operatori që ofroi thuajse vlerën maksimale të buxhetit, pavarësisht se në tryezë kishte propozime me diferenca të mëdha ekonomike.

Projekti, i cili teorikisht synon përmirësimi i sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm brenda 18 muajve në fshatrat Zhamë, Gramsh, Konjat, Dushk dhe Thanasaj, ka ngjasuar më shumë me një procedurë formale sesa me një garë të hapur tregtare. Nga 9 kompani që shfaqën interes, komisioni i tenderit skualifikoi 8 prej tyre, duke lënë në fuqi ofertën e bashkimit të operatorëve “ARKONSTUDIO & ED KONSTRUKSION”. Fituesit morën dritën jeshile me ofertën sa 93.6% e fondit limit, duke konfirmuar një praktikë tashmë të njohur të tenderave, ku fiton ai që i afrohet më shumë tavanit të buxhetit.

Ironia qëndron tek diferencat marramendëse të parave që bashkia refuzoi të kursente nga xhepat e qytetarëve. Katër nga operatorët e skualifikuar ofruan çmime që dëshmojnë se rrjeti i ujësjellësit mund të ndërtohej pa pasur nevojë për shpenzime maksimale. Bashkimi i operatorëve “NDREGJONI – UDHA – NIKA” kërkoi 1.2 milionë euro më pak se fituesi i përzgjedhur; kompanitë “LLAZO – VIBTIS” kishin 679 mijë euro më lirë; “LIQENI VII – SARDO – IDEAL CONSTRUCTION AND PROJECTION” kërkoi 463 mijë euro më pak, ndërsa “AGI KONS – COLOMBO” kërkoi 289 mijë euro më pak.

Në fund, ajo që mbetet nga kjo procedurë është një faturë maksimale për buxhetin e qytetarëve dhe një pikëpyetje e madhe mbi transparencën e garës. Ndërsa argumenti zyrtar mbetet ai i “mosplotësimit të kritereve teknike”, skualifikimi në masë i ofertave shumë më të lira len shijen e një procesi formal ku fituesi ishte i paracaktuar. Tashmë i mbetet organeve të drejtësisë të zbardhin nëse ky prokurim ishte një garë e vërtetë, apo thjesht një skemë e radhës për të shpenzuar fondet publike deri në qindarkën e fundit. (VNA.al)

Zjarr Tv Ad