Boshatisja e një kantine vere të bllokuar gjatë operacionit për kapjen e Ergys Agasit, hapi një dritare tjetër të vogël, nga ku dallohet jeta e luksit të qeveritarëve tanë. Ajo tregon se pas fasadës së reformave, pas fjalimeve për shtet dhe ligj, fshihet një univers tjetër, ai i privilegjit, i shijeve të shtrenjta dhe i qejfeve, që fantazia e shumicës së qytetarëve e ka të vështirë ta perceptojë.
Kjo është Shqipëria e atyre që shpenzojnë 4 milion euro për një kopsht me lule apo 800 mijë euro vetëm për fustane, dhe ku një shishe verë mund të kushtojë më shumë se 33 mijë euro.
Prandaj, ngjall kureshtje lajmi për zhdukjen e një koleksioni me shishe të verës së shtrenjtë, nga një kantinë në pronësi të Ergys Agasit, një nga satelitët e shumtë që qarkullojnë rreth pushtetit të kryeministrit Edi Rama.
Si u boshatis kantina e verës së Ergys Agasit
Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim Eno Agasin, kushëririn e Ergys Agasit, një nga personazhet më të përfolur të pushtetit informal, i konsideruar si kontakti i bandave kriminale me zyrën e Kryeministrit dhe sot në arrati për hetimet e SPAK mbi tenderat e AKSHI-t.
Kushëriri i tij, Eno Agasi dyshohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, kontrabandë të mallrave që paguajnë akcizë dhe magazinim të paligjshëm të tyre.
Sipas hetimeve, gjatë kontrollit në banesën e Agasit, hetuesit e BKH zbuluan kantinën e verës, ku ndodhej një koleksion shumëvjeçar i verërave të rralla, përfshirë shishe të vlerësuara si pjesë e koleksionit “Petrus Pomerol”, që rezultuan me mungesën e dokumentacionit.
Pikërisht për këtë arsye u njoftua Drejtoria e Doganave. Strukturat doganore kryen një inventarizim disaorësh dhe përllogaritën një dëm prej rreth 400 milionë lekësh në buxhetin e shtetit, si pasojë e mospagimit të akcizës dhe taksave të tjera mbi mallin.
Meqë kontrolli u zhvillua gjatë natës dhe transporti nuk mund të realizohej në orët e vona, malli u la përkohësisht në ambientet e vilës. Por ky vendim rezultoi i gabuar.
Hetimet tregojnë se gjatë natës, Eno Agasi ka larguar sasinë e verës nga kantina dhe më pas ka hequr edhe serverin e kamerave të sigurisë, duke e bërë praktikisht të pamundur hetimin e ngjarjes. Kur furgonët e Doganave u rikthyen për të marrë mallin dhe për ta transportuar në ruajtje të sigurt, konstatuan se vera nuk ndodhej më aty.
Deklaratat e Arben Ahmetajt për verën e shtrenjtë që konsumon Edi Rama
Nëse zhdukja e shisheve të verës do përmendej në një hetim tjetër rutinë të Prokurorisë së Tiranës, do të kishte mbetur një lajm periferik, një episod i çuditshëm për t’u harruar shpejt.
Por kjo ngjarje merr peshë, sepse lidhet me paralajmërimin e bërë muaj më parë nga Arben Ahmetaj, ish zv-kryeministri që shpesh ka qenë një hap para skandaleve të hetuara nga SPAK.
Dhe pikërisht tani që zbulohet koleksioni i shtrenjtë me shishet e verës që Ergys Agasi ruante në kantinën e tij, dëshmitë e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetajt bëhen akoma më të forta.
Duke përshkruar rolin e Agasit, stilin e tij të jetës dhe marrëdhënien e ngushtë që i riu kishte me Edi Ramën, Arben Ahmetaj tregonte se si i kishte parë të dy teksa konsumonin verë me vlerë 33 mijë e 600 euro, një shishe Romanee Conti.
Teksa përshkruante rolin e Ergys Agasit si koordinator personal i krimit pranë Edi Ramës, Ahmetaj hodhi në publik këtë detaj, që në atë kohë shumëkush e mori si ekzagjerim.
“Një ngacmim për të lidhur kopshtin e Edenit me Onkologjikun. Vuajtjen e qytetarëve me kopështin e Edenit me peshqit e kuq si avatarë dhe “Dhoma e luleve” ku pihet kjo lloj vere me koordinatorin e krimit.” I pyetur nga gazetari Çim Peka nëse kishte prova, Ahmetaj u përgjigj. “Ore të dukem gjë si Altin Dumani që kur nuk e vërteton, e supozon?”
Më pas ai tregoi një foto të shishes së verës Romanee Conti që konsumonte Rama me Ergys Agasin duke përmendur emrin e këtij të fundit. “Dhe njëri prej tyre mburret. Shqiptarët nuk kanë votuar për Gys Agasin, kanë votuar për PS-në” tha Ahmetaj gjatë intervistës duke iu kërkuar gazetarëve të investigojnë mbi këtë çështje.
Pétrus është verë me prodhim shumë të kufizuar, e prodhuar praktikisht 100 për qind nga rrushi Merlot, e vlerësuar në tregun global si objekt koleksionimi dhe investimi. Me pak fjalë, simbol i statusit dhe i distancës me qytetarët e thjeshtë.
Sot, kur në media raportohet për një kantinë të bllokuar ku gjendej koleksioni i verërave “Petrus Pomerol”, një nga verërat më të shtrenjta në botë në pronësi të Ergys Agasit, fjalët e Ahmetajt nuk duken më si ekzagjerime.
Ato i shtohen sinjaleve që tregojnë jetën prej sheiku të Edi Ramës, darkat mbi 10 mijë dollarë në New York, fluturimet me çarter, biletat sekrete në udhëtimet jashtë vendit apo biletat VIP në NBA që kalojnë kufijtë e çdo logjike zyrtare.
Ato janë simptomat e një pushteti që ka humbur kontaktin me realitetin dhe tregojnë se ndarja mes qeverisësve dhe të qeverisurve është bërë e pakthyeshme, tashmë që është krijuar një elitë pushtetarësh që jeton në një Shqipëri tjetër, që nuk i njeh spitalet pa barna, pensionet qesharake, apo qytetarët që e matin muajin me faturat e dritave./Lapsi.al




