Opinion nga Greta Hoxha: Në Fier ka vdekur opozita. A do të ringjallet ndonjëherë?

0
145

Në një qytet si Fieri, me një histori të pasur qytetarie, lufte politike dhe zëri qytetar të fortë ndër vite, mungesa e opozitës është më shumë se një boshllëk politik – është një krizë e rëndë demokracie.Prej kohësh, në Fier nuk dëgjohet asnjë zë kritik, asnjë qëndrim i fortë, asnjë reagim serioz nga forcat që vetëquhen opozitë. Partia Demokratike lokale është zhdukur nga skena, grupimet e tjera janë kthyer në hije pa ndikim, dhe zëri i qytetarëve të pakënaqur ka mbetur pa përfaqësim.

Kryebashkiaku Subashi, ndonëse shpesh mungon në terren, nuk ka nevojë të mbrohet – sepse nuk ka askënd që e kundërshton. Në Fier, qeverisja lokale duket si monolog, jo debat. Dhe kjo nuk është më faj i mazhorancës: është faj i një opozite që ka zgjedhur heshtjen si strategji, dhe mungesën si mënyrë ekzistence.

Si arritëm deri këtu?

A është kjo rezultat i lodhjes pas humbjeve të njëpasnjëshme?
A është dështim organizativ, mungesë lidershipi apo kompromis i heshtur për interesa personale?Në çdo rast, kostoja nuk bie mbi drejtuesit anonimë të degëve politike, por mbi qytetarët e Fierit, të cilët nuk kanë më përfaqësues që t’i thonë pushtetit: “Mjaft!”. Nuk ka kush të mbrojë interesin publik në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Nuk ka kush të ngrejë zërin për mungesën e transparencës, për vendimet klienteliste, për degradimin e hapësirës publike apo për mungesën e shërbimeve bazë në lagjet periferike.

Demokracia nuk vdes vetëm nga keqqeverisja. Vdes edhe nga mungesa e opozitës.

Ndaj ky është një apel për ndërgjegjësim politik. Për të gjithë ata që e quajnë veten opozitarë në këtë qytet:Çfarë opozite jeni, nëse nuk dëgjoheni, nuk veproni, nuk përfaqësoni askënd?Nëse nuk jeni në gjendje të artikuloni qoftë edhe një reagim në muaj ndaj një realiteti që e shohin të gjithë qytetarët, atëherë nuk jeni opozitë. Jeni figurantë. Dhe Fierit nuk i duhen figurantë politikë.

Koha për zgjedhje të reja – jo zgjedhje elektorale, por zgjedhje ndërgjegjeje

Fieri meriton më shumë. Meriton debat. Alternativë. Presion mbi pushtetin.
Dhe nëse partitë aktuale nuk janë të afta për këtë, atëherë është koha të dalin në skenë njerëz të rinj. Qytetarë të zakonshëm, të ndershëm, të guximshëm – që nuk i frikësohen të thonë të vërtetën, edhe kur ajo dhemb.

Zjarr Tv Ad