Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, foli në konferencë për mediet, nga Kryeministria.
Sipas tij, brenda kësaj jave do të prezantohen një sërë nismash, me në fokus qytetarin.
“Për të qenë të qartë, se ne do të jemi në ndihmë të bashkive që të rrisin cilësinë e shërbimeve. Kuptohet që kjo kërkon financim, qeveria është e gatshme dhe besoj që Rilindja 2.0 do të jetë një program i financuar plotësisht”, tha ai.
“Jo më larg se dje, kemi pasur rastet e para në disa bashki për zjarret në territor. Po punojmë për sezonin, Ministria e Pushtetit Vendor do të jetë në një rol koordinues. Ne jemi të bindur se 2026-a ka një përgatitje më të mirë logjistike në tërësi, qoftë për kapacitetet lokale dhe ato qendrore. Duhet të ketë sensibilizim, duhet të bëjmë shumë kujdes me mënyrën si sillemi në territor”, deklaroi ministri sa i takon situatës me zjarret në vend.
“Do të kemi një paketë mbështetëse për të gjithë ata që janë në vijën e parë për të përballuar këto episode. Në fillim të sezonit, do të merren hapat e duhur për të garantuar motivimin e duhur të burimeve njerëzore”, bëri me dije Demo.




